“Dënim pa ligj, si në komunizëm”, deputetët e PD-së kundërshtojnë masat ndaj Bardhit dhe Balliut
Deputetët e Partisë Demokratike, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, kanë kundërshtuar kërkesën e Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore ndaj Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut, duke e cilësuar atë të pabazuar në ligj dhe në Rregulloren e Kuvendit.
Në qëndrimin e paraqitur në Këshillin e Etikës, dy deputetët demokratë argumentojnë se veprimet për të cilat PS kërkon ndëshkimin e dy kolegëve të tyre, përfshirë pengimin e seancës plenare, fyerjet dhe hedhjen e sendeve, parashikojnë masa disiplinore deri në 10 ditë përjashtim.
Sipas tyre, kjo masë përcaktohet në pikën 1 të nenit 65/1 të Rregullores së Kuvendit, ndërsa përjashtimi deri në 60 ditë, i parashikuar në pikën 7 të të njëjtit nen, zbatohet për raste të përdorimit të mjeteve piroteknike, tymuese, bojërave apo mjeteve të ngjashme.
Korreshi dhe Himçi theksojnë se këto të fundit nuk janë përfshirë në pretendimet e Partisë Socialiste, ndaj e konsiderojnë kërkesën për masa më të rënda si të pambështetur në dispozitat përkatëse.
Për këtë arsye, deputetët e PD-së kërkojnë rrëzimin e kërkesës së socialistëve, duke e cilësuar atë abuzive dhe të papranueshme.
“Dënim pa ligj, si në kohën e komunizmit”, thuhet në qëndrimin e dy deputetëve demokratë, të cilët kundërshtojnë ashpër masat disiplinore të kërkuara ndaj Bardhit dhe Balliut.

