Elbasan-Rrogozhinë drejt përfundimit, Rama: Projekti ka arritur në 87% realizim
Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Elbasan-Rrogozhinë, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII, po vijojnë me ritme të larta. Sipas të dhënave të bëra publike nga kryeministri Edi Rama, realizimi fizik i përgjithshëm i projektit ka arritur në 87%.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar detaje mbi ecurinë e punimeve, duke theksuar se aktualisht fokusi është te shtrimi i asfaltit në disa segmente të rrugës.
“Vijon me ritme të larta puna në 6 fazat e para të rrugës Elbasan-Rrogozhinë. Aktualisht, po punohet intensivisht për realizimin e shtresave asfaltike në rreth 15 km të segmentit, ndërsa realizimi fizik i përgjithshëm ka arritur në 87%”, shkruan Rama.
Punimet po avancojnë edhe në segmentin Elbasan-Papërr, ku në Fazën 3 po punohet për shtresat asfaltike në veprat e artit. Konkretisht, ndërhyrjet po vijojnë në dy ura, ndërsa dy ura të tjera janë pranë përfundimit të punimeve të mbistrukturës.
Sipas kryeministrit, ritmi i punimeve tregon një progres të konsiderueshëm dhe e afron projektin drejt fazës së përfundimit.
Aksi Elbasan-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit VIII dhe synon të përmirësojë ndjeshëm lidhjen rrugore mes Shqipërisë së Mesme dhe zonës së Rrogozhinës, duke lehtësuar lëvizjen dhe duke rritur sigurinë dhe kapacitetin e transportit në këtë korridor të rëndësishëm.

KOHA JONË SONDAZH
A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?
Results
Vota totale: 3788

