Teatrit Migjeni i akordohet titulli “Nderi i Kombit” për 70 vjetor

Festa e 70-vjetorit të teatrit “Migjeni” si teatër profesionist, ngjiti në skenë plejadën e aktorëve që ndër vite kanë luajtur në këtë skenë dhe ata që vijojnë të jenë pjesë e trupës së këtij institucioni.

Nderi i kombit Tinka Kurti dhe Roza Anagnosti, ngritën në këmbë një sallë, që mes duartrokitjesh priti me emocione dy ikonat e teatrit dhe kinematografisë.

Ditëlindja u bë edhe më e veçantë kur në emer të presidentit të Republikës, teatrit “Migjeni” ju akordua titulli i lartë “Nderi i Kombit”, i pari institucion në vend që merr një vlerësim të tillë.

Emocionet dhe lotët nuk i fshehu në këtë ditë, drejtoresha e institucionit Rita Gjeka, ndërsa mori në duar këtë vlerësim.

Vlerësime të shumta erdhën në këtë feste edhe për ata që kontribuan ndër vite në këtë tempull, mes tyre ata që jetojnë e të tjerë që kanë ndërruar jetë por duke lënë pas një emer e kontribut të madh për artin shqiptar.

“Mjeshtër i Madh” ju akordua:Drande Xhaj, Ymer Bala, Bashkim Alibalit dhe pas vdekjes Vitore Nino, Jolanda Shala, Fatbardh Smaja dhe Vitor Bruçeti, ndërsa “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Fadil Krajës, Serafin Fankos, Lec Bushatit dhe Ndrekë Prelës pas vdekjes.

Për të pranishmit u shfaq në mbyllje dokumentari kushtuar 70-vjetorit të teatrit dhe një video mapping me imazhet e artistëve të medhenj të skenës, që lartësuan emrin e artit shqiptar.

Ishte nëntori i vitit 1949, kur teatri i Shkodrës do të merrte statusin e një teatri profesionist. Plot 70 vite më parë kjo ngjarje e rëndësishme për kohën, do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve të një institucioni që mbi supe ka 140 vite jetë artistike.

SHKARKO APP