Gjergj Luca: “Ia dolëm!”, zëri kushtrues i një ëndrre që u bë qytet

Nga Albert Vataj
“Ia dolëm!”, kjo ishte kryefjala, por edhe jehona e një mesazhi të drejtpërdrejtë që sipërmarrësi Gjergj Luca përcolli përmes një videoje në rrjetet sociale. Dy fjalë të shkurtra, të thëna me zërin e njeriut që sapo ka mbërritur në majën e një ngjitjeje të gjatë. Nuk kishte nevojë për shumë shpjegime. Pas tyre qëndronin muaj të tërë pune, investimi, përkushtimi, lodhjeje, kundërshtish dhe këmbënguljeje.
Dhe Luca nuk e dha këtë mesazh nga një zyrë, nga një sallë ceremoniale apo përpara një tavoline të mbushur me dokumente. E dha nga pragu i “Tempullit të Shpirtit”. Pikërisht aty ku sipërmarrja takon simbolikën, ku tulla bëhet arkitekturë dhe arkitektura bëhet mesazh.

 

Swiss Digital Desktop Reklama

Përballë portës së dekoruar me simbole kulturore e kombëtare, ku lartësohen mozaiku i Nënë Terezës dhe shqiponja dykrenare, ai iu drejtua opinionit publik me atë stilin e tij të drejtpërdrejtë, të çlirët, pa protokoll e pa doreza:
“Ndërkohë që ju sharësit e mi gjithë beharin mallkonit e ofendonit, unë me skuadrën time Rozafa punonim dhe ndërtonim. Ju shanit poshtë çadrave të plazhit, ne punonim në diellin përvëlues dhe ja ku jemi. Lërini sharjet dhe ejani në qytezën më të re Rozafa Apollonia në Fier; ejani të pimë bashkë një gotë e të themi gëzuar për Shqipërinë!”
Në këtë deklaratë ka gjithë Gjergj Lucën: sfidues, impulsiv, krenar për atë që ka bërë, por mbi të gjitha i bindur se përgjigjja më e mirë ndaj dyshimit është vepra.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nuk është thjesht një komunikim publicitar. Është një lloj përgjigjeje që nuk kërkon të bindë me fjalë, por të ftojë për të parë.
“Ejani!” – është thelbi i ftesës së tij.
Ejani dhe shiheni me sytë tuaj.
Ejani aty ku ideja nuk është më premtim, por ka marrë formë.
Ejani në vendin ku ajo që dikur mund të dukej e pamundur tashmë mund të preket, të shihet, të përjetohet.
Kjo është edhe sfida e tij më e drejtpërdrejtë, mos e gjykoni ëndrrën nga larg, ejani dhe shihni çfarë ka bërë puna me të.
Dhe pamjet ajrore të videos e bëjnë këtë ftesë edhe më të prekshme. Nga lart, Fish City Apollonia në Pojan të Fierit shfaqet si një hapësirë që ndryshon krejt perceptimin për terrenin ku është ngritur. Një kompleks i ndriçuar me elegancë, ku ndërtesat, hapësirat e gjelbra, shatërvanët, objektet simbolike dhe instalacionet artistike krijojnë një kompozim të pazakontë.
Nën dritat e mbrëmjes, ajo që gjatë ditës mund të duket si një kantier i madh i përfunduar në etapa, shndërrohet në një oaz drite dhe lëvizjeje në mes të ultësirës së Fierit. Një hapësirë që nuk të jep më ndjesinë e një territori të zbrazët, por të një vendi ku diçka ka nisur të marrë jetë.

Dhe këtu, në këtë kontrast mes asaj që ishte dhe asaj që është, fjala “Ia dolëm!” merr një kuptim më të gjerë.
Nuk është vetëm triumfi i një sipërmarrësi përballë një sfide të përfunduar.
Është triumfi i idesë mbi boshllëkun, i punës mbi dyshimin, i këmbënguljes mbi lodhjen dhe i vizionit mbi kufijtë e asaj që, në fillim, dukej e pamundur.
Ndoshta prandaj ai nuk thotë vetëm “ia dola”. Thotë “ia dolëm”.
Sepse pas tij janë njerëzit që punuan, projektuan, ndërtuan, drejtuan, mbollën, gatuan, shërbyen, ngritën muret dhe ndezën dritat. Një ushtri e heshtur duarsh që e shndërroi një ide individuale në një hapësirë kolektive.
Dhe në fund të videos, kur ai fton të gjithë të ngrenë një gotë “për Shqipërinë”, duket sikur fjala e tij kapërcen kufirin e një inaugurimi.
Sepse ajo gotë nuk është vetëm për Fish City Apollonia.
Është për një besim.
Besimin se edhe këtu, në këtë tokë, mund të ëndërrosh madhërisht, të punosh pa u ndalur dhe, një ditë, të kthesh kokën pas e të thuash: “Ia dolëm!”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?