Aty, ku Skurrana e errët do të kthehet në burim drite

 për tu bashkuar më tej me Lumin e madh, Erzen të Tiranës. Skurrana etimologjikisht sjell diçka të frikshme, një skutë të errët, jehona bubullimash e kuje misterioze, e ruan në brendësi të saj legjenda e histori të trishtueshme. Aty ku përfundon thepisja e ujit të Skurranës nga një lartësi mbi 50 metra, ndodhet një pellg i madh, një mikroliqen natyral që quhet Hurdha e Zezë. Quhet kështu, jo vetëm për ngjyrën në të errët që ka uji për shkak të thellësisë së madhe të pellgut, por edhe për faktin se kjo hurdhë ka joshur në mënyrë dinake mjaft djem të rinj për tu larë dhe pastaj, u merrte jetën. Në njërën anë të Skurranës ngrihet mali i Pashkasheshit dhe në anën tjetër një shkëmb i Skuterës, me emrin Shkrepi i Sanadiellit. Këto dy faqe të thepisura lidh diga e re e liqenit që sapo ka përfunduar, duke krijuar një liqen të ri në Grykën e Rrozaverës e Kullojkës. Është e pamundur të ngjitesh e të zbresësh Rrëpirën e Sanadiellit, me lartësi mbi 500-600 metra, as me mjete alpinistësh nuk futesh dot në misteret e saj. Na këtë faqe të rrëpirë, rrëzë një lisi të lashtë ndodhet një guvë e thellë, ku bletët kanë ngritur mbretërinë e tyre prej shekujsh. Aty ka mjaltë me bollëk, krijuar prej bletëve punëtore, por askush nuk ka guxuar të vjelë atë deri më sot. Vetëm një herë, – thotë legjenda, – një djalosh trimosh i premtoi vashës së tij të zemrës, se do të zbriste deri tek guva e do të kënaqeshin të dy me mjaltin aromatik të stazhionuar prej vitesh. Vendosi të zbresë me litar deri tek gryka e guvës që të zbraste hojet e mbushura plot e të tregonte para të tjerëve, jo vetëm trimërinë e tij, por edhe bujarinë që e karakterizonte. “Mos e ndërmerr këtë veprim me rrezik, – i thanë prindërit e tij,- se ai është vend me shenjë dhe mjaltin e mbrojnë shtojzovallet”. “Mos shko- i tha dhe e dashura, mos u vij në rrezik e mos ma përvëlo mua zemrën !Nuk është për ne ai mjaltë.” Por djaloshi nuk dëgjoi askënd. Lidhi litarin e gjatë prej dhjetëra metrash në një lis buzë rrugës që shkon për në Rrozavërë dhe filloi të zbriste ngadalë e i sigurtë. U afrua tek gryka e guvës, por sapo filloi të prekte hojet e mbushura plot mjaltë, litari ku ishte lidhur, u shndërrua në gjarpër. Atëherë, djaloshi pa iu trembur syri, nxjerr thikën dhe e prêt litarin gjarpër, pa kuptuar se kishte prerë edhe mjetin që e mbante atë lidhur, dhe përfundoi poshtë në humnerë. E kërkuan prindërit dhe të afërmit , qau sa u tret për të e dashura, por nuk ia gjetën më shenjat asgjëkund. Vetëm disa ditë pas ngjarjes së hidhur, një shpend i madh, në ngjyrë të kuqërremtë e barkbardhë, sillej rrotull e lëshonte ca tinguj trishtimi. Thonë se djaloshi u shëndrrua në Kalë Qyqeje dhe çdo fillim pranvere kur kthehet qyqja nga shtegtimi, fluturon edhe ai tre ditë sipër guvës duke kërkuar qetësim shpirtnor për kryeneçësinë e djaloshit trim e bujar.                           

Tani Skurrana e ka braktisur errësirën, enigmën misterioze dhe egërsinë e dikurshme, ku përcillte rrufe e bubullima, e përfshinte në rrjedhën e saj jetë njerëzish e bimësh. Tani hapësira e krijuar në të katër anët e Skurranës, shpalos bardhësinë e ditëve të reja e të fton vetëm për dritë e jetë. Kjo digë gjigante, me gjatësi 250 metra dhe lartësi 100m, që është ngritur këtu duke bashkuar shpatet e thepisura të Rrozaverës me ato të Pashkasheshit, pret me shpatullat e saj mijëra metra kub ujë të rezervuarit e ka mbuluar qindra hektarë tokë të fshatrave Fravesh, Pashkashesh e Rrozaverë. Tani punimet kanë përfunduar, sasia e ujit vazhdon të shtohet përditë, dhe vetëm një roje sillet vërdallë në mbrojtje të ndonjë vegël pune, apo të sasisë së vogël të materialeve që kanë mbetur pa u harxhuar. Një liqen i ri do të ndryshojë jetën e banorëve të kësaj gryke.

Tokat e pushtuara nga uji, merak i përhershëm për fshatarët e Rrozaverës.

 “Ishin toka tëmira,- na thotë Nazmiu, banor i Rrozaverës, që tashmë është shpërngulur e banon në Ibë, toka dyst e gjithë homuz, që të kënaqnin me prodhim. Na i mori shteti e mirëbëri, se ky objekt me gjithë atë sasi uji që do të mbledhë, do tu shërbejë të gjithëve, por ama shpërblimi për çdo metër katror tokë, qe i paktë. Ndoshta kështu është ligji, apo spekuluan drejtuesit e komunës së Bërzhitës, ne s’e morëm vesh. Ndoshta të tjerë futën milonat në xhep e ne na gënjyen me ndonjë kacidhe. Por, bereqavës nuk na lanë pa gjë fare”. “Kjo digë e nënshtroi kryeneçësinë e Zallit të Korrës dhe të Kullojkës,- na thotë Shpëtimi, dhe uji i grumbulluar, shtrihet deri në tokat e Vërrinit të Mollagjeshit dhe Vërrinit të Korrës. Do të ketë ujë me bollëk për dritë, për për not e për gjueti peshku” Kalojmë nëpër shkëmbin e Skuterës, një rrugë tepër e vështirë, por që ka qenë një domosdoshmëri për të kaluarën, sepse nuk kishte mënyrë tjetër lidhjeje me fshatrat Korrë Kullojkë e Vakumonë. Madje edhe punëtorë nga Çermenika e largët, nga Gurakuqi e Shmili, që punonin në minierën e Krrabës, nëpër këtë rrugë të vështirë kalonin, në diell e në shi. Me krijimin e këtij liqeni, edhe problemi i transportit do të marrë fytyrë tjetër. Një pjesë e rrugës do të rikonstrukturohet buzë liqenit, kurse për të shkuar deri në fshatrat e komunës së Funarit, si Mollagjesh e Cërujë, do të përdoret edhe transporti me barkë apo traget të vogël. Tek ecim në një rrugicë të ngushtë në rrëpirën Shpellës së Madhe të Skuterës, dhe i afrohemi digës së sapo përfunduar, Osmani një banor i Skuterës na tregon: “Ja këtu sipër është ajo që quhet Rrasa e Madhe e Skuterës. Këtu pushtuesit serbë, më 1911, pushkatuan 16 burrat më të mirë të fshatit. Deshi ta nënshtroi me dredhi serbi fshatin, por nuk ia arriti dot. Kur u futën forcërisht nëpër shtëpitë e banorëve e nxorën edhe fëmijët e djepit jashtë, e të qarat e kalamajve e klithmat e grave u bënë të padurueshme, burrat e fshatit rrëmbyen armët dhe qëlluan mbi ta e vranë dy nga oficerët e tyre. Natën si hiena, serbët sy skuqur, u futën nëpër shtëpi, morën forcërisht 16 burra e midis tyre edhe gjyshin tim dhe ca i pushkatuan dhe ca i therën e i hodhën poshtë në greminë. Ndoshta atëherë doli edhe ajo kënga e dhimbshme që këndohet edhe sot në këto anë:                     “ Ke leu dilli, pernoi hana/ theren burrat si kurbana/varë në qarra e var në mana .”- E mbyll bisedën Osmani dhe shtyp me këmbë gjysmë cigaren e hedhur në tokë. Uji i këtij rezervuari do të përdoret fillimisht si ujë i pijshëm, pastaj gjatë rrjedhjes së tij do të ngrihen diga për shfrytëzimin e këtij uji për prodhimin e energjisë elektrike.Fundi tjetër i digës është lidhur nga ana tjetër me një rrugë të re, që ka çarë faqen e malit të Pashkasheshit , kalon nëpër kodrat e Pëllumbasit dhe zbret deri poshtë në Ibë.

Shpresa tek diga

Jeta në këto fshatra të largëta ka plot probleme e shqetësime, që nga nxjerrja e prodhimeve në treg e deri tek shërbimi shëndetësor që është tepër i paktë. Por ata sikur e kanë bërë një betim: “Kemi vështirësi, por ne prapë do të qëndrojmë në trojet, ku kanë lindur të parët tanë!”. Nga Vakumana, Fagu, Kullojka vërtet janë larguar shumë familje, por ama ka edhe nga ata që po rikthehen e po ngrenë shtëpi të reja për pushime, ose lokale për biznese. Provë e kësaj nuk janë vetëm dy klubet e ngritura prej kohësh në qendër të Kullojkës, por edhe dy lokale të bukura biznesi, njeri në qendër të Fraveshit e tjetri në qendër të Kullojkës. Vera e freskët dhe dimri me shkëmbinjtë e ahet mbuluar nga dëbora, kafshët e egra që shëtisn nëpër dëborë, janë diçka e këndshme, përherë joshëse.  “Por ne kemi shumë besim se gjërat do të ndryshojnë për mirë për këtë zonë-na shprehet Mehdiu, tek po ndahemi me të gjithë ata që na shoqëruan në këtë ditë të bukur tetori. Kemi shpresë edhe tek liqeni që u krijua nga freri që iu vu Skurranës, sepse do të kemi më shumë ujë për vaditje, dotë shkurtojmë mjaft transportin e mbi të gjitha do të kemi më shumë dritë.Besojmë se e ardhmja ndryshe nuk do të jetë shumë e largët”.                                         Tek zbresim të tatëpjetën e Vakumonës, shohim një burrë që nga lartësia e një qarri gjigant, pret degët e dushkut për të siguruar ushqimin dimëror të bagëtisë. Dy të tjerë me pendën e qeve përpara grishin ata që të ecin më shpejt, parmenda më thellë e të mbarojnë në kohë mbjelljen e grurit. Punë e lodhshme dhe e vështirë. Sa vuajnë këta njerëz, kafshët e punës- themi për një çast, por këtë mendim na e largon një zetor që plugon më tej e kur shohim të zbarkojnë furgonat me mall e njerëz në qendër të Kullojkës. Pra tek këta njerëz shpresa për ndryshim nuk shuhet kurrë. Mekanika e re që po depërton, ndihma e pakursyer e qeverisë, ngritja e liqenit të Skurranës dhe mbi të gjitha solidariteti me njeri-tjetrin, i bën shpresëplotë për një të ardhme edhe më të mirë që i pret.

SHKARKO APP