Berisha reagon pas prezantimit të “Pasqyrë Albania” nga Rama: Një mur i ri mes qytetarëve dhe administratës
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së qeverisë për krijimin e portalit të ri “Pasqyra Albania”, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me drejtuesit politikë në Pogradec.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha e ka kritikuar ashpër projektin, duke e cilësuar si një tjetër nismë abuzive që, sipas tij, do të shoqërohet me shpenzime të larta nga buxheti i shtetit.
Sipas kreut të PD-së, portali paraqitet si një platformë ku qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale ankesat dhe kërkesat e tyre drejtuar institucioneve, por ai pretendon se në thelb bëhet fjalë për një tjetër projekt që do t’u kushtojë miliona paratë publike.
Berisha e ka cilësuar “Pasqyra Albania” si “një mur të ri mes qytetarit dhe administratës”, duke e krahasuar me nisma të tjera të qeverisë.
Në reagimin e tij, kryedemokrati shkruan:
“Pasqyrë Albania”, Diella e re shumë milionëshe!
Në serialin e mashtrimeve të tij të kësaj vere, Edi Rama, i bronzuar por i tromaksur dhe i skaduar, pas dështimit me Besën dhe Besimin, njoftoi nga Pogradeci portalin e ri “Pasqyra Albania” si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre. Në fakt, me këtë ai njoftoi vjedhjen e re të miliona dollarëve për “Pasqyra Albania”, në të cilën, sipas tij, qytetari do të mund të ndjekë ankesën apo kërkesën e tij. Natyrisht, pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare.
KOHA JONË SONDAZH

