Skënderbeu në Absidën e Shibenikut, një ikonografi e panjohur që daton nga mesjeta sjell Heroin Tonë Kombëtar

Katedralja e Shibenikut, e ndërtuar ndërmjet shek. XV–XVI

Nga Albert Vataj
Në jehonën e thellë të kohës dhe madhëshinë monumentale të Katedrales së Shën Jakobit në Shibenik, aty ku guri ka ruajtur frymën e pesë shekujve, qëndron një figurë e gdhendur që na thërret me një njohje të beftë, fytyra e Skënderbeut. E vendosur në absidën e parë, kjo gravurë e vjetër, enigmatike dhe e pazakontë për ikonografinë dalmatine, bëhet një portë për të kuptuar jo vetëm përfytyrimin e një heroi, por edhe ndërveprimin e kulturave ballkanike gjatë shekujve XV–XVI, kur Adriatiku nuk kufizonte, por bashkonte botën.
Katedralja e Shibenikut, e ndërtuar ndërmjet shek. XV–XVI, është vetë një testament i arkitekturës që bashkon gotiken veneciane me renesancën e Dalmacisë. Që prej vitit 2000, ajo gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, jo vetëm për mjeshtërinë e konstruksionit pa llaç, por edhe për gjuhën unike të portretizimit njerëzor që pasqyron. Pikërisht kjo gjuhë e gurit ka ruajtur një imazh të pazakontë: atë që studiues të ndryshëm e lidhen natyrshëm me Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Përshkrimi i Jahja Drançollit, në një nga publimet e tij në Facebook, për gravurën e pestë është i ngjeshur me një intuitë historiko-vizuale, burri i gdhendur është i pjekur, me tipare të forta, vetulla të trasha, mjekër të gjatë dhe një mbulesë koke karakteristike, si ato që shohim në grafikat europiane të shek. XV që identifikojnë Skënderbeun. Por ajo që e bën këtë përfytyrim edhe më intriguese është krahasimi me një nga portretet më të famshme të Heroit, botuar në vitin 1466, kur ai ishte 63 vjeç.
Në gravurën e Shibenikut, figura shfaqet më e plotë, më e fuqishme, me një vitalitet që sfidon pamjet e tjera të epokës, ku Skënderbeu zakonisht portretizohet më i lodhur, me rrudha të thella dhe një sy të lagur nga mungesa e gjumit të luftës. Këtu, përkundrazi, guri ruan një figurë që ngjan si kujtesë e një njeriu ende në kulmin e forcës. A është kjo një idealizim i vetë qytetarëve dalmatinë ndaj figurës së tij? Apo një parafytyrim i hershëm i reputacionit të tij që qarkullonte në bregdetin adriatik shumë përpara kristalizimit ikonografik të shekullit XVI?
Prania e Skënderbeut në Dalmaci nuk është rastësi kulturore. Në kohën kur ai luftonte Perandorinë Osmane, Republika e Venedikut dhe qytetet dalmatine shikonin në të jo vetëm një aleat të mundshëm, por edhe një figurë simbolike të rezistencës europiane. Arkivat dalmatine, raportet veneciane dhe korrespondencat e kohës përmendin shpesh emrin e tij, herë si shqetësim për ekuilibrat e rajonit, herë si shpresë për ndalimin e zgjerimit osman.
Kështu, nuk është e çuditshme që ikonografia e tij të ketë gjetur hapësirë në mjedise të shenjta të Dalmacisë, ku arti shpesh shërbente si përkthyes i mendësive politike dhe shoqërore. Një hero që mbron Europën është gjithmonë i mirëpritur në gur.
Misteri bëhet dhe më intriguese nga fakti se në shekullin XIX, studiues kroatë zbuluan edhe dy grafika të tjera kushtuar Skënderbeut, përkatësisht në Hungari dhe Itali. Ky trekëndësh ikonografik, Shibenik, Hungari, Itali, flet për një marrëdhënie kulturore të gjerë që i ka shpëtuar shpesh narratives sonë tradicionale për figurën e Heroit. Në vend që të jetë vetëm hero kombëtar, Skënderbeu del si figurë paneuropiane, i pranishëm në hapësira që në pamje të parë nuk kishin arsye ta pasqyronin atë.
Këto gjetje sugjerojnë se imazhi i tij qarkullonte në rrjete shumë më të dendura tregtare, diplomatike dhe kulturore sesa supozojmë zakonisht. Portretet e tij, qoftë të shtypura në letër apo të gdhendura në gur, nuk lëviznin rastësisht, ato ishin shenja identitare të një mitologjie në zhvillim.
Gazmend Çitaku, në dokumentimin e tij fotografik të fundit, ka bërë të mundur që kjo figurë të rishikohet me një sy të ri. Fotografia nuk është vetëm mjet dokumentimi, por edhe akt rivlerësimi. Ajo nxjerr në pah detaje që nuk i shihen lehtë me sy të lirë, prerjen e gdhendjes, mënyrën si rrezja e dritës prek mbulesën e kokës, hijet që formojnë linjat e mjekrës.
Këto elemente na lejojnë të shtrojmë disa pyetje:
A ishte kjo gravurë një përpjekje për të përfshirë Skënderbeun në një panteon lokal të figurave të fuqishme europiane?
A ishte rezultat i një tradite të gjerë të portretizimit të heronjve të krishterë që mbronin kufirin e botës latine?
Apo një homazh i vonë, i gdhendur nga artizanë që njihnin tashmë mitin e tij të lavdishëm?
Këto nuk janë pyetje të lehta, por pikërisht këtu qëndron vlera e gravurës: ajo na detyron të rishohim mënyrën si historia ruhen jo vetëm në libra, por edhe në gurë që flasin.
Gravura e Skënderbeut në Shibenik nuk është vetëm një fakt historik; është një simbol i një ndërthurjeje kulturore që ka qenë shumë më e pasur dhe më e gjallë sesa e imagjinojmë. Ajo është dëshmi e një epoke kur Adriatiku ishte një urë e gjerë midis popujve, kur figura e Skënderbeut lundronte mbi dallgët e reputacionit europian, duke u shfaqur në vende ku rrallë do ta kërkonim.
Kësaj gravure i duhet lexuar jo vetëm imazhi, por edhe heshtja rreth saj, heshtja e shekujve që ka pritur të dëgjohet, të interpretohet, të rikthehet në ndërgjegjen tonë historike.
Në fund të fundit, ajo është një gur i vogël, por i çmuar, në mozaikun e madh të pranisë së Skënderbeut në Europë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?