Etika në gazetarinë shqiptare

Është fakt se në mesin e gazetareve dhe të gazetarëve ka shumë hajna, rrenacakë dhe “kokëderra”, si në çdo fushë dhe profesion tjetër. Gazetaria është profesion shumë i nderuar, është profesion me privilegje të mëdha, por edhe me përgjegjësi edhe më të mëdha. Ndaj dhe gazetarët profesionistë nuk mund të zëvendësohen me gazetarë diletantë dhe jashtë profilit. Ka më shumë nevojë për cilësi sesa për sasi gazetarësh. Andaj nevoja për instalimin e etikës në shkencat e komunikimit sot është më se akute. Bordet apo shoqatat e shumta të shtypit në Kosovë dhe në Shqipëri (në Kosovë e Shqipëri ka më shumë borde të shtypit “të pavarur” dhe “apolitike" sesa në Gjermaninë 90-milionëshe!) në kodeksin e tyre kanë formuluar "rregullat për një gazetari të pastër",…, "respektim të jetës private dhe të sferës intime", por për shkak të pamundësisë dhe mungesës së ushtrimit të sanksioneve ky pressekodeks etik trajtohet dhe përqeshet nga shumë institucione dhe individë medialë si "tigër i pa dhëmbë".

Shikuar në aspektin juridik, gazetarët e sotëm shqiptarë "lundrojnë" në mes të lirisë së shtypit, në njërën anë, dhe të drejtës mbi pacenueshmërinë e personalitetit, në anën tjetër. Sidoqoftë, një studim i kënaqshëm apo mundësisht “një shkollë fillore e gazetarisë" do të ishte, pa dyshim, me rëndësi për një gazetar dhe gazetare të sodit. Pasi që fjala gazetar dhe gazetare është tërësisht e pambrojtur juridikisht dhe profesionalisht. Gjithsecili, nëse i teket, mund të vetëquhet gazetar dhe gazetare dhe, natyrisht, të punësohet si i/e tillë. Është detyrim moral dhe profesional që çdo gazetar i secilës prej mediave tona të flasë “më shqip”, pa fjalë të huaja, sidomos atje ku shumë më lehtë, por edhe shumë më bukur mund të përdoren fjalët shqipe. Tjetra, gazetarët nuk duhet shfrytëzuar e as nuk duhet trajtuar si pronë e botuesit e as si pronë e kryeredaktorit. Gazetarët e punësuar në mediat vendore, të shumtën e rasteve, nuk paguhen në mënyrë të rregullt sipas vendimeve e marrëveshjeve mbi marrëdhënien e punës, madje ndodh që këta edhe të mbesin pa paga me muaj të tërë.

Për të arritur deri te një gazetari e kënaqshme dhe etikëplote, do të duhej patjetër që të kemi edhe një liberalizim të politikave të mediave. Politika liberale e mediave në Shqipëri e Kosovë do të duhej të kishte, ndër të tjera, këto qëllime dhe synime:  Politikat duhet të krijojnë një ambient të këndshëm për lirinë e të shprehurit dhe shumëllojshmërinë e mendimeve. E, kjo do të bëhej, ndër të tjera, me rregullimin e ligjit për mbrojtjen e gazetarëve dhe për funksionimin e infrastrukturës institucionale. Politikat duhet të njohin kërkesat e mediave për pavarësi redaksionale në raport me fuqinë në pushtet, duke lejuar një kritikë cilësore në raportet e shoqërisë. Njëkohësisht dhe gjithashtu, mediat duhet të njohin dhe të pranojnë fuqinë e tyre mbi mundësinë e ndikimit dhe të përcaktimit të temave politike të rendit të ditës. E, kjo kërkon si aftësi, ashtu edhe vullnet të mirë për integritetin gazetaresk dhe  për vetëkritikën. Politikat duhet të dinë se mediat, gjithashtu, janë aktorë të rëndësishëm të sociales. Është shumë me rëndësi për një sistem politik demokratik që të trimërojë mediat për zhvillime dhe iniciativa të reja.

Gjuha shqipe duhet të kultivohet mirë nga këto media. Debati mbi politikën mediatike të përdorimit të gjuhës shqipe duhet përforcuar dhe zhvilluar me vullnet e përkushtim, sepse për një kulturë dhe për një gjuhë që i takon një numri të vogël të njerëzve, të shpërndarë në një hapësirë e territor relativisht të madh, për mediat e sotshme do të thotë obligim, por edhe kërkesë për përgjegjësi më të lartë dhe  profesionalizëm më cilësor. Dhe, së fundi, është shumë e domosdoshme dhe e rëndësishme që mediat e të gjitha profileve të flasin “më shqip”, pa fjalë të huaja, pra pa “okej” e ”najs, najs”-e. Për shembull në median publike, në televizionin kombëtar, NRK, përforcimi dhe ruajtja e gjuhës, identitetit dhe kultuës norvegjeze është detyrë dhe obligim i mbrojtur me ligj. Globalizimi dhe dominimi i madh i gjuhës angleze vërehet kudo. Arsimimi i lartë dhe teknologjia telekomunikative bëjnë të mundshëm një shkëmbim më të mirë informativ dhe komunikativ. E, kjo bën që detyrë e medias të jetë e folmja e bukur amtare dhe të jetë një ”qen roje” e kulturës. Shembull: Në statusin e televizionit publik NRK thuhet: Televizioni publik NRK ka si detyrë dhe obligim që edhe gjuha e vjetër norvegjeze, ”Nynorsk”, të jetë 25 për qind prezente në programin televiziv. Muzika të jetë së paku 35 për qind prodhim vendor dhe prodhimet televizive të jenë së paku 75 vendore dhe të jene në gjuhën norvegjeze ”Bokmål”, Të mos harrojmë, mediat tona duhet të kujdesen që gjuha shqipe të depërtojë edhe jashtë hapësirave të kulturës shqiptare, pra të jetë e pranishme edhe në rrafshin ndërkombëtar. Është e qartë se kultura dhe gjuha shqipe nuk mund të jenë gjithnjë të ngurta. Andaj, mediat e mira këtu do të shërbenin edhe si një opinion i hapur për përparimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi.

 

SHKARKO APP