Lady Diana dhe Freddie Mercury, dy shpirtra të mëdhenj që i bashkoi sfida e humanitetit

Nga Albert Vataj
Lady Diana, Princesha e Uellsit, dhe Freddie Mercury, frontmeni legjendar i Queen, përbëjnë një nga miqësitë më të pazakonta e më prekëse të epokës moderne. Dy figura të ndritshme, që vinin nga botë të papajtueshme në dukje, një princeshë e kurorës britanike dhe një yll rock-i me magnetizëm kozmik, u gjetën të bashkuar jo nga rrethanat, por nga një tërheqje e brendshme, njerëzore, e thellë. Ishte një miqësi që nuk kishte nevojë të shpallej, sepse ekzistonte si një sekret i bukur mes dy shpirtrave që dinin t’i lexonin plagët njëri-tjetrit.
Rrugët e tyre u kryqëzuan në fillim të viteve ’80, kur Diana sapo kishte hyrë në qendër të vëmendjes globale pas martesës me Princin Charles. Brenda atyre mureve të dukshme e të padukshme të protokollit mbretëror, ajo po kërkonte hapësira të sinqerta, të pastra, ku mund të ishte vetvetja. Freddie, në anën tjetër, në kulmin e famës botërore, jetonte një jetë ku audiencat brohorisnin, por ku intimiteti shpesh shkërmoqej nën peshën e miteve që e rrethonin.
Dhe megjithatë, kur u takuan, diçka u hap. Diana gjeti tek Freddie-n jo vetëm gjenialitetin e artistit, por një njeri me një zemër të pakufijshme, me butësi që fshihej pas shkëlqimit të skenës, me një humor të egër e lirues, që e joshte. Freddie, në të kundërt, admironte te Diana atë natyrshmërinë të cilën as kurora, as protokolli nuk arritën t’ia shuajnë kurrë: hirin, pafajësinë e kthjellët, guximin e heshtur dhe dhembshurinë që ajo shfaqte në çdo kauzë humane.
Ata u panë shpesh bashkë në rrethe të ngushta, larg syrit publik. Është bërë legjendë tashmë mbrëmja e vitit 1985 në Royal Opera House, kur Diana, për herë të parë në atë ambient aristokratësh e artistësh, u shoqërua nga Freddie. Aty, mes dritave të sallës dhe murmuritjes së elitës londineze, miqësia e tyre mori formë, e lirë, e sinqertë, e pazbukur.
Me kalimin e viteve, Diana e ftoi shpesh Freddie-n në takime private, darka të fshehta nga oborri mbretëror, ku dyshja mund të qeshte, të rrëfente frikërat, të përfliste famën që u rëndonte, dhe të gjente çlirim në një miqësi që nuk kërkonte role. Të dy e kuptonin se çfarë do të thoshte të përjetoje presion publik: Diana, në luftën e saj të përditshme për të mbetur njerëzore brenda një institucioni të akullt; Freddie, në betejën për të qenë i lirë në një botë që shpesh e gjykonte.
Kur Freddie ndërroi jetë më 1991, i rrëzuar nga SIDA në një epokë ku stigma ishte po aq e ashpër sa sëmundja, Diana u trondit thellë. Ai kishte qenë një nga njerëzit më të afërt, më të sinqertë në jetën e saj, dikush që e kishte parë pa kurorë e pa frikë. Humbja e tij nuk ishte thjesht fundi i një miqësie, por mungesa e një dritëz që e kishte ndihmuar Dianën të mbijetonte brenda botës së saj të ftohtë.
Por pikërisht ky fund tragjik e bëri miqësinë e tyre edhe më të pavdekshme. Në kujtesën kolektive, ata mbetën dy figura të epokës moderne që dhanë gjithçka, art, shpirt, guxim, dhe që gjetën njëri te tjetri diçka të rrallë: sigurinë që edhe njerëzit më të famshëm dhe më të ekspozuar kanë nevojë për një zemër ku të besojnë.
Sot, Lady Diana dhe Freddie Mercury kujtohen si dy yje që ndriçuan në qiellin e shekullit XX, secili me dhimbjet dhe triumfet e veta, por të bashkuar nga humaniteti, rebelimi i bukur kundër pritshmërive dhe dashuria për njeriun.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?