”Bëhet bashkia më e madhe në Shqipëri”, Peleshi: Bashkimi i Korçës me Maliqin sjell përfitime për zhvillimin e bujqësisë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e cilëson reformën e re administrativo-territoriale një mundësi për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në zonën e Korçës. Për të bashkimi i Korçës me Maliqin do të krijojë bashkinë më të madhe në vend për nga sipërfaqja, duke vënë në një administrim të vetëm dy prej zonave të rëndësishme bujqësore të juglindjes.
Duke folur nga Korça, Peleshi theksoi se bashkia e re do ketë një sipërfaqe prej 1,462 kilometrash katrorë, duke lënë pas edhe Bashkinë e Elbasanit. “Bashkia e Korçës bëhet bashkia më e madhe në Shqipëri për nga sipërfaqja, me një sipërfaqe prej 1,462 kilometrash katrorë”, u shpreh Peleshi, duke nënvizuar se territori i bashkuar është rreth 200 kilometra katrorë më i madh se ai i bashkisë që renditet e dyta.
Sipas kryetarit të Kuvendit, rëndësia e kësaj ndarjeje të re nuk lidhet vetëm me madhësinë e territorit, por edhe me potencialin ekonomik që mbart zona, veçanërisht në sektorin e bujqësisë. Ai shpjegoi se sipërfaqja e madhe e bashkisë së re lidhet kryesisht me shtrirjen e fushës së Korçës dhe asaj të Maliqit, ndërsa popullsia parashikohet të jetë rreth 100 mijë banorë.
“Popullsia e bashkisë së re është rreth 100 mijë banorë, por për shkak të fushës së madhe të Korçës dhe të Maliqit, që tashmë përbëjnë një hapësirë të vetme”,deklaroi ai. Peleshi shprehu bindjen se bashkimi i këtyre territoreve do të krijojë kushte më të favorshme për administrimin dhe zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë. Ai iu referua edhe skepticizmit që reforma mund të ketë ngjallur te një pjesë e banorëve, duke e cilësuar me humor territorin e ri si një hapësirë të përbashkët të fushës së Korçës dhe Maliqit.

