Dasara Xhangolli në rolin e Izabelës në “Përtej Horizontit”, një udhëtim drejt thellësive të shpirtit njerëzor

Nga Albert Vataj
“Përtej Horizontit” do të ngjitet në skenën e Teatrit të Korçës, “Andon Zako Çajupi” me premierën e një vepre të madhe të anatomisë së shpirtit njerëzor, një nga aktet krijuese nga më të ndjera dhe introspektive të dramaturgut amerikan Eugene O’Neill, nën regjinë e Silvio Goskovës.
Shfaqja do të jepet më 31 tetor, 1 dhe 2 nëntor, duke sjellë për publikun një reflektim të thellë mbi ëndrrat, dashurinë, fatin dhe kufijtë e zgjedhjeve njerëzore.
Në qendër të interpretimit, spikat aktorja Dasara Xhangolli, e cila mban rolin e Izabelës, një figurë e ndërtuar me finesë, që përfaqëson përplasjen midis dëshirës për jetë dhe peshës së realitetit.
Izabela është një grua që ndien, ëndërron dhe përpiqet të gjejë dritë në kufijtë e errësirës. Përmes saj, O’Neill ndërton një simbol të femrës së ndarë mes pasionit dhe detyrimit, mes asaj që zemra kërkon dhe asaj që jeta imponon.

Dasara Xhangolli e mishëron këtë karakter me një ndjeshmëri të rrallë. E diplomuar për Regji në Universitetin e Arteve, ajo është një aktore që ka ndërtuar një profil të gjerë në skenë dhe në ekran, duke spikatur për forcën e brendshme, botën e pasur emocionale dhe organikitetin që e bën praninë e saj natyrshëm të besueshme.
Në rolin e Izabelës, Xhangolli arrin të krijojë një ekuilibër delikat mes ndjenjës dhe reflektimit, duke e shndërruar personazhin në një figurë të gjallë, që mbart brenda saj gjithë dramën e njeriut që endet “përtej horizontit” të vetvetes.
Regjia e Silvio Goskovës sjell në qendër përplasjen midis ëndrrës dhe realitetit, një temë universale që O’Neill e kthen në metaforë të fatit njerëzor. Përballë Izabelës, karakteret e Jurgen Markut, Niko Kanxherit, Zamira Kitës, Antonio Tolës, Fludea Harizit dhe Mishela Çervenit krijojnë një ansambël të fuqishëm emocional, ku çdo personazh është pasqyrë e një dileme ekzistenciale.

“Përtej Horizontit” mbetet një nga veprat më të hershme, por edhe më përfaqësuese të Eugene O’Neill, që i dha atij Çmimin Pulitzer në vitin 1920. Është një dramë që shikon njeriun si udhëtar të përjetshëm midis ëndrrës dhe tokës, midis idealit dhe dështimit, midis dashurisë dhe vetmisë.
Teatri i Korçës, me këtë produksion të ri, i jep publikut shqiptar një mundësi për t’u përballur me thellësinë e një vepre që flet për nevojën për të kërkuar diçka më shumë, përtej horizontit që shohim çdo ditë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?