Autizëm
Nga Artan Fuga/
Hyrja e tij e papritur në kafenenë e lagjes nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e të gjithë klientëve.
Nuk e prisja as unë ta shihja atje.
Një lloj befasie më bëri ta ndaloja në ajër për disa sekonda parakrahun bashkë me dorën e djathtë që mbante në majë të gishtave filxhanin e kafesë. Ia ngula vështrimin fort, paturpësisht, duke përfituar nga fakti se ai nuk shihte askënd në sy. Përkundrazi, shprehte një farë paniku dhe hutimi të pakuptueshëm duke vështruar objekte pa rëndësi mbi kokat e njerëzve. Në fakt, kjo lloj ndjenje e bezdisshme kap gjithkënd që nis të hyjë në një lokal të mbushur plot me njerëz.
Po ndiqja me kujdes të gjitha lëvizjet e tij.
Ajo është një kafene e çuditshme, nga ato që ka plot në Tiranë, ku edhe mund të quhet se ke hyrë por edhe mund të mos quhet kështu. Atje edhe mund të hysh, por edhe mund të mos hysh fare e përsëri ta pish po njësoj kafenë a të porosisësh gjithçka tjetër që mund të duash.
Kafeneja është e ndarë në fakt në tre pjesë. Fillon me një si lloj oborri të vogël që e lidh atë me trotuarin përballë. Të dielën në mëngjes atje pijnë kafe pensionistë që dikur kanë mbajtur poste të larta shtetërore. Syri të sheh tavolina rreth të cilave janë vendosur sipas disa formave të çrregullta karrige plasmasi. Pastaj, më tej, gjendet një sallë përherë e mbushur me tym ku mund të quhet vërtet se ke hyrë diku, por vetëm pasi ngjit nja katër a pesë shkallë në formë spiraleje. Atje bën ngrohtë, mjedisi është intim, vetëm se ka shumë çifte të reja që puthen pa pushim, ndaj dhe të duket vetja i tepërt midis tyre. Ndihesh me turp, sikur je bërë pa dashje një lloj psikopati që del nga kodrat e liqenit artificial vetëm për të parë si bëjnë dashuri të tjerët. Së fundi, brenda një si kati të nëndheshëm ndodhet një ambient i tretë i lezetshëm, në të cilin, veç faktit se mund të lexosh gazeta të ditës a libra të ndryshëm, ke të drejtë edhe të konsumosh pije a ushqime njësoj si në ambientet e tjera.
I sapoardhuri hyri ose më mirë të themi ndenji, pra, në atë oborrin e përparmë të kafenesë, tamam ngjitur me trotuarin e rrugës që kalon anash saj.
Ndofta pikërisht ky fakt bëri që të ndodhë edhe ajo ngjarje pa zë që përshkruhet këtu.
Po mendoja se cili është ky njeri që pasi doli nga një autoveturë e madhe, hyri në një kafene si kjo e jona që ndonëse ka magjinë vet, s’është megjithatë as si ato të hotelit “Sheraton” dhe as si ajo e hotel “Rogner”–it.
Që prej asaj dite nuk e kam parë më aty.
Diku e kisha fiksuar atë njeri.
Isha i sigurt se kisha përpara një personazh publik.
Kostumi i tij ishte pothuajse pa asnjë rrudhë dhe shumë i shtrenjtë. Këpucët e zeza i shkëlqenin që atje tutje dhe s’kishin asnjë grimë pluhur. Kuptohej se sapo ishin veshur. Mbi flokë i shkëlqente një brilantinë e lehtë, e cila nuk i linte asnjë qime floku t’i lëvizte. Edhe qethja ishte e përkryer tek ai njeri. Jaka e këmishës – si prej mermeri – ngrinte e mbërthyer nga një kravatë e gjatë që i zbriste deri te rripi i pantallonave.
Kishte një pamje të jashtme të përkryer, të modës, pa asnjë defekt, prej manekini, nga ata që pasi i veshin me kujdes në magazinat e dyqaneve të luksit, i tërheqin rrëshqanthi nëpër depo duke i mbajtur për krahësh sepse, sikurse dihet, ata nuk ecin dot vetë, dhe pastaj i nxjerrin në vitrina duke i vendosur në pozicione të ngrira, disi qesharake.
Qyqja, më trembi, kishte thënë një ditë komshija ime tiranase, duke parë njërin nga këta manekinë të vendosur këmbë mbi këmbë në vitrinën e një butiku luksoz aty te rruga “Myslym Shyri”.
Mu duk si njeri – shtoi pas pak.
Asnjë të sharë për pamjen e tyre të jashtme.
As për sjelljen.
I sapoardhuri ecte me shumë kujdes sikurse të kishte ndrojtje se mos i rëndonte më shumë se ç’duhej tokës me çapin e tij. I erdhi rrotull tavolinës më të afërt, ngjitur me trotuarin përballë, ndarë prej tij nga një rresht pemësh a shkurresh dekorative, me gjethet gjithë pluhur, tërhoqi pa zhurmë një nga karriget prej plasmasi dhe u ul mbi të lehtë dhe me delikatesë.
Shoferi i autoveturës që e solli u ul pranë tij dhe diçka filloi t’i thoshte duke i pëshpëritur në vesh.
Dukej që larg se midis tyre kishin jo pak afërsi.
I sapoardhuri zgjaste veshin drejt gojës së shoferit që lëvizte pareshtur buzët duke i mbuluar ato përgjysmë me pëllëmbën e dorës, a thua se kishte frikë se mos nga lëvizjet e tyre, klientët e tjerë të asaj kafeneje do ta kuptonim se çfarë po i thoshte ashtu tinëz shefit të tij.
E lashë në mes përpjekjen për të sjellë në kujtesë se cili ishte emri i të sapoardhurit. E dija mirë se ishte dikush që e kishte fituar statusin e tij publik nëpërmjet zgjedhjeve. E kisha parë duke debatuar në studio televizionesh, duke folur para një publiku të mbledhur në sheshe elektorale apo nga presidiume mbledhjesh solemne e tribuna mitingjesh zgjedhore.
Nuk më ishte dukur se ishte paraqitur keq. Të paktën
tregohej i matur, i sjellshëm me kundërshtarët e tij, muskujt e fytyrës nuk i tendoseshin kur fliste, mbi të gjitha nuk shprehte shenja të dukshme histerie që vështirë se mund të evitohen kur mban fjalime përpara turmave. Mund të ishte ndofta ndonjë anëtar i ri i akademisë shkencore, ndonjë këshilltar i ri qarku, ndonjë deputet i porsazgjedhur, apo anëtar i ri bordesh, mbase ndokush që sapo kishte fituar titullin profesor, a dikush tjetër.
Nuk e di.
Diku e kisha parë sidoqoftë, duke kryer publikisht aktin e turpshëm të mburrjes të cilësive të vetvetes.
S’më kujtohej për kiamet se përse kishte bërë fushatë ai njeri apo përse ishte bërë i njohur në sytë e mi. S’ishte e rastit. Asnjëherë nuk kam mundur të lidh fytyrën e ndonjë artisti a shkrimtari të parë në televizion a nëpër revista, me emrin e tij.
Pasi u binda se përpjekja ime nuk do të sillte asnjë rezultat, e hoqa mendjen fare që andej dhe nisa të rrufis kafen me thithje disi të gjata e me zhurmë nervozuese për ata që rrinin rrotull. E gëlltisja me shije, ndonëse ishte ftohur shumë.
Ngadalë fillova të hedh vështrimin nga klientët e tjerë të atij oborri të vogël.
I sapoardhuri, bashkë me drejtuesin e autoveturës që e solli, ishin me fytyrë dhe po vështronin nga trotuari përballë. I kishin kthyer krejtësisht shpinën klientëve të tjerë. Kamerieri shkoi pranë tavolinës së tyre dhe diçka iu shërbeu. Shoferi komunikoi me të duke i dhënë paratë, kurse shefi i tij as nuk e ktheu kokën për ta parë njeriun e shërbimit që qëndronte në këmbë sipër kokës së tij. U duk se nuk e vuri re fare ardhjen dhe largimin e kamerierit.
Sytë i kishte përhumbur tutje në thellësi të rrugës dhe vështrimi dukej se i përplasej mbi murin me tulla të kuqe, të pasuvatuar ende, të godinës në ndërtim e sipër të pallatit
– 333
përballë, një karabinaje prej tetë a dymbëdhjetëkatëshe.
Klientët e tjerë pas kurrizit të të sapoardhurit, pasi e vëzhguan për disa sekonda radhazi me një kureshtje të veçantë, ia rinisën bisedave të mëparshme duke krijuar një kaos vështrimesh, fjalësh dhe zhurmash.
Gjithçka nisi të kthehej në normalitet.
Shoferi vazhdonte ama gjithë kohës të murmuriste gjëra të fshehta te veshi.
Por, pikërisht atëherë, ndodhi diçka që i dha një gjallëri të re klientëve duke e fokusuar interesimin e tyre në një pikë të vetme. Përballë të sapoardhurit, atij që kishte fituar një fushatë zgjedhore si akademik, këshilltar, deputet a anëtar bordi drejtues, tamam mbi trotuar, përtej bordurës me shkurre të pluhurosur, kishte ndaluar një njeri.
Ishte aty afër të gjashtëdhjetave. Ndofta më shumë ose edhe më pak. Nuk e tregonte lehtë moshën e vërtetë sepse dukej shumë i rrëgjuar nga jeta. Veshur në mënyrë shumë modeste, pothuajse keq. Nga brezi i pantallonave në ngjyrë blu, të pahekurosura dhe plot njolla të bardha, pantallona të vjetra a të blera të përdorura te tregu i gabit, dilte një cep këmishe fanellate që i zgjatej deri diku aty midis rrëzës së kofshëve.
Ishte i parruar.
Qimet e mjekrës kishin ngjyrën e flokëve të tij të paqethur, të palarë, të pakrehur. Ishte një burrë me flokë në të verdhë, por të zbardhura ndofta nga dielli a nga mungesa e lëndëve ushqyese në gjak. Kishte plot thinja. Dihet se kur thinjen leshverdhët, floku i tyre merr një pamje edhe më të çuditshme se kur thinjen zijoshët. Duart dhe këmbët i dridheshin paksa. Mund të thoshe për të se ishte paksa i dehur, ose shfaqte një nervozizëm që i dilte në gjymtyrët e lëvizshme, në gishtat e duarve që i dridheshin apo në këmbët e hapura që dukej sikur vallëzonin sipas një ritmi paradoksal, por që e lejonin gjithsesi të ekuilibronte
Ngjarje pa fjalë
334 – Artan Fuga
animet e tij sa majtas-djathtas.
Gati dukej se po rrëzohej.
Sytë e tij ishin flakërimë. Ia kishte ngulur ato të sapozbriturit nga autovetura luksoze e që tani pinte qetësisht kafen e tij, ulur te tavolina ngjitur me trotuarin. Të dy personazhet ndaheshin prej njëri-tjetrit ndofta nga dy e shumta tre metra distancë.
Njëri prej tyre ndodhej në rrugë, mbi trotuar, pas gardhit me shkurre, tjetri qëndronte i ulur në kafene, përkëtej shkurreve.
Njeriu mbi trotuar u kthye krejtësisht në drejtim të të sapozgjedhurit të veshur e krekosur si një manekin.
Sytë iu mbushën me shpresë dhe me gëzim, përse jo edhe me një dritë plot respekt e admirim për atë që shikonte të ulur në kafenenë në buzë të rrugës.
Ai e kuptoi se i uluri në kafene nuk e kishte parë dhe prandaj filloi të bënte çmos për t’i tërhequr vëmendjen, pa guxuar megjithatë ta kalonte gardhin, atë kufi të pluhurosur, për t’u afruar tek tavolina e njeriut që po e shihte gjithë admirim.
Nisi të komunikonte në distancë, pa fjalë, me gjeste, duke kryer lëvizje të çuditshme që dukeshin se bënin pjesë në vallen e këmbëve të tij të dridhura nga alkooli apo nga uria.
Donte me çdo kusht të tërhiqte drejt vetes vështrimin e të ulurit në kafene që e mbante gjithë kohën veshin e djathtë ngjitur me buzët e shoferit të tij, një djalë i ri ky, i veshur shik edhe ai, me një celular luksoz në duar.
Njeriu mbi trotuar në fillim ngriti dy krahët përpjetë në formë «V» – je dhe nisi t’i lëvizte pëllëmbët sa majtas-djathtas, sipas një farë pozicioni vertikal me parakrahët e palëvizur.
Dukej sikur po përshëndeste nga lart dikë që bëhej gati të hynte në derën e një avioni udhëtarësh, bash mu në majën e shkallares së lëvizshme. Ishte një gjest që bëhet shpesh kur përshëndetet dikush që pasi ka hipur në një
vagon treni, del në dritare për t’i dhënë një lamtumirë të fundit përcjellësve të tij.
Shoferi e ndaloi pëshpëritjen në veshin e të sapoardhurit dhe pa me habi nga njeriu mbi trotuar që dukej se po bënte një pantonimë cirku.
Përkundrazi, i sapozgjedhuri as e prishi fare terezinë.
Asnjë grimë nuk luajtën qerpikët e syve të tij.
Vështrimi i tij dukej se përshkonte tej e tej trupin e atij që e përshëndeste nga rruga, me indiferencë të plotë, dhe përplasej si më parë drejt e mbi tullat e murit të pasuvatuar të pallatit në ndërtim e sipër.
Bënte sikur nuk e njihte përshëndetësin e tij.
Jo vetëm kaq.
Dukej se e injoronte, nuk e shihte që ai ishte aty, e zhdukte atë tërësisht nga këndi i të parit.
E zhbënte me gjithë leckat e veta.
Kishte ndofta turp t’i jepte të njohur përpara klientëve të tjerë.
Ndofta nuk donte t’ia zgjaste.
Apo e kishte harruar se diku e kishte takuar, a kryqëzuar në ndonjë mbledhje, takim elektoral, pas ndonjë mitingu a ndonjë veprimtarie tjetër politike.
Njeriu mbi trotuar nuk hiqte dorë nga e tija. Fytyra i rrinte gjithmonë e qeshur, paksa tallëse, sytë shprehnin që atje tej, fare hapur një dritë shprese se nga çasti në çast ai që i drejtoheshin këto mesazhe do të zgjohej nga përgjumja dhe vështrimi do t’i fokusohej mbi fytyrën e atij që po e përshëndeste pa fjalë. Nuk guxonte t’i fliste, por me duar e me këmbë i dërgonte shenja sikur të ekzekutonte ndonjë pantonimë, aty mbi trotuar.
Pasi e uli poshtë krahun e majtë, mbajti lart vetëm të djathtin. Gishtin tregues të dorës së ngritur përpjetë e mbante lart sikur të kërkonte të merrte leje nga një mësuese e rreptë për t’u ngritur në këmbë dhe thënë mësimin a ndonjë vjershë përmendsh. E tundte lart në ajër gishtin tregues, por i uluri në tavolinën e parë, tamam ngjitur me trotuarin, përsëri ruante një vështrim të ngrirë dhe të akullt si ngrica e jakës së tij të bardhë ku kishte mbetur si litar i varur një kravatë ngjyrë vishnje.
Me sytë e mjegulluar e shponte tej e tej trupin e lec-kamanit mbi trotuar dhe e përplaste vështrimin e tij mbi murin e ndërtesës përballë.
Nuk shihte askënd përballë tij.
Një çast dyshova te vetja dhe thashë se mos njeriu që vazhdonte me forcë dhe energji e shpresë të pashoqe pantonimën mbi trotuar ishte një fantazmë a krijesë e mendjes sime. U ktheva nga klientët e tjerë të kafenesë. Doja të kapja vështrimin e tyre për të verifikuar nëse ata e kishin shijuar ose jo skenën që po zhvillohej përpara nesh.
U qetësova.
Vështrimet e tyre ishin jo vetëm të përqendruara atje, por edhe përmbanin një dritë gazi të fshehur me vështirësi. Të gjithë prisnin se si do t’i vente puna pantonimës.
Do të lodhej aktori?
Apo spektatori do t’i jepte fund lojës së tij dhe pasi t’i kishte dhënë të njohur qenies që kishte përballë do ta thërriste ndofta të pinte një kafe me të, a t’i tundte thjesht kokën në shenjë përshëndetjeje të ftohtë.
Asgjë nga këto nuk po ndodhte.
Njeriu që mezi mbahej në këmbë mbi trotuar nisi të ndërtonte sisteme të tjera shenjash. Filloi të tundte vetëm njërin krah me pëllëmbën e ngritur lart sikur po fshinte xhamat e ndonjë makine. Pasi vazhdoi disa sekonda kështu, me dorën tjetër të kthyer nga vetja, të mbledhur në formë pyke, prekte kraharorin e tij sikurse ndodh atëherë kur dikush do të thotë: “Jam unë, ej jam, unë, ky mo ky, vetja ime, nuk më njeh a?”
Dora i ishte kthyer rrotullueshëm drejt trupit të tij si një thikë që prekte kërcënueshëm dhe vajtueshëm kraharorin e të zotit të saj.
Një lloj përpjekjeje për të treguar identitetin personal, por edhe një tentative goditjeje të vetes.
Vetëvrasje.
Shenjat pantomimike që bënte përsëriteshin me një rregull të pashoq. Zëvendësonin njëra-tjetrën me një rregullsi skizofrenike. Por i uluri në kafene shihte gjithnjë drejt dhe nuk e vërente përshëndetjen që i jepte njeriu që nuk ishte veçse tre a katër metra larg tij. Sytë e tij ishin tretur larg, shumë larg dhe vështrimi që dilte që andej e kalonte tej e tej trupin dhe fytyrën e pantonimistit që kërkonte me çdo kusht të tërhiqte vëmendjen.
Pantonima vazhdonte.
Njeriu i trotuarit kalonte nga një rol në tjetrin.
Pa sukses.
Spektatori e kishte mendjen gjetiu.
Ose bënte kastile se nuk shihte gjë.
Për të, ai që bënte me shenja mbi trotuar nuk ekzistonte.
Por hajt t’i mbushej mendja këtij të fundit.
Në fillim përshëndeste me duar dikë që kishte hipur tashmë në avion ose në tren dhe po ikte larg, gjithnjë e më larg, po zhdukej atje tej në një pikë horizonti ku bashkohen qiejt dhe toka.
Pastaj hiqte dorë prej këtyre shenjave.
Merrte rol tjetër.
Fshinte me dy duart xhama veturash të larta, ose vitrina dyqanesh luksozë ku nuk hynte dot.
Asnjë reagim përsëri.
Kërkonte të merrte leje nga mësuesja për të thënë një vjershë përmendsh.
Asgjë. Edhe kjo e kishte harruar qyshkur, qysh atëherë kur i thoshte se ishte si nënë e dytë për të.
Pastaj e drejtonte thikën nga vetja sikur donte të vetëvritej në shenjë harakiri.
Asnjë mesazh nuk thithnin sytë e manekinit që që-ndronte ulur në kafene.
Avion,
tren,
mësuese kujdestare,
vetëvrasje,
fshirje pa fund xhamash a dritaresh autoveturash,
asnjë kod nuk kapej.
Komunikimi ishte këputur.
Pantonima kishte ngelur pa spektatorë, e vetmuar, e hedhur, e braktisur, aty mbi trotuarin që kishte nisur të mbushej me gjethe të rëna vjeshte dhe me glasa të pafund zogjsh.
Pasi njeriu i padukshëm mbi trotuar u përpoq për disa minuta radhazi të tërhiqte vëmendjen e të zgjedhurit, por nuk mundi, u duk hapur se ndihej i lodhur, i fyer, i mërzitur, i pashpresë. Mendova se do të nervozohej, do të niste të bërtiste dhe t’i drejtohej tashmë me fjalë të rënda personit që ishte ulur në tavolinën e parë të kafenesë anash rrugës. Ndofta kështu do ta nxirrte edhe sekretin e atyre gjesteve pa shumë kuptim që bënte qysh prej një cope here mbi trotuar, nën shikimin gjysmë tallës dhe gjysmë inkurajues të dhjetëra klientëve të tjerë si unë. Kushedi se çfarë do të thoshte. Mbase: Hë u zgjodhe tashti, nuk më njeh më, harrove se më ke thënë se kur të kesh diçka në dorë do të më ndihmoje, harrove se për ty kam ndarë fletëpalosje, kam shkuar derë më derë për t’iu folur miqve e komshinjve, kam harxhuar frymë, pështymë, nerva, gjithçka.
Jo, nuk tha asgjë nga këto, vetëm vazhdonte të përsëriste pantonimën e tij duke ruajtur në buzët e holla dhe të gjata të njëjtën buzëqeshje, por që tani i ngjante gjithnjë e më shumë një si skërmitjeje apo ngërdheshjeje
– 339
të shëmtuar.
Përse e vazhdon akoma lojën e tij? – mendoja i habitur për atë komunikim pa fjalë, pa pasoja të dukshme, përpara një publiku të padëshiruar, pa regjisor, skenë vetëm me një aktor, të adresuar te ca sy që shihnin larg si nëpër mjegull drejt një muri pallati të pasuvatuar.
Pas pak e kuptova. Pantonimisti nuk po dinte më sesi të dilte nga skena pa e fyer veten e tij përpara publikut. Sikurse çdo lojë, edhe pantonima e tij kishte nevojë për një rit hyrës, kishte nevojë për një parahistori, që nuk e njihja, por që duhej të ndiqej sidoqoftë edhe nga një rit dalës.
Këtë të fundit pantonimisti nuk po e gjente dot.
Ai kishte përshëndetur dikë për minuta të tëra, në mënyrën më servile që mund të mendohej, pa marrë si përgjigje as qoftë edhe një tundje të lehtë e të vetme koke.
Ishte gjendje e turpshme.
Kishte mbetur i ngecur brenda një lëvizjeje perpetum mobile, ishte shtangur në të dhe nuk dilte dot nga skena.
Kur pa se asnjë pretekst nuk mund të gjendej për t’i ikur pantonimës së tij, kur ndjeu se i uluri në kafene s’pati as mëshirën njerëzore për t’i dhuruar qoftë edhe vetëm një tundje koke si rit dalës nga kaosi pantomimik, e mblodhi disi veten. Në një çast të vetëm, u qetësua, u kthye vrik në drejtimin nga kishte nisur të shkonte dhe, ashtu kot e më kot, duke ecur drejt urës së Lanës vazhdoi të lëvizte duart sikur bënte pa fund ushtrime gjimnastikore në një shëtitje të mëngjesit.
Dëshironte të jepte të kuptonte se pantonimën e lozte vetëm për veten e tij dhe jo si një fluks mesazhesh pa fjalë drejtuar dikujt tjetër që nuk i përgjigjej.
Për të mos mbetur i turpëruar, vendosi të bënte si i luajtur nga mendtë e kokës.
Fshinte xhama të lartë vitrinash.
Kërkonte leje për të folur nga mësuesja kujdestare.
Përshëndeste udhëtarë që iknin larg me avionë, autobusë, trena, tragete.
Vriste veten.
Kalimtarët që e shihnin tek ecte kështu duke bërë shenja të çuditshme e vështronin me dhembshuri dhe disa me tallje.
Kërkova të shihja fytyrën e të sapozgjedhurit, ulur atje me kurriz nga klientët e tjerë të kafenesë.
Ai vazhdonte të rrinte mendueshëm. Madje besoja plotësisht se ndjehej edhe i pikëlluar. Mendova me dashamirësi se ai duhej ta kishte përjetuar jo mirë pantonimën disaminutëshe të kalimtarit në trotuar.
Mbase thoshte me vete: “Unë nuk e njoh fare atë njeri. Diçka më kujtohet fare turbull se edhe ai ka qenë nëpër salla ku kam folur.
Nuk përjashtohet që edhe të më ketë mbështetur.
Fort madje.
Po a është kjo një arsye që të ndjehem i detyruar për të krijuar marrëdhënie personale me të, ta përshëndes, ta ftoj për kafe, apo të ngrihem dhe t’i jap dorën kudo ku të gjendem?
A kam mundësi fizike për ta ndjekur këtë lloj morali me të gjithë morinë e njerëzve që më kanë duartrokitur, mbështetur, besuar?
Unë tashmë jam i detyruar qoftë edhe thjesht prej pamundësisë fizike, që edhe miqtë e mi të dikurshëm t’i trajtoj në turmë, pa identitet.
Edhe festat ua uroj duke iu dërguar e-mail-e kolektive që fillojnë me fjalët “Të gjithëve”.
Jo më që nga turma të bëj miq personalë.
Kjo është e pamundur.
Tani e kuptoj se përse ajo fjala e urtë thotë se i dobëti dhe i forti nuk mund të kenë miq personalë. Janë të privuar prej këtij margaritari që e shijojnë vetëm vdekatarët e tjerë, ata të mesmit e pavdekshëm.
Unë mund t’i njoh dhe respektoj mbështetësit e mi vetëm si turmë. Vetëm kështu mund t’i përshëndes, t’iu flas.
Ndërsa, ata më njohin mua personalisht dhe më trajtojnë si njeri konkret.
Asimetri fatkeqe dhe fatale.
Ata harrojnë se nëpërmjet televizionit më kanë mysafir në shtëpitë e tyre, më shohin nga afër, më njohin çdo thinjë dhe rrudhë, mund të bëjnë çdo gjë me fytyrën time virtuale, me gurmazin, hundën, veshët, sytë, ndërsa unë nuk i shoh, s’i njoh.
Ata nuk janë për mua veçse një gyp i ftohtë kamere.
Unë jam i ngrohtë, i afërt për ta, ndërsa ata janë të ftohtë, të largët për mua.»
Në fakt, doja shumë që i sapozgjedhuri të mendonte pikërisht kështu, duke ia dhënë vetë unë, kritiku, argumentet e mjaftueshme për ta mbrojtur fort dhe pa lëkundje sjelljen e tij të çuditshme.
Por, në të vërtetë, nuk e di as sot e kësaj dite se çfarë bluante realisht në mendjen e tij.
Ndërkaq, së jashtmi, edhe në tavolinën e tij luhej e njëjta pantonimë si më parë.
Buzët e shoferit lëviznin shpejt, ashtu, pothuajse ngjitur me veshin e shefit dhe ky i fundit dukej sikur sipas ritmit të lëvizjes së tyre, ngrinte dhe ulte krahun e dorës me të cilën mbante filxhanin e kafesë.
Sytë e bardhë, të menduar, shihnin përtej rrugës, duke tejshkuar si fashë drite kalimtarët e shpeshtë për t’u përplasur më pas mbi murin ende të pasuvatuar të karabinasë përballë.
Dukej sikur vështrimi i tij i tejpashëm, pasi iu bënte radiografinë rëntgen brinjëve të kalimtarëve, e projektonte
imazhin e krijuar mbi murin përballë me tulla të kuqe.
Nga jashtë gjestet dhe shenjat mund të interpretohen fare lirshëm duke cikur kufijtë e absurdes, e pamundur për të qenë e vërtetë.
Ngjante sikur, ashtu, gjysmë i hipnotizuar, edhe ai luante pantonimën e tij, nën urdhrat e shoferit, vartësit, sekretarit, rojës, mikut, a psikanalistit të vet.
Ngrije dorën, ktheje filxhanin, rrufit kafen!
Ule dorën, drejtoje filxhanin, vendose mbi tavolinë!
Bëj pak pushim!
Vazhdo të shohësh përpara!
Ngrije dorën, ktheje filxhanin, thithe kafen!
Ule dorën, drejtoje filxhanin, vendose përsëri mbi tavolinë!
Kujdes, mos e derdh kupën!
Shumë mire, vazhdo kështu!
Përsërite!