11 shtator 2001, sulmi terrorist mbi Kullat Binjake dhe Pentagon, ngjarja që ndryshoi një herë e përgjithmonë botën

Nga Albert Vataj
Kanë rrjedhur vite, por ajo ditë nuk është larguar kurrë nga kujtesa e njerëzimit. Ajo mbetet si një plagë e hapur në ndërgjegjen e botës së qytetëruar, një çast që goditi me rrufeshëm tmerrin e vet, si një parathënie e një apokalipsi të paralajmëruar. U godit zemra e SHBA-ve, zemra e demokracisë, zemra e besimit tek mundësia e një parajse tokësore. Sot, në këtë përvjetor të tragjedisë amerikane, përulemi me nderim për jetët e flijuara në themelet e asaj zgafelle vdekjeje, në atë klithmë universale frike, pasigurie dhe paniku që përfshiu botën.
As Dante Aligeri nuk do ta kishte guxuar të përfytyronte një skaj të tillë të ferrit në Komedinë Hyjnore. As ai që shpiku vetë ferrin nuk do ta kishte ngjizur dot një cak kaq të errët e kaq të tmerrshëm sa ai që përjetuan ata fatkeqë të 11 Shtatorit. Zërat e tyre përgjërues u dëgjuan vetëm nga vdekja. Zjarri, hiri, klithmat dhe frika e asaj dite e ulën njeriun modern në gjunjë. Paqja u shua. Vetëbesimi u thërrmua. Dhe ëndrra për parajsën u vra.
Çdo ferr tjetër mbi këtë tokë është veç një përfytyrim periferik krahasuar me atë ditë të errët që goditi Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Ata që e panë, ata që e jetuan, nuk mund ta përshkruajnë dot. Nuk mund ta rijetojnë. Nuk mund ta shuajnë. Sulmi mbi Kullat Binjake dhe Pentagonin ishte më shumë një mirazh fantashkencor sesa një realitet i prekshëm. Edhe sot, pas kaq vitesh, ka njerëz që ende nuk e besojnë atë që ndodhi. As imagjinata më e shfrenuar nuk do ta kishte parashikuar një dhunim kaq brutal të një prej simboleve më të ndritura të qytetërimit modern.
11 Shtatori mbetet një pikë kulmore në historinë e SHBA-ve dhe të mbarë njerëzimit. Ai lëkundi ekuilibrat botërorë dhe e hodhi botën në një epokë të re, të panjohur. Edhe sot, tronditja nuk është fashitur. E kujtoj si i shastisur, duke ndjekur raportimet televizive, duke dyshuar në realitetin e asaj që po ndodhte. Ishte një goditje ndaj vetë zemrës së shpresës.
Përkujtimi i kësaj ngjarjeje nuk është thjesht një lutje për viktimat, por një thirrje për të tashmen. Një kujtesë për themelet mbi të cilat kemi ndërtuar ëndrrat tona, ardhmërinë e fëmijëve tanë. E shkuara është një memuar që na zgjon me makthe dhe na shkatërron dëshirimet.
Kur përpiqesh të bashkosh copëzat e asaj dite, rrekesh të rijetosh të pamundurën. Fryma të merret nën peshën e asaj shastisjeje, ndërsa tymi dhe pluhuri i rrënojave mbajnë gjallë aromën kudërbuese të vdekjes. Dhe ti përpiqesh ta lësh pas, por e tashmja nuk të lejon. Ajo të kujton, të rikthen, të përball.
Bota nuk është më ajo që ishte. SHBA-të nuk janë më siç i kishin ndërtuar. U goditën aty ku nuk e prisnin. U gjunjëzuan, për të kuptuar se edhe mitet bien, edhe parajsat shemben. 2996 jetë u flijuan—mes tyre pasagjerë, zjarrfikës, policë, civilë nga 70 kombësi. Një theror për transformimin e botës.
Civilizimi modern ka ndryshuar. Frika, pasiguria dhe dyshimi janë bërë vetëdija e kohës. Njeriu ka humbur aftësinë për të sunduar parajsën që vetë ndërtoi. E shkuara na cyt me përfytyrime të frikshme. E sotmja, pa nxjerrë mësime, vazhdon të lërojë me kafka rrugën e bashkëjetesës.
Paqja dhe siguria dhanë shpirt bashkë me ata që u flijuan. Terrorizmi e gremisi botën në një spirale paranoje. Askush nuk beson më tek askush. Çdo avion i rrëmbyer është një çelës që hap portën e ferrit. 11 Shtatori është një vragë në tru të njerëzimit, një plagë që nuk shërohet.
Shoqëria njerëzore përpiqet të nxjerrë mësime, të rikthejë shpresën, të rizgjojë energjinë e jetës mbi gërmadhat e apokalipsit. Por kjo është një përpjekje e vështirë. Realiteti e dëshmon: përballja me ISIS, aleancat e brishta, udhëkryqet e demokracisë. Megjithatë, SHBA-të vijojnë të luftojnë për të rikthyer besimin, për të ndërtuar një botë ku bashkëjetesa të jetë e mundur. Për disa kjo duket e pamundur. Por për ata që përpiqen, nuk ka mjaftueshmëri. Ka vetëm përkushtim.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?