Dante Aligeri, babai i gjuhës italiane, profeti i shpirtit njerëzor, poeti që përcaktoi rrathët e përjetësisë në “Komedia Hyjnore”

Nga Albert Vataj
Në kalendarin e kulturës botërore, 14 shtatori shënon një ditë përkujtimore për njërin prej emrave më të mëdhenj të letërsisë: Dante Alighieri. I njohur si babai i gjuhës italiane dhe autori i kryeveprës së papërsëritshme, Komedia Hyjnore, Dante mbetet poet i përjetësisë, filozof i shpirtit dhe udhërrëfyes i njeriut në udhëtimin e tij drejt dritës. Jeta e tij, e ndarë mes dashurisë dhe dhimbjes, mes qytetit që e rriti dhe mërgimit që e dënoi, u shndërrua në gur themeli të një trashëgimie që ende frymëzon.
Prej aty, nga “Komedia Hyjnore”, nis gjithçka. Prej aty buron drita e një rruge që shndërroi letërsinë, shpirtin e njeriut dhe vetë mënyrën se si e mendojmë përjetësinë. Dante Alighieri, poeti i idealit të lartë të besimit, i shëlbyer në sublimen e virtytit, ai që përcaktoi udhën e njeriut përtej kohës e tokësores, e bëri letërsinë udhërrëfyese të shpirtit. Koha ia caktoi kufijtë njerëzores, por ai i tejkaloi duke gdhendur në amshim një univers poetik që i flet çdo brezi.
I lindur në Firence më 1265, Dante mbetet figura më e ndritshme e mesjetës italiane, njeriu që bëri nga gjuha e popullit një gjuhë të artit dhe të përjetësisë. Në një epokë kur shkrimtarët shkruanin latinisht, ai zgjodhi dialektin toskan dhe, me këtë zgjedhje, i dha gjuhës italiane themelet e saj, duke fituar epitetin “Babai i gjuhës italiane”. Poezia e tij, sidomos “Komedia Hyjnore”, tejkaloi kufijtë e Firences dhe të Italisë, për t’u bërë një gur themeli i kulturës perëndimore. Mjafton të kujtojmë se Milton, Chaucer, Tennyson dhe shumë të tjerë, gjetën në vargjet e tij frymëzim dhe udhëzim.
“Komedia Hyjnore” është më shumë se një vepër letrare: ajo është një univers, një doktrinë morale, një testament i shpirtit njerëzor që endet nga ferri i mëkateve, në purgatorin e pastrimit dhe në parajsën e dritës hyjnore. Me të, Dante nuk i dha vetëm letërsisë një kryevepër, por njerëzimit një hartë shpirtërore. Në vargjet e tij, ku fjala bëhet dritë dhe metafora bëhet udhë, ne gjejmë të gjithë veten “në mes të rrugës së udhëtimit të jetës sonë”.
Por Dante nuk ishte vetëm poet i qiellit dhe i dritës. Ai ishte gjithashtu një mendimtar politik, një filozof, një njeri i qytetit që luftoi dhe u përplas me intrigat e kohës së tij. Për këtë arsye, përjetoi mërgimin, humbjen, dhe ndarjen e dhimbshme nga Firence, qyteti që e kishte rritur dhe që e dëboi. Dhe megjithatë, as mërgimi, as dhimbja nuk e shuan dot zjarrin e tij krijues. Në Ravenna, aty ku mbylli sytë më 14 shtator 1321, ai e përfundoi udhëtimin e tij poetik, duke dhënë botës një vepër që nuk ka fund.
Dashuria e tij për Beatricen, dashuri që lindi në fëmijëri dhe u shndërrua në figurë engjëllore e frymëzuese, mbeti boshti shpirtëror i veprës së tij. Përmes saj, Dante e bëri dashurinë urë drejt shpirtërores, duke e lartësuar në një dimension ku ndjenja bëhet mjet i shëlbimit.
Edhe pse Firence e pati ndëshkuar, në shekuj ajo kërkoi ta rikthente, të paktën eshtrat e tij. Por Ravenna nuk u nda kurrë prej kujtimit të poetit që kishte zgjedhur si strehë. Për këtë arsye, varri i tij mbetet sot një vend pelegrinazhi kulturor, ku vizitorët shkojnë jo për të parë thjesht gurin e ftohtë të varrit, por për të dëgjuar ende jehonën e vargjeve që dridhen në përjetësi.
Dante është më shumë se një poet i madh: ai është një pikë kthese e qytetërimit. Vepra e tij na mëson se arti dhe shpirti njerëzor nuk mund të kufizohen nga kufijtë e kohës, as nga dënimet e politikës. Ai jeton aty ku fjala bëhet udhë dhe ku udha bëhet përjetësi.
Në kujtesën e botës, Dante Alighieri nuk është vetëm autori i “Komedia Hyjnore”: ai është vetë përkufizimi i një shpirti që, edhe në mërgim e në dhimbje, dinte të ngjitej drejt dritës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?