Kahlil Gibran, zëri këndues i një shpirti ëndjesh dhe blatimesh të hyjshme
Nga Albert Vataj
Poeti, filozofi dhe piktori libanez, Kahlil Gibran, zëri këndues i një shpirti ëndjesh dhe blatimesh të hyjshme, u lind më 6 janar 1883. Kur ishte vetëm 11 vjeç emigroi në SHBA për të marrë me vete dhe kumtuar botës diellin përtëritës të një ngulmi profetik. Ai i dedikoi pjesën më të madhe të jetës së tij pikturës, por për ironi të fatit, bëhet i njohur nga e gjithë bota për librat e tij me poezi dhe kumtime filozofike, esse dhe mëtime ngasëse vullnetesh të epërme. Miliona arabfolës, e konsiderojnë si gjeniun e kohës së vet. Por ai ishte një njeri fama dhe ndikimi i të cilit u përhap edhe më tej në Lindjes së Mesme. Poezitë iu përkthyen në më shumë se 20 gjuhë. Pikturat e tij janë ekspozuar në shumicën e kryeqyteteve të botës dhe Auguste Rodin e krahason me punën e William Blake.
Kahlih Gibran (1883-1931) artist, shkrimtar dhe poeti arab më i njohur në botë. Lindi në një familje maronite (komunitet i lashtë i krishterë në Lindjen e Mesme) në Liban gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, bash në kohën kur atje u emërua mytesarif Vaso pashë Shkodrani (Pashko Vasa). Me të ëmën, vëllanë dhe motrat mërgoi më 1885 në Shtetet e Bashkuara. E ëma, Kamileh, ndikoi bindshëm në imagjinatën e tij, me përrallat e legjendat e Libanit dhe historitë nga Bibla. Pesëmbëdhjetë vjeç, me shumë sakrifica, e nisin për t`u shkolluar në Liban, në një shkollë maronite. Pasi kthehet në Boston përballet më i vetëdijshëm me realitetin e mërgimit dhe të nuhatjes nga ritmi i një jete tradicionale, ku koha ecën krahas natyrës.
Më 1908, mësuesja e pikturës dhe engjëllesha e tij, -siç e quante – Mary Haskell, e vëmendshme për etjen që kishte potenciali i të riut, i ofroi një udhëtim për në Paris. Në kryeqytetin francez, përveçse u kaplua prej artit të ngjeshur nga shekujt, takoi skulptorin Rodê (A. Rodin), që e prezantoi me veprat e Blejk (w. Blake), te të cilat ndjesitë e Gibranit gjetën përkim. Këndoi gjithashtu Kështu foli Zarathustra të Niçës, duke gjetur e duke bërë të vetat synimet e këtij autori për t`iu kundërvënë me një revoltë të esëllt mendësive të vjetra dhe gjykimeve morale, duke përforcuar kërkesën e tij të brendshme për autencitet artistik.
Me detajet e kësaj kohe kur qe student, është një skicë që ka bërë për Teatrin e Operës të Bejrutit me dy kubé të ndryshme, që simbolizojnë pajtimin e Krishtërimit me Islamin, një dëshirë e thellë e tij. Pas disa veprave në arabishte, ku nuk la pa radhitur përsiatjet e veta mbi mistikën ndërfetare, debuton me The Madman në anglishte më 1919. Vepër që e bindi kritikën e kohës dhe e krahasuan Gibranin me Rabindranat Tagorën, të botuar në këtë seri po ashtu.
Më 1923 botohet Profeti, titull që vjen prej njërës nga muzat e tij 21 vjet pata botimit, bashkëngjitur me jehonën e vazhdueshme të profet-poetëve të Dhiatës së Vjetër, me përkimet e përshpëritshme në traditën myslimane, të përforcuara nga njohja me veprën e Blejkut, në vetëdijen e tij. Vepra shtron urtitë e predikuara të profet-poetit me emrin Al-Mūstafa, simbol i bashkimit, që përfytyronte brenda vetes së Jezuit dhe Muhametit, një insan al-kamil (Njeriu i Përsosur) i traditës sufi. Për nga thjeshtësia dhe mundësitë e hapura që lë për t`iu avitur, “Profeti” u bë një ndër veprat më ndikuese dhe u përkthye në mbi 40 gjuhë.
Një nga përfaqësuesit më të bujshëm të letërsisë së mërgimit (Adab al-Mah`ğar) për letërsinë arabe, Gibrani është një nga ata autorë të ndikuar shumë nga vendlindja, duke i dhënë theks të gjithmoshmes aksiomë që fëminia është vendlindja e çdokujt, e në një kuptim më të gjerë është edhe vetëlindja. Vepra e tij përshfaq përpjekjet e tij për të paqtuar të kaluarën e të tashmen, për një të ardhme më të shëndetshme para se gërmadhat t`ia behin. Këtë paqtim e bën më një qasje të ngrohtë, që përçon ndjeshmërinë e tij, përtej ligjësive të dogmave, të cilën uroj t`ia kemi dalë që edhe lexuesi ta shijojë.
Për dashurinë
Kur dashuria ta bën me shenjë, shoqëroje atë
Ndonëse rrugët e saj janë të ashpra dhe të rrëpira
Dhe kur krahët e saj të përqafojnë ty, dorëzoju asaj
Ndonëse shpata e fshehur në mes të krahëve të saj mund të të lëndojë
Dhe kur ajo të flet, ti besoi asaj
Ndonëse zëri i saj mund t’i prishë ëndrrat e tua
ashtu si era e veriut shpërndahet në kopshtin e shkretë.
Ashtu siç dashuria të kurorëzon po ashtu ajo të mundon. Ashtu siç të rrit po ashtu edhe të shkurton
Ashtu siç ajo lartësohet në shtatin tënd dhe i ledhaton degët e tua të buta të cilat dridhen në diell
Po ashtu ajo do të zbresë në rrënjët e tua dhe do t’i tundë ato gjatë kacavirrjes në tokë.
Njësoj si tufat e grurit ajo të mbledh tek vetja e saj
Ajo të shkund për të të lënë lakuriq
Ajo të shoshit për të të liruar nga lëvozhgat e tua
Ajo të bluan për të të zbardhur
Ajo të përzien deri sa të bëhesh i përpunueshëm
Dhe pastaj ajo të fut në zjarrin e saj të shenjtë, që të bëhesh një bukë e shenjtë për gostinë e shenjtë të Zotit.
A do t’i bëjë dashuria të gjitha këto gjëra ndaj teje që ti të dish sekretet e zemrës tënde, dhe njohuria tek ajo të bëhet një pjesë e zemrës së Jetës?
Nëse në frikën tënde do të kërkosh vetëm paqen dhe kënaqësinë e dashurisë
Atëherë më mirë për ty do të ishte që ta mbulosh lakuriqësinë tënde dhe t’i dorëzohesh rrymës së dashurisë
Në botën e pakohë ku ti do të qeshësh, por jo për të gjitha të qeshurat e tua, dhe do të qash, por jo për të gjitha të qarat e tua
Dashuria nuk jep asgjë tjetër veç vetes, dhe nuk merr asgjë tjetër veç vetes
Dashuria as nuk të zotëron dhe as nuk është e zotëruar
Dashuria është e mjaftueshme vetëm tek dashuria.
Kur dashuron nuk duhet të thuash, “Zoti është në zemrën time,” por duhet të thuash, “Unë jam në zemrën e Zotit.”
Mos mendoni se ju jeni ai që e drejtoni rrjedhën e dashurisë, për dashurinë, nëse jeni njeri me vlera, ajo e drejton rrjedhën tuaj.
Dashuria nuk ka tjetër dëshirë përveç plotësimit të vetes
Por nëse ju dashuroni dhe keni nevojë për dëshira, lërini që dëshirat tuaja të jenë këto:
Të shkriheni dhe të bëheni si një përrua i vazhdueshëm që ia këndon melodinë e vet gjatë natës
Ta njihni dhimbjen e brishtësisë së tepërt
Të plagoseni nga të kuptuarit tuaj të dashurisë
Të pikoni gjak me vullnet dhe me gëzim
Të zgjoheni në agim me një zemër me krahë dhe të falënderoni për një tjetër ditë dashurie
Të pushoni në mesditë dhe të meditoni për ekstazën e dashurisë
Të ktheheni në shtëpi në mbrëmje me mirënjohje
Dhe pastaj të flini me një lutje për të dashurën në zemrën tuaj dhe me një këngë lavdërimi në buzët e tua.