
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri TV, analisti Andi Bushati deklaroi se përplasjet e Edi Ramës me Erion Veliajn, Elisa Spiropalin dhe figura të tjera brenda Partisë Socialiste dëshmojnë natyrën autokratike të kryeministrit, i cili nuk pranon asnjë kundërshtim ndaj pushtetit të tij.
Bushati theksoi se Rama po u jep një sinjal të qartë të gjithë atyre që guxojnë t’i kundërvihen, ndërsa refuzimi i kërkesave të Veliajt për mocion brenda PS-së dhe komision hetimor tregon se kryeministri sillet me njerëzit e tij njësoj si me opozitën.
Analiati u shpreh se përplasjet brenda mazhorancës kanë nxjerrë në pah se problemi nuk qëndron te Partia Demokratike apo kundërshtarët politikë, por te vetë Rama, të cilin e cilësoi si një autokrat që nuk njeh rregullat e lojës demokratike.
Pjesë nga intervista:
Andi Bushati: Patjetër që është kjo e fundit, pra është një sinjal që kushdo që guxon të më kundërvihet mua, qoftë me fjalë qoftë me veprime, do ketë të njëjtin fat. Por këtu mendoj unë që pyetja nuk është çfarë e frikësonte Ramën. Këtu është i njëjti Rama që ne njohim prej 13 vitesh, por i parë nga kënde të ndryshme. Pra varet ku e vë kamerën për të parë të njëjtin personazh. Në ç’kuptim? Po të shohësh dy gjëra nga Erion Veliaj. Çfarë i kërkon Erion Veliaj Ramës? Që besoj nuk kemi ndonjë mendim shumë pozitiv për Erion Veliajn edhe pjesa jonë e madhe këtu. Por çfarë kërkon Erion Veliaj? Një, i kërkoi mocion brenda partisë, politikisht, dhe personalisht i kërkoi komision hetimor për të parë persekutimin e tij në burg. Dhe këtu Erion Veliaj na shërben vetëm për një gjë: për të parë sa i hapur dhe sa i njeh Rama rregullat e lojës. Sepse po të shikosh çfarë i ka kërkuar Erion Veliaj, janë prej 10 vitesh ato që i kërkon opozita.
Çfarë i kërkon opozita? Komisione dhe mocione në parlament që Rama nuk i përfill. Mirëpo kur ia kërkonte PD-ja, Berisha, të tjerët, dukej si luftë opozitë-pozitë. Ndërkohë tani po ia kërkon një njeri brenda partisë, “delfini” i tij, dhe prapë Rama ka të njëjtën sjellje. Dhe çfarë na tregon kjo? Kjo na tregon që ndeshja e tij me opozitën nuk ishte që fajin e ka opozita apo të drejtën e ka Rama. Rama sillet po njësoj ndaj rregullave të lojës, sikur ia kërkon njeriu i familjes së tij, sikur ia kërkojnë kundërshtarët e tij politikë.
Sepse thelbi i personazhit është thelbi i një personazhi anti-demokratik, thelbi i një personazhi autokrat. Dhe në këtë kuptim kanë vlerë kërkesat e Veliajt, sepse kërkesat e Veliajt të refuzuara sot ne na ndriçojnë edhe pse nuk janë pranuar kërkesat e opozitës dje nga i njëjti njeri autokrat dhe që nuk njeh asnjë rregull loje demokratik. Dhe në këtë pikëpamje kjo është e mira e asaj që ka ndodhur gjashtë-shtatë muajt e fundit. Sepse ne prej 13 vitesh, që kur Rama është ulur në karrigen e kryeministrit, kemi pasur një ndeshje: ndeshjen e shefit të qeverisë me opozitën dhe këtu njerëzit ndaheshin, je me qeverinë apo je me opozitën. Tani Rama, përveç kamerave dhe fokusit që i ka vënë opozita tradicionale prej 13 vitesh, shihet edhe nga dy kënde të tjera: nga këndi i protestës me të cilët është treguar prapë harbut, i dhunshëm, me veshët mbyllur, i padëgjueshëm, por edhe nga këndi i familjes së tij politike.
Pra, mbase në një rast ta ka fajin PD-ja, por ty nuk mund ta ketë fajin edhe PD-ja, edhe familja jote politike, edhe qytetarët. Kur ty nga të tre kamerat dukesh që je po i njëjti, thelbi i të keqes qëndron te ty dhe jo te të tjerët. Në këtë kuptim është interesante për ta parë nga ne që nuk jemi pjesëtarë të Partisë Socialiste, sheri i Ramës me Veliajn, me Elisën, me Ndrecën e të tjerë, për të parë nga një kënd tjetër që kemi të bëjmë po me të njëjtin autokrat siç na e ka treguar këtu e dhjetë vite opozita.
