At’ Gjergj Fishta gurëthemeli më i rëndë në altarin e vetëdijes sonë kombëtare, thirrja më e zëshme e krenarisë dhe përfaqësimit

Nga Albert Vataj
Ai ishte tempull.
Ai ishte dhe mbeti kreshta më e lartë e vetëdijes dhe krenarisë kombëtare.
Ai nuk jetoi si një qenie, por si një fenomen, një erë e ngulmimeve të hovshme të mendimit dhe veprimit.
Ai erdhi për të mbetur një yjësi e shqiptarizmës.
Ai, ishte ai, ai që ende nuk ka zënë vendin e merituar, por akti i tij ka shënjuar historinë e shqiptarëve në gjithëkohësi.
Në çdo përvjetor të ndarjes së At’ Gjergj Fishtës nga jeta, kujtesa jonë kolektive përdridhet ndërmjet mirënjohjes, dhimbjes dhe përgjegjësisë. Mirënjohje, sepse ai u bë zë i ndërgjegjes kombëtare. Dhimbje, sepse mbi të ra një harresë e dhunshme dhe e padrejtë. Përgjegjësi, sepse sot na takon neve ta rilexojmë, ta riqasim dhe ta rikthejmë si busull vlerash në jetën publike dhe kulturore. Të flasësh për Fishtën do të thotë të prekësh rrënjët e vetëdijes sonë historike, të kuptosh se si një njeri, përmes fjalës, veprës dhe përkushtimit, mund të bëhet gurëthemel i identitetit të një kombi.
Me përulësi dhe respek, me përkorje dhe ngulm të epërm shëlbimi në shpirt dhe vullnete, vijmë sot në këtë përshpirtje dhe kujtesë, sot në përvjetorin e vdekjes së të madhit, At Gjergj Fishta.
At’ Gjergj Fishta ishte figurë qendrore e veprimtarisë politike dhe artistike, klerike dhe diplomatike, e jo vetëm. Roli dhe kontributi i tij në ato vende ku ai behu si një zë, ishin dhe mbeten gurthemel i rëndësishëm i vetëdijes sonë kombëtare.
E pamatshme është vepra që gatoi me pasion e përkushtim. Gjithçka që rreket të formësojë përmbledhtazi jetën dhe aktin e tij krijues, do ta kishte të pamundur ta përfshinte të gjithin në këtë përqafim dëshmimi. Ai ishte një univers, ishte një kapacitet gjithëdimensional. I lindur për të qenë një i jashtëzakonshëm, ai e ndërtoi këtë mit, pikërisht atë që na qaset sot në nevojën gjithnjë të pashterrur për ta përvetësuar si kapacitet, si vlerë dhe si një fenomen.
Pak njerëz kanë pasur fatin e At Gjergj Fishtës në të mirë dhe të keq.
Vdiq dhe u përcoll me nderime të mëdha duke lënë pas një akt të pashoq krijimi. Pak vite më pas… eshtrat ia derdhën në lumë. Dhe vjen si një gjamë harresa dhe anatema prej diktatutës komuniste. U bë çmos të shtypej me dhunë e me gjak, me frikë e me mohim çdo gjurmë yjësie që ai la. Dhe vjen demokracia.
Edhe pse i ç’burgosur nga anatema, mohi e harrimi, ende mbeti jo krejt i shpaluar, jo gjithkund i pranuar, jo gjithqysh i këtushëm.
E keqja, lëngimi, anatema i kishin ngulur thellë thonjt. E megjithatë ai mundi të rivinte si një vigan, si një zë i fuqishëm, si një e vërtetë e pamohueshme. Ai mundi të rigjente vendin e vet në zemrat që e kishin strukur dhe e mbanin të fshehur si një amanet i vetë Zotit dhe Kombit që i kishte gjithçka.
Sot, kur e kujtojmë At’ Gjergj Fishtën, nuk përkujtojmë vetëm një shkrimtar, një klerik, një politikan apo një intelektual të madh. Përkujtojmë një frymë që mbijetoi dhunës së historisë, që kaloi përmes persekutimit, ndalimit dhe shkatërrimit fizik të kujtesës së tij, por që nuk u shua kurrë. Ai u rikthye si një dëshmi se e vërteta dhe drita kulturore mund të shtypen, por nuk mund të zhduken. Le ta kujtojmë Fishtën jo vetëm me fjalë, por duke e përkthyer trashëgiminë e tij në vepra: në respekt për gjuhën, në dashuri për kombin, në guxim për të thënë të vërtetën. Vetëm kështu përvjetori i tij nuk mbetet një rit ceremonial, por bëhet një thirrje për përgjegjësi dhe dinjitet.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?