Promovohet antologjia që zbulon të përbashkëtat mes Shqipërisë dhe Austrisë

“Austria Letrare që prej vitit 1945” titullohet libri i përkthyer nga Lindita Konomi, i promovuar dje në qytetin e Vlorës.

Në aktivitet ishin të pranishëm Shefi i Misionit në Ambasadën e Austrisë në Tiranë, Dr. Christian Steiner, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, Prof.Doc. Roland Zis, përkthyesja e kësaj Antologjie Letrare, Lindita Komani, si dhe pedagogë e studentë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli vlerësoi me nota maksimale këtë vepër që i kushtohet austriakëve të artë, të cilët para 100 vitesh ndihmuan që gjuha shqipe dhe kultura të merrnin vëmendjen maksimale.

“Austria është një nga vendet kryesore bashkë me Italinë që kanë ndihmuar për Pavarësinë e Shqipërisë”, tha Leli.

Shefi i Misionit në Ambasadën e Austrisë në Tiranë, Dr. Christian Steiner, u shpreh se ky libër zbulon të përbashkëtat mes dy popujve.

Rektori Zisi tha se libri është një antologji e rëndësishme që na sjell një pjesë të kulturës dhe të psikologjisë austriake në Shqipëri përveç vlerave të mëdha dhe në horizontin e pritjes në të ardhmen do t’i verifikojë lexuesit se ka një vlerë ekstra letrare”.

Përkthyesja Lindita Konomi u shpreh se “ky libër sjell 15 autorë që konsiderohen më të mirët që nga viti 1945 deri në ditët e sotme me veprat e tyre në prozë dhe dramaturgji. Libri ka dy boshte kryesore, një ndër to boshti historik , i cili tregon sesi përmes letërsisë mund të përpunohet materiali historik sidomos e shkuara e periudhës së Luftës së Dytë Botërore”.

Promovimi i këtij libri në këtë atmosfere festash që ka përfshirë qytetin e Vlorës në vigjilje të 28-29 Nëntorit, është një ngjarje e rëndësishme.

Austria e kulturës në Shqipëri vjen përmes muzikës, por po rritet edhe vëmendja për letërsinë.

SHKARKO APP