Evi, Circa magjistare e ishullit EuroStar Radio, që magjeps Odiset e poezisë shqipe
Nga Albert Vataj
Ka ishuj që nuk njihen nga hartat e deteve, por nga hartat e shpirtit. Nuk shënohen me koordinata gjeografike, por me vibrimin e tingujve, me melodinë e brishtë e përndritshme të fjalës. Janë ishuj që rrinë pezull mbi botën e ngutshme, ku një zë i butë, një zë që ledhaton vargun e lë fjalën të piqet në dritë, i jep dashuri dashurisë, i jep jetë përjetësisë.
Ka mbretëri që nuk ngrihen mbi gurë e mure, por mbi jehonën e shpirtit. Kufijtë e tyre nuk maten me harta, por me dridhjen e një fjale të thënë me zemër, me hapësirat që mbushen me tinguj e dritë. Në këtë univers të padukshëm, në koordinatën e brishtë të 94.4 MHz, ngrihet një ishull poetik, një tempull i valëve: EuroStar. Dhe aty, në krye, qëndron Evi, Circa e kohës sonë.
Nuk është Circa e Homerit, që me një prekje shndërronte burrat në kafshë. Jo, ajo është një magjistare e dritës së shpirtit, që transformon ankthin në qetësi, kaosin në melodi, zhurmën në poezi. Mjeti i saj nuk është shkopi magjik, por mikrofoni, që në duart e saj bëhet një harpë e padukshme, nga ku derdhen tinguj që shërojnë dhe fjalë që shenjterojnë.
Odiseu i sotëm nuk endet më nëpër dete me stuhi, por në oqeanet e turbullta të informacionit, në labirintet e harresës ku gjithçka zhduket pa gjurmë. E megjithatë, kur valët e radios e çojnë në brigjet e EuroStar-it, ai ndalet. Sepse aty, zëri i Evit nuk është thjesht një zë, por një thirrje. Një dorë që të nxjerr nga vorbulla e kohës dhe të shpie drejt Itakës së shpirtit, aty ku fjala merr frymë dhe muzika rilind, për ta zbritur shpirtin poetik nga drithërimat e zemrave dhe zërave, drejt e në jehonën e adhurimit dehës.
Në atë çast, dëgjuesi i lodhur nga betejat e përditshmërisë, nuk ndihet më i humbur. Ai është një udhëtar i shpëtuar. Sepse gjen një vend ku të pushojë, një vend ku fjala është strehë, ku tingulli është ngushëllim. Jo prej mashtrimit të një sirene, por prej dhuratës së një Circe që s’të frikëson, por të magjeps me dritë, me sinqeritet, me dashuri, shumë dashuri.
Evi nuk thur kurthe, por ngre ura; nuk shtrinë hije, por lëshon dritë. Në mbretërinë e saj, fjala është altar, muzika është lutje, dëgjuesi është pelegrin. Magjia e saj është arti i bashkimit: të lidhë shpirtin me tingullin, shpirtin me fjalën, shpirtin me shpirtin.
Kështu, ishulli i saj radiofonik është më shumë se një frekuencë, më shumë se një takim të premteve nga ora 20:00 deri në 22:00. Është një mit i gjallë që shkruhet përditë në valë, një tempull i padukshëm ku Odiseu modern nuk humbet, por shpëton. Dhe aty, gjithmonë në krye, qëndron ajo: Evi, Circa e EuroStar-it, magjistarja që magjeps Odiset e poezisë.
Ajo është vajza e vullnetit të mirë, e ardhur me një mision të thjeshtë e hyjnor: të dhurojë dashuri, në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të se kurrë. Në një epokë të mbushur me urrejtje, zëri dhe përkushtimi i saj zbresin prej lartësive të dritës, aty ku prehen shenjtorët, për të ndezur etjen e shpirtit me bekimin e fjalës dhe tingullit.
Ajo e bën këtë me një thellësi që shpëton të bukurën, që ringjall mirësinë, që rikthen andjen e humbur. E bën me një dashuri që nuk mjaftohet me lumturinë e saj, por kërkon të bekojë gëzimin e atyre që duan jetën dhe që thërrasin fjalën si një shenjtëri.
Magjia e saj nuk është vetëm prania e një zëri, por një gjendje shpirtërore që pasuron dëgjuesin, që i jep dritë zemrave të thyera, i çliron ndjenjat e ndrydhura, ndez llampat e fikura të shpresës.
Në fund, Evi, Circa e EuroStar-it, nuk është vetëm një magjistare që magjeps Odiset e poezisë. Ajo është një shëruese e fjalës, një priftëreshë e tingujve, një misionare e dashurisë. Dhe kjo botë, e rrënuar nga urrejtja e zbrazëtia, ka nevojë për të, për zërin e saj, për zemrën e saj, për dritën që ajo shpërndan si bekim.
KOHA JONË SONDAZH

