1 tetor 1913, përvjetori i ardhjes në jetë i revistës “Hylli i Dritës”, të parit yll që driti me shpirtin e dishepujve të penës dhe parmendës së dijes

Albert Vataj
Në kalendarin e historisë shqiptare, data 1 tetor 1913 mbetet e gdhendur si një ditë themelimi kulturor e shpirtëror, dalja e numrit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, organi i françeskanëve shqiptarë, por edhe i gjithë mendimit të lirë e të përkushtuar ndaj kombit, ndaj më të lartit qëllim, promovimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave që udhëprijnë të gjithë ata që kombin dhe obligimet ndaj tij i morën, i trajtuan dhe i vlerësuan si amanet i të parëve.
Themeluesi i saj, At Gjergj Fishta, i vuri revistës emrin “Hylli i Dritës”, duke e lidhur simbolikisht me agun e qytetërimit të Shqipërisë së sapolindur, duke i mëkuar këtij pagëzimi vezullimin e atij shkëlqimimi, i cili vinte jo vetëm të lajmëronte zgjimin, por edhe të tubonte në dëshirime ëndërrtare shpirtrat e etur për dije dhe dritë, ata që do të prinin interesat dhe aspiratat e kombit në udhën e përndritur të shpërfaqjes së vlerave dhe përkatësive identitare.
Në një shkrim programatik ai shënonte: “E kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë, “Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet, se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë” (H.D. I. 1913, 4-8).
Revista nuk ishte thjesht një organ kulturor; ajo u shndërrua në pasqyrë të lavdishme, por edhe të dhimbshme të historisë shqiptare, duke u rreshtuar hapur në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave kombëtare. Kjo guximtari e saj çoi në ndërprerjen e menjëhershme pas numrit të parë, vetëm një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe në prag të Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë, “Hylli i Dritës” nuk u shua. Ai rifilloi botimin në maj të vitit 1921, duke u bërë një tribunë e rëndësishme e mendimit kulturor, politik e letrar shqiptar. Heshti sërish nga nëntori i vitit 1944, kur Shqipëria ra nën regjimin komunist, dhe u rikthye vetëm në nëntor 1993, nën drejtimin e At Zef Pllumit, një prej françeskanëve të mbijetuar nga persekutimet. Në atë periudhë të re, revista arriti përsëri lartësinë e saj tradicionale, krahas revistës tjetër madhore të jezuitëve shqiptarë, “Leka”.
Pas disa vitesh të lulëzimit të saj, “Hylli i Dritës” u detyrua të mbyllej më 1997, për të rifilluar botimin në vitin 2006, gjithnjë nën kujdesin e Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” të Shqipërisë.

1 tetor 1913, përvjetori i ardhjes në jetë të revistës Hylli i Dritës, të parit yll që driti me shpirtin e dishepujve të dijes_Albert Vataj
“Hylli i Dritës” mbetet jo vetëm një dëshmi e guximit intelektual e kombëtar të françeskanëve shqiptarë, por edhe një flamur i përhershëm i kulturës shqiptare, që ka ditur të ringjallet e të qëndrojë, pavarësisht mbylljeve, ndalimeve e përndjekjeve të kohës. Në çdo rikthim të saj, ajo ka sjellë me vete një fjalë drite dhe një thirrje shprese, duke mishëruar atë vizion fishtian se ditë më të mira kanë për t’i ardhur Shqipërisë.
Që në numrin e parë, revista u pozicionua hapur në mbrojtje të të drejtave kombëtare. Ky guxim e bëri që ajo të mbyllej menjëherë, në një kohë kur pavarësia e shpallur në Vlorë ishte ende e brishtë, dhe Shqipëria kërcënohej nga copëtimi e Lufta e Madhe. Megjithatë, në heshtjen e dhunshme që pasoi, “Hylli i Dritës” mbeti si një fjalë e paplotësuar, një dritë e penguar që priste të ndizej sërish.
Dhe ajo dritë u ringjall, sepse zjarrin i saj ishte i mishëruar në shpirtin prej Feniksi të çdo intelektuali dhe patrioti shqiptar. Në maj 1921, revista rifilloi botimin, duke u bërë platforma më e rëndësishme e mendimit kulturor e politik të kohës, deri në ndërprerjen e re më 1944, kur diktatura komuniste mbylli çdo frymëmarrje të lirë. Pas gati gjysmë shekulli heshtjeje, ajo u ringrit më 1993 nga duart e lodhura, por të pathyeshme të At Zef Pllumit, i cili i dha “Hyllit” një jetë të re, duke e vënë krah për krah me “Lekën” e jezuitëve si dy maja të mendimit shqiptar të krishterë e kombëtar.
Por “Hylli i Dritës” është më shumë se histori botimesh. Ai është një simbol i mbijetesës shqiptare. Ndërprerjet, ndalimet, persekutimet e shumta nuk arritën ta shuajnë. Si një yll që duket e zhduket ndër retë, por asnjëherë nuk shuhet, ai ka ditur të rilindë, herë në 1921, herë në 1993, herë në 2006, gjithnjë duke rifilluar misionin e vet. Sepse fjala, mendimi dhe dritimi që penat mëkuan përmes saj, bënë që drita e atij Hylli të agimtë të shndrij.
E nëse sot kthehemi pas, nuk kujtojmë vetëm një revistë. Kujtojmë një univers kulturor e kombëtar që frymëzoi e vazhdon të frymëzojë, një thirrje e thekshme e shpirtit kombëtar që mblodhi zërat dhe zemrat, penat dhe parmendat, ëndrrat dhe vullnetet, për t’i shndërruar ata në diell të agimeve shqiptare, atëherë motit e tash sodit. Kujtojmë, kësokohe e kësaj ndërmendje edhe të hyjtin fjalën e mendim, At Gjergj Fishtën, por edhe ata që e pasuan, krejtata që ju bashkuan këtij vargani të gjatë të lajmësve, kujtojmë të gjithë ata, ata që nuk u pajtuan me errësirën, dhe që e besuan se një komb i vogël mund të mbijetonte, vetëm duke u ushqyer me dritën e kulturës e të fesë, të pasurimit të vetëdijes përmes thesarit; etnografik, historik, arkeologjik, linguistik, krejt gjënezës sonë atropologjike, atyre që vinin në këtë kushtrim për të blatuar shpirtin e madh atdhetar me pasionin dhe përkushtim, devocion dhe sakrificë.
“Hylli i Dritës” është dëshmi e gjallë se kombi shqiptar nuk është ngritur vetëm mbi krahët e luftëtarëve, por edhe mbi fjalën e lirë, mbi kulturën e guximshme dhe mbi besimin se shpresa, njëherë e ringjallur, nuk shuhet më kurrë. “Hylli i Dritës” erdhi për të qenë një yllë që lajmëronte agun, dhe është edhe sot e asaj dite, një rreze në diellin e çdo shpirti që guxon dhe shndrit lindjes që na zgjon në lindje.
KOHA JONË SONDAZH

