Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini, dyshimi, dritëhija dhe e vërteta e artit dhe e shpirtit përmes fjalës

Nga Albert Vataj
Në histori të artit, pak çifte krijuese kanë shkëlqimin e turbullt dhe dhimbjen fosforeshente të asaj që ndodhi mes Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini-t. Ishin dy qenie të thyera në mënyrën më të shenjtë që mund të thyhet një artist, nga barra e talentit të tyre, nga përgjegjësia për ta tejkaluar veten, nga ankthi i të qenit më shumë se një njeri dhe më pak se miti që të tjerët pritnin të ishin.

Në zemër të kësaj drame intime që ata jetuan gjatë xhirimeve të Medea-s, qëndron një e vërtetë e thjeshtë, arti kërkon gjithmonë më shumë se ç’mund të përballojë një njeri, dhe vetëm ata që guxojnë të bien e të copëtohen, mund të ngrihen në lartësinë e tij.
Në fjalët e saj rrëqethëse, Callas e pranon me një ndershmëri që të zhvesh:
“Ka dy persona brenda meje. Do të doja të isha Maria, por duhet të jetoj sipas pritshmërive të Callas-it. Fatkeqësisht, unë nuk jam veçse një grua me dobësitë e saj. Them fatkeqësisht sepse në punën time nuk lejohet të kesh dobësi, dyshime. Dhe unë kam gjithmonë shumë dyshime, kam gjithmonë frikë se mos nuk i bëj drejtësi vetes. Nuk e vlerësoj atë që kam bërë mirë, sepse shoh të zmadhuara gjërat që do të kisha mundur t’i bëja më mirë. Prandaj kam nevojë për ngrohtësinë e njerëzve: të jem e dashur më bën të mos ndihem vetëm.”
Maria, gruaja e qetë, e brishtë, plot dyshime, dhe Callas, monumenti i zërit, e pakthyeshmja, hyjnesha që nuk duron as gabim, as frikë, as rrëzim.
Arti i madh i kërkon njeriut të bëhet dyfish, të ketë zemër dhe të ketë altar. Të jetë trup dhe të jetë mit. Dhe Callas e pagoi këtë kërkesë me vetminë më të pastër që njeh bota artistike: vetminë e njeriut që nuk i lejohet të jetë njerëzor.


Pasolini, ai që i sheh plagët dhe i kthen në poezi e sheh Callas-in jo si hyjneshë, por si fëmijë – një fëmijë që ka frikë të mos zhduket sapo të mos e shohin.

La presenza (1969)
Pier Paolo Pasolini për Maria Callas
Dhe ti, e tmerruar nga dyshimi se s’je më,
e di edhe këtë
dhe përpiqesh të të bëhesh vetes nënë.
Ia lejon fëmijës të jetë mbretëreshë,
të hapë e të mbyllë dritaret si në një rit
që respektohet nga mysafirët, shërbëtorët, spektatorët e largët.
E megjithatë ajo, ajo, fëmija,
mjafton të lihet vetëm për një çast,
që të ndihet e humbur përgjithmonë.

Ky s’është thjesht vëzhgim poetik. Është diagnozë shpirtërore. Maria Callas nuk jetonte në pasqyrat e sallave të operës, ajo jetonte në shikimet e të tjerëve. Harresa ishte vdekja e saj. Braktisja ishte errësira ku e tëra mund të tretjej.
Pasolini e kupton këtë më mirë se askush tjetër, sepse vetë ai jetonte me të njëjtin ferr të brendshëm: frikën se mos bota nuk arrin të kapë të vërtetën tënde të plotë.
Por jo vetëm kaq, Pier Paolo Pasolini pas këtyre vargjeve ka në mëndje, në shpirt dhe në fjalë në letër, një dorë e zgjatur drejt së thyres
Letra që ai i dërgon gjatë xhirimeve të Medea-s është një nga shkresat më prekëse që një artist i ka shkruar një tjetri. Aty, Pasolini tregon të fshehtën e procesit krijues: dhunën e nevojshme që kinemaja i bën realitetit.
Ai i shkruan:

E dashur Maria,
sonte, sapo mbarova punën, në atë shteg me pluhur rozë, ndjeva me antenat e mia tek ti të njëjtën ankth që dje ti, me antenat e tua, e ndjeve tek unë. Një ankth i lehtë i lehtë, jo më shumë se një hije, e megjithatë i pathyeshëm. Dje tek unë ishte pak neurozë: por sot tek ti kishte një arsye të saktë (saktë deri në një pikë, natyrisht) që të shtypte, me diellin që po ikte. Ishte ndjesia se nuk kishe qenë plotësisht zonjë e vetes, e trupit tënd, e realitetit tënd: se kishe qenë “e përdorur” (dhe për më tepër me brutalishtën fatale teknike që nënkupton kinemaja) dhe për pasojë se kishe humbur pjesërisht lirinë tënde të plotë.
Këtë shtrëngim në zemër do ta përjetosh shpesh gjatë punës sonë, dhe edhe unë do ta ndiej bashkë me ty. Është e tmerrshme të jesh i përdorur, por po aq të përdorësh. Por kinemaja është kështu, duhet të thyesh e të copëtosh një realitet të “tërë” për ta rindërtuar në të vërtetën e tij sintetike dhe absolute, që pastaj e bën atë akoma më të “tërë”. Ti je si një gur i çmuar që copëtohet dhunshëm në mijë copa, për të mundur të rindërtohet me një material më të qëndrueshëm se jeta, pra materiali i poezisë.
Është pikërisht e tmerrshme të ndjesh veten të thyer, të ndjesh se në një moment të caktuar, në një orë të caktuar, në një ditë të caktuar, nuk je më i tëri vetvetja, por një copëz e vogël e vetes, dhe kjo të përul, e di. Sot unë kapa një çast të shkëlqimit tënd, dhe ti do të kishe dashur të ma jepje të gjithin. Por kjo nuk është e mundur. Çdo ditë një shkëlkim, dhe në fund do të kemi të tërën, të paprekur, të plotë ndriçimin tënd.
Ka pastaj edhe fakti që unë flas pak, ose shprehem me terma pak të pakapshëm. Por kjo ka pak mundim për t’u rregulluar, jam pak në trans, kam një vizion, ose më mirë vizione, “Vizioni i Medeas”, në këto kushte emergjence, duhet të kesh pak durim me mua dhe t’i nxjerrësh pak fjalët me forcë.
Të përqafoj
Pier Paolo Pasolini


“Ti je si një gur i çmuar që copëtohet dhunshëm në mijë copa, për t’u rindërtuar me materialin e poezisë.” Kumton me solemnitetin e trishtë të një shpirti që sheh përtej shpërthimit të dritës.
Kjo është esenca e artit, të coptohesh për t’u bërë më i tërë; të humbasësh veten për t’u ringjitur në një formë më të lartë të vetes; të vuash që e vërteta jote të marrë dritë të barabartë me peshën e shpirtit.
Callas e kuptoi këtë, por e ndjeu mbi mish. Pasolini e kuptoi po aq, por e ndjeu mbi vetëdije. Prandaj takimi i tyre është i shenjtë: aty ku dyshimi i njërit bëhet pasqyrë e dyshimit të tjetrit.
Ndoshta askush nuk i ka përshkruar më mirë dhimbjet e artit se Pasolini, në një fjali që përmbledh gjithë marrëdhënien e tij me Callas-in: “Çdo ditë një vezullim, dhe në fund do të kemi të tërën, të paprekur, të plotë ndriçimin tënd.”
Kjo është premtimi i artit, copëz pas copëze, dritë pas drite, deri sa e tëra të marrë formë. Por për t’i dhënë botës këtë të tërë, artisti duhet t’i falë vetes mundësinë për t’u ndier i paplotë.
Maria Callas dhe Pier Paolo Pasolini, të dy e dinin. Dhe prandaj e gjetën njëri-tjetrin. Jo si dashuri romantike, por si aleatë në betejën më të rrezikshme të artistit, betejën me vetveten.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?