“Dome” në skenën e Shkodrës

Monodrama “Dome” erdhi mbrëmjen e së premtes dhe të shtunën në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Kjo monodramë e shkruar dhe vënë në skenë nga Stefan Çapaliku, erdhi nën interpretimin e aktorit Enver Hyseni. Ajo që i ka bërë përshtypje autorit gjatë bisedave ka qenë gjithmonë sinqeriteti i thellë me të cilin Enver Hyseni tregonte aspekte të ndryshme të jetës së vet, që rrinin të lidhura ngushtë me epokën, së cilës i përkisnin.

Çapaliku tregon se e i kanë bërë përshtypje gjithashtu edhe thjeshtësia e tregimit e veçanërisht mungesa e mllefeve dhe inateve. “Si çdo person tjetër edhe aktori Enver Hyseni e ka jetuar kohën e vet. Herë ndër margjina e herë në kryeradhë; e ka jetuar brenda tragjizmit dhe komikes; e ka jetuar në varfëri dhe në lavdi; vetëm dhe me shokë; me mish e me shpirt”, shprehet autori Stefan Çapaliku.

Autori ka dashur të shkruajë e më vonë të ndërtojë një shfaqje të thjeshtë, “shfaqje aktori”, një shfaqje që të ngjasojë si një akt rrëfimi, pse jo edhe kërkimi ndjesë, pardoni, si një gjest që kaq shumë i mungon shoqërisë sonë. Muzika e maestro Haig Zacharian është një ndër elementet gjithashtu të çmuara të kësaj shfaqje që do të jetë në skenë mbrëmjen e sotme për publikun shkrodran.

Enver Hyseni lindi në Shkodër më 1 gusht 1951. Merr mësime aktrimi në Institutin e Lartë të Arteve për një periudhë të shkurtë (1973-1974) dhe i ndërpret studimet për arsye ekonomike. Më 1975 nis punën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Në këtë periudhë dyzetvjeçare luan më se gjashtëdhjetë role në teatër e katër në filma. Punon me regjisorë si Serafin Fanko dhe shquhet për role karakteresh. Zëri tipik dhe plastika e brendshme e bëjnë një aktor krejtësisht të veçantë dhe interesant. Kjo vepër është shfaqur në disa skena teatrore dhe premierën e shënoi disa kohë më parë për tu rikthyer sërish në teatër.

SHKARKO APP