“Medea” me Luiza Xhuvanin dhe Roza Anagnostin sot dhe nesër në skenën e Teatrit “Bylis” të Fierit

Tragjedia “Medea” e Euripidit për dy mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e teatrit “Bylis”, në qytetin e Fierit. Një nga produksionet më të mëdha të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ku sipas institucioni, muzika, kori, koreografia, janë të tëra të krijuara enkas, bashkë me një kast aktorësh, që si rrallëherë i kalon të 20 aktorët në skenë. Vepra shënon premierën në teatrin e qytetit të Fierit në datat 19 dhe 20 nëntor. Protagoniste në vepër, aktorja Luiza Xhuvani vjen në rolin e Medeas, për të vijuar me Roza Anagnostin, Alfred Trebickën, Viktor Zhustin, Ahmet Pashën, Gjergj Menën, Kristian Koroveshin dhe Adriana Tolka, Alesia Xhemalaj, Algiona Aga, Françeska Hysi, Julinda Emiri, Sara Smaja, Xhulia Musagalliu, Denardo Neziri, Ergys Malsia, Fritz Selmani, Ismail Shino, Mariol Aliko, Amadeus Klevent Xhizdari, Rei Lika, që sjellin “Medean” e Euripidit me regji të Dimitris Mylonas. Deri tani kjo vepër është shfaqur disa herë në skenë, por në qytetin e Fierit është për herë të parë për publiku në dy mbrëmje. Vepra është me përkthim nga Viktor Zhusti, skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, kompozitor Pavlos Katsivelis, koreograf Gjergj Prevazi dhe dirigjent kori Dritan Lumshi. Më herët, aktori Alfred Trebicka që vjen në skenë si Jason, vlerësoi punën me regjisorin grek. “Kur flitet për antikitetin dhe “Medean” e Euripidit dihet që është kryevepër e dramaturgjisë. Përpos kësaj regjisori grek Dimitris Mylonas është i nivelit të lartë. Nuk është thjesht fakti që vjen nga Greqia, por nga puna konkrete që ne kemi bërë, koncepti regjisorial, mënyra se si punon dhe e ka vizatuar të tërën, unë personalisht jam shumë i kënaqur me pjesën profesionale të tij” u shpreh aktori i njohur Alfred Trebicka. Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqendruar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit. Shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, Euripidi është i njohur si babai i tragjedisë.Tragjedia në skenëTragjedia “Medea” do të jetë në skenën e tetarit “Bylis” për publikun, me në role një kastë aktorësh të njohur. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit. Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re. Për veprën shkruhet se kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. “Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë. Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme, dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën. Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet”, thuhet mbi veprën.

SHKARKO APP