Lleshani, fshati me arkeologji të pasur

Lleshani, një nga fshatrat me më shumë vlera arkeologjike e historike të Shpatit, shtrihet në një lartësi mbi 1200 metra mbi nivelin e detit, mes maleve që rrethojnë Elbasanin në lindje. I vendosur në një pozicion strategjik, ai ka qenë ndër pikat më të forta të mbrojtjes dhe rezistencës ndaj pushtimeve të huaja. Sipas burimeve historike, në këto anë është luftuar “vënçe”, ndërsa otomanët e patën të pamundur të shtrinin plotësisht regjimin e tyre.
Në një majë shkëmbore ndodhen rrënojat e kalasë së Lleshanit, një fortifikim i lashtë që dëshmon për një vendbanim të hershëm me rëndësi strategjike dhe tregtare. Aty pranë janë zbuluar fragmente të qeramikës dhe gurë të punuar, që flasin për një aktivitet të dendur në periudha të ndryshme historike.
Rreth viteve 1500 në fshat u ngrit Kisha e Shën Mërisë, një monument i veçantë për arkitekturën e kohës dhe për vlerën shpirtërore që mbartte. Vendndodhja e saj, buzë një shkëmbi, u zgjodh jo rastësisht: përballë saj ngrihej kështjella e moçme ku gjenin strehë karvanet që përshkonin degët e rrugës antike “Via Egnatia”, si dhe pelegrinë të shumtë që vizitonin këtë trevë të paosmanizuar.
Edhe pse sot kisha është në rrënoja, vendi ku ajo ngrihej mbetet një vend i shenjtë, i vizituar çdo vit nga banorë të zonës dhe nga njerëz që kthehen për të nderuar “Shën Mërinë” në fund të muajit gusht. Tradita e pelegrinazhit bashkon myslimanë dhe të krishterë, si dëshmi e bashkëjetesës dhe respektit ndërfetar që karakterizon Shpatin.
Në rrugën që të ngjit drejt fshatit, pak para se të mbërrish në qendër, ndodhet Dushku i Lleshanit, një pemë e lashtë që ka rrënjët në tokë, por hijen e shtrinë mbi kujtesën e njerëzve.
Sipas legjendës, këtu ndaloi dikur një familje udhëtarësh me djalin e tyre të vogël. I etur dhe i lodhur, foshnja gëlltiti gabimisht një lëndë dushku dhe humbi jetën. Prindërit, të dëshpëruar, e varrosën fëmijën në vendin ku ndodheshin, dhe pikërisht aty, pas pak kohe, mbi varrin e tij lindi një filiz dushku që u rrit me vite në madhësinë që ka sot.
Banorët e zonës e ruajtën këtë histori brez pas brezi, duke e kthyer Dushkun në simbol të kujtesës, jetës dhe besës. Në vitin 2002 ai u shpall monument natyre, dhe prej atëherë është një nga ndalesat më të dashura për vizitorët që nisen drejt Shpatit.
Nën hijen e tij, shumëkush ndalet për të pushuar, për të pirë ujë nga burimi aty pranë, ose për të dëgjuar nga të banorët rrëfimet që përzihen mes legjendës dhe historisë.
Në pesë shekuj pushtim osman, krishtërimi në këto anë nuk u çrrënjos kurrë. Edhe në periudhat më të vështira, kur presioni për t’u islamizuar ishte i madh, njerëzit ruajtën besimin e tyre. “Islamizoheshin vetëm emrat, por jo shpirti”, thonë të moshuarit e Lleshanit. Dhe simbolikisht, as emri i fshatit nuk u ndryshua kurrë, Lleshan, një emër që mban në rrënjë kujtesën e krishterë dhe qëndresën shpirtërore.
Sot, Lleshani mbetet një destinacion i pazbuluar plotësisht, ku ndërthuren historia, natyra dhe besimi. Me rrugët e përmirësuara dhe interesin në rritje për turizmin kulturor në Shpat, ky fshat ka potencialin të bëhet një pikë referimi për vizitorët që duan të prekin rrënjët e lashta të Elbasanit. Miranda Sadiku

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?