Bardhi kritika për Kuvendin: Puna e opozitës po kthehet një fasadë të një normaliteti të rremë

Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi ka kritikuar ashpër mazhorancën për mënyrën se si po menaxhon punimet e Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar si një “strategji politike” që synon heshtjen e opozitës dhe minimin e funksionimit demokratik të Parlamentit. Nga mbledhja e grupit, Bardhi në një postim në Facebook, tha se gjatë muajve të fundit mazhoranca ka larguar nga punimet e Kuvendit 15 deputetë të opozitës për një total prej afro 295 ditësh të humbura të pjesëmarrjes së tyre në punimet parlamentare, duke e cilësuar këtë si një strategji të qëllimshme për të heshtur zërin opozitar.

Postimi i plotë

Qëndrimi politik i shumicës për të bllokuar çdo të drejtë kushtetuese të opozitës, refuzimi i çdo iniciative ligjore, përjashtimi i saj nga procesi i emërimeve në institucionet e pavarura, apo përjashtimi i saj nga procesi i integrimit, e bën rolin e deputetëve të opozitës në Parlament jo vetëm të papërfillshëm, por mbi të gjitha një fasadë të një normaliteti të rremë, që minon vetë parimet dhe standardet minimale të parlamentarizmit demokratik. Kjo situatë vë seriozisht në pikëpyetje vetë qëllimin e vazhdimit të pranisë së opozitës në Parlament.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nëse opozita nuk mund të diskutojë çështje me interes publik, nuk mund të ushtrojë mbikëqyrje mbi qeverisjen, nuk mund të propozojë ligje apo amendamente në dobi të qytetarëve, dhe nëse të drejtat e saj kushtetuese shpërfillen, atëherë roli i saj bëhet thjesht formal, duke dështuar në përmbushjen e përgjegjësive demokratike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndonëse ne mbetemi të përkushtuar për të vepruar brenda kuadrit institucional demokratik, nuk do të pranojmë kurrë asgjësimin e parlamentarizmit apo mohimin e të drejtave tona kushtetuese. Një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që shkel rregullat bazë të bashkëjetesës demokratike brenda Parlamentit, ku shumica dhe opozita kanë rolet dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një propagandë e një normaliteti të rremë.

Ne duam që Shqipëria të ecë drejt Bashkimit Evropian jo përmes propagandës boshe, por përmes standardeve të mirëfillta dhe institucioneve që funksionojnë në mënyrë demokratike, duke nisur nga institucioni që përbën thelbin e Republikës sonë –Kuvendi i Shqipërisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?