Mikja ime, ti po rilind me krijesën që po rritet në trupin tënd
Nga Albert Vataj
Jeta që është ngjizur dhe rritet në trupin tënd, është vetja jote që po rritet çdo orë dhe çdo ditë. Ajo vetvete që po rilind, po rilind për t’i dhënë botës tënde një dimension të ri, dhe jetës një kuptim më të themeltë.
Po, për të të treguar se nga shumë gjëra që kalojnë pa u vënë re, rreken të marrin formë dhe të bëhen dëshmi e diçkaje që ka lidhje me atë vetvete që merr nga ty, për të qenë vetja e një akt krijimi.
Sepse disa gjëra që nuk i shihje, sot i vëren se janë pjesë e çdoditshmërisë tënde, që në këtë akt të lartë të vullnetit të krijuesit, bëhen dhuratë që zbret nga qielli përmes shkreptimave të yjeve që ndizen në çdo qelizë të jetës tënde, që po merr nga ty jetë brenda trupit tënd.
Më parë, sigurisht që ke dëgjuar për këtë etapë kaq të rëndësishme të jetës së një gruaje, por tani që kësaj bote, sa të ndarë nga realiteti aq dhe pjesë e tij, i përket ti vetë, mendoj se është diçka krejt ndryshe nga ajo që të kanë thënë dhe ke dëgjuar. Është dhe duhet të jetë ndryshe, sepse është diçka reale që vepron mes magjepsjes dhe realitetit, për t’u kurorëzuar në një proces mëkimi të jetës me jetën tënde.
Që nga dita që vetë lajmi i ëmbël e ndryshoi shijen e jetës tënde në perceptim dhe botëkuptim, ti ke nisur se çdo të thotë, që jeta jote të rrisë një jetë që do të jetë gjithçka në jetën tënde.
Më shumë se fjalë, e gjithë kjo në ty është përjetim, është gjendje, emocion, është një mënyrë ndryshe për t’i jetuar ditët tuaja dhe për t’i dhënë vetes një arsye për të besuar te mrekullitë, po në mrekullitë që nuk zbresin nga lart, por ngjizen në trupin e një gruaje dhe rriten brenda saj, për të dëshmuar aktin e hyjshëm të vullnetit të lartësuar në mision.
Ky moment, në të cilin ti ndriçon me rrezet e dritës së diellit që ky bekim sjell në ty, do të jetë një etapë e re në të cilën hyn, është një hap i sigurt që guxon të hedhësh në një botë që është gjithnjë e më e pasigurt, gjithnjë e më e huaj për dëshirat dhe ëndrrat tuaja, të cilat ti beson t’i pasurosh me frutin e barkut tënd, me të lartin qëllim që mbruhet në zemrat e dashuruara për t’u shndërruar në një provë e këtij madhështimi.
Mikja ime, e gjithë qenia jote dhe jo vetëm ajo, e të dashurit tënd, e më të shtrenjtëve tuaj, po jetojnë me ty dhe për ty, në këtë hir të magjisë së krijimit që të ka mbushur me dritë çdo ditë që po udhëton me dhënien e gjithçkasë tënde fëmijës që rritet.
Ky, i lartë qëllim, që vjen me ty, për ty, vjen për të të treguar se meriton të bëhesh nënë, të shpërblehesh nga bekimi i një jete që rritet në trupin tënd, patjetër edhe të dëshmosh se sa e rëndësishme është të bëhesh pjesë e kësaj mrekullie.
Falënderojmë Zotin që e shprehu kaq bujarisht dashurinë e tij!
KOHA JONË SONDAZH

