“Stella Stellina”, ninulla që u bë manifest paqeje, një lutje laike për një botë të trazuar

Nga Albert Vataj

Festivali i Sanremos 2026 pati një edicion të karakterizuar nga konkurrencë e fortë dhe diferenca minimale votash, ku podiumi u përcaktua nga përqindje të ngushta dhe rivalitet artistik i lartë, një nga momentet me peshën më të madhe simbolike nuk lidhej me klasifikimin përfundimtar, por me një çmim që flet për drejtimin etik të muzikës.
Në skenën e Aristonit, Ermal Meta u nderua me çmimin “People & Planet Lab – Canzone Sostenibile” për këngën “Stella Stellina”, një vlerësim që e vendos krijimin muzikor në raport të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë shoqërore dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Axhendës 2030.
I promovuar nga ASviS në bashkëpunim me RAI Radio dhe TIM, ky çmim nuk matet me parametrat klasikë të industrisë, klikime, transmetime, renditje, por me aftësinë e një kënge për të promovuar mesazhe sociale, drejtësi, paqe dhe ndërgjegjësim qytetar, si përmbushje e misionit të artit.
Juria theksoi se “Stella Stellina” i jep zë më të pambrojturve dhe përçon një mesazh universal paqeje, në përputhje me Objektivin 16 të Kombeve të Bashkuara, ndërtimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Kjo e zhvendos këngën nga territori i spektaklit drejt hapësirës së reflektimit kolektiv.

Sanremo 2026 - Ermal Meta canta Stella stellina

“Stella Stellina”, erdhi si një ninull për një botë të trazuar. Në interpretimin e Metës, kjo metaforë bëhet figurë e brezave të rinj që rriten në një realitet të mbushur me konflikte, migrime dhe pasiguri.
Kënga ndërtohet si një lutje laike, jo një protestë poteris, por një thirrje e qetë për të mos braktisur humanizmin. Ylli bëhet simbol i shpresës; nata – metaforë e rrezikut; drita – përgjegjësi kolektive.
Në planin estetik, Meta zgjedh një gjuhë të thjeshtë, por të ngarkuar me simbolikë, duke ndërtuar një balancë midis poezisë dhe ndërgjegjes civile. Këtu qëndron forca promovuese e këngës: ajo nuk imponon, por fton; nuk akuzon, por ndërgjegjëson.
Në një festival ku fituesi zyrtar shpallet nga votat dhe përqindjet, Meta nuk mori trofeun tradicional të vendit të parë. Megjithatë, çmimi që ai fitoi ka një tjetër dimension: ai konfirmon se arti mund të jetë instrument formimi dhe vizioni për të ardhmen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky vlerësim u bë edhe më domethënës përmes përfshirjes së të rinjve nga një shkollë gjithëpërfshirëse në procesin e vlerësimit – një gjest që e vendos kulturën në dialog me brezat që do të trashëgojnë botën për të cilën flitet në këngë. Muzika, kështu, shndërrohet në laborator bashkëjetese.

Swiss Digital Mobile Reklama

Arti si akt përgjegjësie

Profili autorial i Ermal Metës ka qenë prej vitesh i ndërtuar mbi ndërthurjen e autobiografisë, ndjeshmërisë sociale dhe kërkimit estetik. Me “Stella Stellina”, ai nuk konkurron me spektaklin, por me kuptimin. Nuk kërkon vetëm duartrokitje, por reflektim.

Në këtë kuptim, çmimi “People & Planet Lab – Canzone Sostenibile” nuk është thjesht një dekoratë e radhës në karrierën e tij. Është një deklaratë se muzika mund të promovojë paqen, të mbrojë më të brishtët dhe të artikulojë një vizion për një shoqëri më të drejtë.

Sepse ndonjëherë, fitoret më të mëdha nuk maten me vendin e parë, por me ndikimin që një këngë lë në ndërgjegjen e kohës së vet.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?