Dante takohet me Beatriçen, dashuria e përkorë që u skalit në zemër dhe u përjetësua në art
Kultura E Mërkurë, 18 Mars 2026 13:24
Nga Albert Vataj
Në përfytyrimin e përjetshëm që arti i ka dhënë këtij çasti, takimi mes Dante Alighieri dhe Beatrice Portinari nuk është thjesht një episod biografik, por një epifani, një çast ku njerëzorja përthyhet në hyjnoren dhe ndjenja merr trajtën e një doktrine shpirtërore.

Te peneli i Henry Holiday, Beatriçja shfaqet e mbështjellë me një dritë të argjendtë, si një prani që nuk i përket më tokës, por një horizonti të lartësuar, ku bukuria është shenjë e një përkatësie qiellore. Ndërsa Raffaelle Gianetti e çliron atë nga solemniteti i ngrirë, duke i dhënë trup mishor tundimit, një prani që frymon mes epshit të përmbajtur dhe hijeshisë tokësore.
Në vizionin e Raffaello Sorbi, Beatriçja del nga një teatër hijesh dhe dritash, si një figurë që kapërcen kufirin e errësirës për të hyrë në një butësi të brishtë, ndërsa Salvatore Postiglione e lind atë si një vegim, më shumë ide sesa trup, më shumë dritë sesa mish, një përfytyrim që i afrohet më tepër shpirtit sesa syrit.

Këto përqasje artistike nuk janë thjesht interpretime estetike; ato janë përpjekje për të kapur atë që vetë Divine Comedy e përjetësoi si një rrugëtim të shpirtit drejt absolutes. Sepse dashuria e Dantes për Beatriçen nuk u konsumua në tokë, ajo u sublimua. U bë udhërrëfyese në ferr, pastrim dhe parajsë, u bë dritë që i prin shpirtit përtej humnerave të mëkatit dhe mjegullës së dyshimit.
Është një dashuri e pamundur, dhe pikërisht për këtë arsye, e pafund. Ajo nuk u përmbush në trup, që të mos shuhej në harresën e përditshmërisë, nuk u konsumua në kohë, që të mos vdiste me të. Ajo mbeti në atë gjendje të përkorë ku çdo ndjenjë është e ndezur, por e paprekur; ku zjarri nuk djeg për të shkatërruar, por për të ndriçuar.

Që nga ai çast i parë, kur, sipas rrëfimit, dy fëmijë u panë dhe një univers i tërë nisi të rrotullohej rreth një ndjenje, dashuria e tyre u bë një orbitë e pashmangshme. Një gravitet shpirtëror që nuk njeh as kohë, as vdekje.
Dhe kështu, Dante Alighieri nuk e deshi Beatriçen si një grua të zakonshme; ai e shpalli atë si një mënyrë të të parit të botës. Ai e ngriti në një hierarki ku dashuria bëhet njohje, ku ndjenja bëhet shpëtim, ku bukuria bëhet dëshmi e hyjnores.

Arti, në këtë mënyrë, nuk bëri gjë tjetër veçse ndoqi shembullin e poetit: e shndërroi Beatriçen në simbol, në ikonë, në një prani që nuk i përket më historisë, por përjetësisë. Dhe në këtë përjetësi, dashuria e tyre vazhdon të jetë një zjarr që nuk shteron, një dritë që nuk shuhet, një thirrje që nuk resht së kumbuar në ndërgjegjen e njeriut.
Sepse, në fund, kjo është pyetja që mbetet pezull mbi çdo shpirt që lexon, që sodit, që ndjen:
Mos vallë secili prej nesh kërkon Beatriçen e vet, për t’u bërë, në mënyrën e tij, një Dante që udhëton drejt dritës?
KOHA JONË SONDAZH