Një copë histori Kosove me sytë e Homerit!
Nga Ben Andoni
Thuhet se qytetet antike greke përlesheshin nëpër mjedise agorash për identitetin e Homerit, ku sfida e retorikave të debatuesve ndodhte për lartësimin, prestigjin, trashëgiminë dhe identiteti kulturor të vetë vendit të tyre aq zulmëmadh. Platoni e përshkruan në formë sublime si njeriu që mësoi Greqinë, por historia na tregoi se figura e Homerit u shërbeu poetëve ndër shekuj, si model, peshë dhe ide.
Njëri syresh, në troje tona, poeti Agim Vinca e zgjodhi emrin e tij për titullin metaforik të vëllimit të fundit poetik, botuar në Malin e Zi në dy gjuhë, shqip dhe malazezisht, ku një antologji e tërë pjesësh poetike na shpërfaq jo thjesht Kosovën por një habitat të tërë, parë me sytë e një receptori kulturor, si vetë Vinca. Në një mori subjektesh që përfaqësojnë tema të tilla, shikon një revistim të Kosovës në kohë dhe përgjatë vështrimeve në mosha e gjendje të tij të ndryshme.
Si kronikan i pazëshëm e ka mbledhur dhe shpjeguar subjektin për ta përçuar në lëndë poetike. Etyde, poezi dhe epigrame poetike sjellin jo thjesht përfytyrimin dhe transformimin e Kosovës tek ai, por më shumë se kaq shqyrtimin e tij për ngjarjet, apo gjërat që nuk shihen.
Me një gjuhë që prodhon figuracion dhe imazh, autori e bën lexuesin të formojë mizanskena të kohëve, por edhe të shikojë evolimin e individit t’Kosovës përgjatë kohëve dhe sfidave jetësore, veç atyre të zakonshme që lidhen me rezistencën dhe mbijetesën nën regjimin serb. Ashtu si libri rrok dhe situata të tjera, ku ai nuk shmang zhgënjimet që ia vendos dilemës metafizike, si te “Perënditë”: “Lehtë është t’i besosh Zotit.\ Njeriut pak më vështirë!\ O Zot\ Ç’po ndodh me ne?!” Kur mendon se është viti 1992, cilido që ka njohuri të thjeshta për kohën e shkon ndërmend se për Kosovën po afrohen re të zeza, mbushur me vrunduj urrejtje dhe qëllime ogurzezë. Pak muaj më vonë e hap vitin me një poezi bash në ditën e parë. Dhe, titullit i jep sak atë drejtim: “E shkruar më një janar”. Çdo dekik sjell përfytyrime të një mynxyre dhe poezia e tij është aty gati për ta paraqitur. “Gdhiu dhe një vit prangash e pritjesh.\ Edhe një mot blanash pa fre.\ Çtë bëjmë me kokat që na rëndojnë supesh\ Kur koha prapë kohon pa ne.\ E zymtë Prishtina në ndërrim motesh.\ E zezë nata e gjatë pa pikë”. Ajo që do të vij më vonë për Kosovën do të jetë e tmerrshme: Plot gjak dhe një popull i tërë i përzënë, përcjellë udhëve. Ai është aty, qoftë dhe me “Vetëm hijen” nuk e pengon kurrkush përfytyrimin e poetit. “Kot e keni\ nuk mbyllet në burg poeti.\ Këtu është hija ime.\ Unë jam tej grilave”, na përçon mesazhin e vet të vetëdijes.
Në disa poezi përdor me kujdes rimën si dukuri poetike apo procedurë, që artistët e vargjeve nuk i shmangen dot shpesh gjatë krijimit poetik. Ai vetë e respekton dhe e trajton me kujdes në një sërë prej tyre. Kur do që ta ç’tensionojë situatën, hera-herës tematika e tij na del nga ngërthi i zezonës që rri mbi Kosovën dhe jep gjendjen e tij ekzistenciale, ashtu si në disa poezi përball momente të këndshme lirike, ku t’i ndjen përjetime dhe perceptime që e lehtësojnë frymën e kësaj vepre. Poeti ia jep vetes këtë mundësi sepse arti është në dorën e tij dhe ndjenjat e bukura dhe sidomos perceptimet nuk mund t’i mbartë vetëm me vete. Nëse ai ka poezinë, miqtë e tij që e ndjekin nga “Kornizë e zverdhur”, janë t’shëndrruar në kujtime, sepse vetëm poeti ka të drejtën të mbijetojë n’botë poezie si ati Homer.
Sintezën e bën në formë shumë poetike: “Vetëm aty jemi bashkë,\ në atë panonë e zverdhur të maturës.\ Ende s’i kishim rënë brisk fytyrës\ Më atë behar të gjashtëdhjetë e gjashtës.\ Tani nata bie mbi kokat tona tullace\si një parukë dimri”, shkruan. Kurse te një përsiatje tjetër poetike, atë që flet për perceptimin e moshës mbi dukuri dhe që autorit i vjen pas dekadave të tëra përvojë, përcjell një situatë në një formë shumë të thjeshtë. Nga “Soditje prej ballkonit”, nuk kundrohet vetëm fundi fizik i një njeriu, por edhe rravgimi i thellë i jetës, përcjellë si një esencë ekzistenciale: “Për një çast tërë lagjes i ra hija e vdekjes.\ Vdiqëm dhe ne të gjithë nga pak,\ burra e gra me pizhame e rrobdëshmabër,\ tek sodisnim nga lart këtë skenë makabër\ më teatrin absurd të jetës!…” Ky përshkrim gati filozofik bëhet në Prishtinë, në këtë poezi të firmuar më 6 korrik të vitit 2015. Në vitet tona, Vinca nuk ka rreshtur duke treguar, rrëfyer dhe studiuar, ashtu si ka përshtatur të gjithë regjistrat e shikimit të jetës në plane të ndryshme. Jeta e jetuar plotësisht me plot interes kulturologjik dhe filozofik e ka ndihur edhe në këtë vepër për ta na dhënë Kosovën nga sytë e tij. Një vlerësim në fund e meriton përkthyesi i njohur Smajl Smaka, për detyrën e vështirë të përkthimit poetik, gjetjes së asociacioneve të duhura dhe mbi të gjitha ruajtjen e kadencës në gjuhën e fqinjëve tanë malazezë, i cili me anën e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore në Podgoricë e ka zgjedhur këtë libër për publikun. Veçse poezia kërkon nga autori: sy për vetë Kosovën e tij dhe, këtë e zgjidh kështu në poezinë që i dha titullin këtij vëllimi: “Falmë sytë e tu\ Sytë e tu të Verbër\ H\o\m\e\r\ ta shoh\ Në sy\ Verbimin tim!”. E mjaftë shumë më tepër sesa përshkrimet dhe tekstet e gjata me analiza të vështira për jetën.
Koha.net
KOHA JONË SONDAZH

