AGSH padit GJKKO-në në Gjykatën Kushtetuese: Rregullorja kufizon gazetarët
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për pezullimin dhe më pas shfuqizimin e disa dispozitave të rregullores së re të GJKKO-së, të cilat, sipas organizatës, kufizojnë aksesin e medias në proceset gjyqësore.
Në një padi prej 127 faqesh, AGSH argumenton se rregullorja cenon lirinë e medias, të drejtën e informimit dhe publicitetin e proceseve gjyqësore. Organizata kundërshton ndër të tjera detyrimin për aplikim 24 orë përpara për ndjekjen e seancave, ndalimin e përdorimit të celularëve dhe regjistrimit audio, si dhe kufizimet për kamerat.
Kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, e ka cilësuar rregulloren si censuruese dhe ka kritikuar mungesën e konsultimit me gazetarët. Sipas tij, rregullorja prek të drejtën e medias për të informuar publikun mbi proceset në GJKKO.
AGSH kundërshton gjithashtu kompetencat e Këshillit të Gjykatës për të vendosur kufizime ndaj personave jashtë strukturës së saj, si dhe faktin që rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare.
Rregullorja hyri në fuqi më 1 shtator. Pas kësaj, GJKKO mbylli edhe grupin e mëparshëm në WhatsApp për njoftimet ndaj gazetarëve dhe krijoi një grup të ri vetëm për të akredituarit. Shumica e gazetarëve që ndjekin rregullisht seancat kanë refuzuar procesin e akreditimit, duke kundërshtuar edhe kërkesën për deklarimin e të dhënave personale.
KOHA JONË SONDAZH

