Jusuf Gërvalla, martiri i kauzës kombëtare, poeti që e ndërtoi “shtëpinë e fjalës” së tij me dritë dhe me kujtesë
Nga Albert Vataj
Shënjim dhe shprehshmëri kumtuese për poetin, shkrimtarin dhe veprimtarin atdhetar, Jusuf Gërvalla
Në letërsinë shqipe të viteve ’70-’80, Jusuf Gërvalla nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve”, atyre që shënjonin me fjalë të pakta e të ngurta një të tashme të kornizuar nga ideologjia. Ai erdhi si një zë i mëvetësishëm, i brishtë dhe i fuqishëm njëkohësisht, duke ushqyer poezinë e tij me simbolikë, metaforë dhe një ndjeshmëri të përshkuar nga tradita gojore, por e risjellë me një vetëdije moderne. Sabri Hamiti e ka cilësuar se në vargjet e tij fliste një frymë e lashtësisë që arrinte të kumtonte me një ton krejt të ri.
Zëri poetik i Gërvallës është ngrohtësi dhe përmallim, një kumt që vjen drejtpërdrejt, pa zbukurime të panevojshme, i butë, njerëzor dhe i ngarkuar me një sensibilitet të stërholluar. Në përmbledhjet e para, “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978), tematika mbetet e lidhur fort me vatrën e poetit dhe me përmasat intime të jetës së përditshme. Jo rastësisht, tituj ciklesh si “Shtëpia në kornizë” apo “Skena nga jeta e fshatit” e bartin këtë frymë. Dashuria, malli për vendlindjen, dhimbja dhe kërkimi i një rrezatimi shpirtëror të përmbledhur në vargjet e tij për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri” shpalosin një poezi të thjeshtë në dukje, por thellësisht metafizike.
Me kalimin e kohës, poezia e Gërvallës shndërrohet në një përsiatje më të gjerë, duke kaluar nga intima drejt universales. Në vëllimin “Shenjat e shenjta” (1979) shtohen hijet e ekzistencës: “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Këto elemente e dëshmojnë se poeti tashmë e shihte jetën përmes një grotesku të hollë, ku e përditshmja shfaqej si një tablo që nuk mund të kuptohet vetëm nga sipërfaqja. Përmes tyre, Jusuf Gërvalla e trajtonte vetminë, ankthin, përballjen me fundin dhe me vdekjen, por gjithnjë me një thelb të kryekëput human. Ky ligjërim lirik e substancial e bën atë një nga zërat e patjetërsueshëm të poezisë moderne shqipe.
Por Jusuf Gërvalla nuk ishte vetëm poet. Ai ishte edhe shkrimtar, muzikant dhe veprimtar politik. Lindi në Dubovik të Deçanit më 1 tetor 1943. Shkollimin e lartë e kreu në Prishtinë e Ljubljanë, për të punuar më pas si gazetar në Shkup e Prishtinë. Me ndjenjën e tij të fortë kombëtare, ai u bë një nacionalist i zëshëm, duke hyrë në radarët e policisë sekrete jugosllave. I detyruar të kërkonte azil në Gjermani, aty themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, e cila më pas do të ndahej në dy fraksione, njërin prej të cilëve – Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës – do ta kryesonte vetë.
Fundin tragjik ai e gjeti më 18 janar 1982, në Untergruppenbach, afër Shtutgartit, ku u vra së bashku me vëllanë Bardhoshin dhe veprimtarin Kadri Zeka. Vrasja e trefishtë, e atribuar shërbimeve sekrete jugosllave, shkaktoi zemërim dhe tronditje mes shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës. Robert Elsie ka pohuar se kjo ngjarje u cilësua nga disa vëzhgues si pikënisja e konfliktit të armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe regjimit serb.
Në kujtesën kolektive shqiptare, Jusuf Gërvalla mbetet jo vetëm një martir i kauzës kombëtare, por edhe një poet që e ndërtoi “shtëpinë e fjalës” së tij me dritë dhe me kujtesë. Në vargjet e tij, edhe shtëpia më e brishtë e jetës merr përmasën e përjetësisë:
SHTËPIA QË NDËRTOJ
“në një skutë do të ketë më shumë dritë
në tjetrën vend për shtratin dhe minjtë
një derë do ta ketë për në rrugën kryesore
një tjetër për kopshtin me lule të bardha
një verandë do ta ketë me një fuçi druri portokalli
do ta llogarisë këndin e diellit mbi dritare.”
Kjo poezi është testament i një shpirti që, edhe në përballje me terrin, kërkonte një vend ku drita të mos shuhej kurrë.
KOHA JONË SONDAZH

