Godinat historike të arsimit drejt zhdukjes
Ky fakt është një ogur i mirë që Elbasani të këndvështrohej gjatë gjithë shekullit si më i privilegjuari në lëmin e arsimit. Godinat ku janë hapur shkollat e para, dhe ato nuk janë pak e me shumë përmbajtje kombëtare historike që janë edhe një dëshmi historike e këtij qyteti, kanë qenë të vlerësuara edhe si monumente kulture para 24 vjetësh megjithë këndvështrimin e politikës diktatoriale, por që në këto vite kanë pësuar ndryshime të mëdha në destinacionin e tyre. Nëse ne, në Elbasan, në Shqipëri dhe në mbarë trojet kombëtare, krenohemi me këtë veçori specifike që ka Elbasani, ndoshta duhet të na vijë turp dhe duhet të skuqemi përballë faktit që këto godina janë tjetërsuar, janë përvetësuar, janë rrafshuar pa nam dhe pa nishan. Është i njohur fakti që Ministri i Arsimit i kohës në vitin 1941, Ernest Koliqi, në shtatorin e atij viti mori një vendim për të çuar mësues të Normales së Elbasanit në të gjitha trojet shqiptare, jo vetëm për mësimin e gjuhës shqipe, por edhe për hapjen e shkollave që u kthyen në tempuj, jo vetëm mësimi dhe edukimi, por edhe atdhedashurie duke e bërë Elbasanin jo thjesht të njohur, por të dashur, të respektuar. Mirënjohja e banorëve të këtyre trojeve shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë është e madhe. Tipik në këtë vlerësim është i mirënjohuri Mehmet Gjevori, elbasanasi i nderuar i Normales që u kthye në një simbol të arsimit në Kosovë dhe si një veteran shumë i respektuar që spikati në drejtim të përhapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe dhe njëherazi u shndërrua në një personalitet që la gjurmë në kujtesën e brezave të Kosovës. Dhe jo vetëm ai, por edhe gra e burra që lanë emër të nderuar në tërë Kosovën. Po të njëjtat fjalë mund të thuhen edhe për Jonuz Balla dhe Mahmut Dumani që u kthyen në simbole të përpjekjeve të paepura si shumë bashkëkohësit e tyre që e kthyen eksperiencën si mësues të Normales në pishtarë të arsimit kombëtar.
Vitet kanë ikur një pas një dhe vëllezër nga Kosova dhe trojet shqiptare në Maqedoni, por edhe nga vise të tjera, nga Çamëria dhe trojet e tjera në Mal të Zi, e kanë shprehur këtë mirënjohje ndaj Normales dhe mësuesve të saj edhe me vizitat e tyre të herëpashershme, jo vetëm në kohën e diktaturës që kishte vështirësitë e veta, por veçanërisht në këto vitet e demokracisë, këta ish nxënës dhe më pas mësues dhe intelektualë, akademikë dhe studiues kanë ardhur në Elbasan me atë mallin e madh për të takuar ish mësuesit e tyre dhe familjarët si shprehje e mirënjohjes. Pikërisht këtu nis një kontradiksion i madh i kuriozitetit të tyre se ku është godina e shkollës Normale, ku gjendet shkolla e parë shqipe në Elbasan, ku është shtëpia e Kostandin Kristoforidhit dhe ku janë vatrat ku u rritën dhe u edukuan atdhetarët e mëdhenj si Aqif Pashë Biçaku (Elbasani), ku gjendet ajo godinë e famshme e Kongresit të Elbasanit etj.etj. Askund nuk ka asnjë shenjë, askund nuk flitet as për arsim dhe as për ata që e bënë atë dhe emri Normale duket se është zbehur, ashtu siç janë zbehur edhe eksperiencat më të vyera dhe askush nuk kujton pikërisht atë, Universitetin e Parë shqiptar.
Më shqetësim qytetar, kam të drejtën të pyes ashtu siç do ët donin të pyesnin edhe ata vëllezërit nga Kosova e trojet tjera shqiptare se e quajtura godinë e shkollës “Normale”, ku është? Ku është një pllakë përkujtimi që të siglojë se këtu ka qenë shkolla “Normale”. Mungon dhe kjo është një humbje e identitetit të Universitetit të Parë Shqiptar. Njëherazi, edhe shkolla e parë shqipe në Elbasan është hapur më 2 gusht 1908 dhe është quajtur shkolla “Naim Frashëri” ka humbur identitetin. Godina e kësaj shkolle ka qenë e quajtur “Shkolla e Tebojës”. Ajo godinë ekziston, ka patur disa destinacione në vite dhe sot është në përdorim si një lokal pa asnjë shënim, mundësisht në shqip dhe në anglisht që të shkruajë se këtu, në këtë godinë është hapur shkolla e parë shqipe “Naim Frashëri”. Me e vjetër si shkollë në Elbasan njihet ajo e quajtura “Shkollave e Vashave”, Ruzhdije, që ka qenë ekzistuese atje ku sot ndodhet godina e një lokali privat, për shkak të tjetërsimit të pronës së kësaj godine. Ndoshta do të ishte e udhës që në lulishten e kësaj godine të kishte një pllakë (Shqip dhe anglisht) ku të thuhej ekzistenca e kësaj shkolle të vjetër ku kanë studiuar brezat dhe që mbahet mend dhe që tashmë është zhdukur pa nam e pa nishan. Personaliteti më i madh i gjuhës, i cilësuar si babai i gjuhës shqipe, është Kostandin Kristoforidhi. Ai ka edhe një shtëpi në mes të kalasë ku ka edhe një pllakë në gjuhën shqipe. Nëse futesh brenda në të, ajo nuk është më shtëpi, por me kujdesin e skulptorit Dhimitër Telezi është kthyer në një ambjent ku përgatiten skulpturat dhe relievet e këtij skulptori, i cili gjithsesi e mirëmban dhe tregon kujdes që kjo shtëpi të mos degjenerojë deri në shkatërrim.
Krenaria e arsimit shqiptar, Normalja, ka patur si binjake të saj Ushtrimoren, e cila ishte laboratori ku përgatiteshin mësuesit e Normales. Godina ku ka funksionuar kjo Ushtrimore është e njohura Shkolla e Kalasë që për koincidencë ndodhet pranë kishës “Shën Maria”, Elbasan. Kjo godinë e vjetër që në shekullin e 18-të (1736), ka qenë shkollë e kalasë ku ka studiuar edhe vetë Kostandin Kristoforidhi dhe shumë akademikë të tjerë dhe që në shtator 1909 është godina ku u mbajt Kongresi i Elbasanit që përcaktoi edhe hapjen e shkollës Normale tre muaj më pas. Dikur në fasadën e kësaj godine ka patur një pllakë përkujtimore e gdhendur në gur që datonte mbajtjen e kongresit. Kjo pllakë tashmë nuk ekziston dhe që ka një përplasje të madhe për ta bërë atë pronë të kishës ortodokse autoqefale shqiptare. Kjo është një e padrejtë që meriton vëmendje duke bërë një pllakë (shqip dhe anglisht) që ta siglojë funksionimin e kësaj shkolle. Sa herë që vjen 25 nëntori të gjithë në Elbasan dhe në tërë Shqipërinë kujtojnë Aqif Pashë Elbasani është personaliteti, emri i të cilit lidhet me shpalljen e Pavarësisë. Është figura më e vlerësuar edhe nga Ismail Qemali. Shtëpia e tij që ndodhet në krye të rrugës “Kostandin Kristoforidhi” që përshkon mes për mes lagjen “Kala” në pjesën perëndimore, tashmë është pronë private për shkak të transaksioneve që janë bërë në vite. Sot pak njerëz dinë që ajo është shtëpia e Aqif Pashës ndaj do të ishte e udhës që në një ambjent të dukshëm në një pllakë mermeri apo graniti të shkruhej në shqip dhe në anglisht ky fakt. Elbasani njihet edhe si qyteti i akademikëve. Ky fakt i jep këtij qytet një privilegj, por nëse brezi i sotëm do të dojë të njohë dhe të dijë jo vetëm emrat dhe kontributin e këtyre akademikëve, por edhe shtëpitë ku ata kanë banuar, veçanërisht “Kalaja” do të ishtë një tempull i turizmit kulturor ku në portë të kalasë të shënohej me një hartë vendndodhja e shtëpive të këtyre akademikëve dhe në portën e çdo shtëpie të vendosej një pllakë (shqip dhe anglisht), që të përcaktonte shtëpinë e secilit prej akademikëve.
Të gjitha sa thamë më lart jo vetëm që nuk janë dhe që kanë krijuar një handikap që ën kryeqytetin arsimit nuk ka shenja për arsimin, veç një memoriali dhe një relievi që nuk mundet kurrsesi të justifikojnë barbarinë e bërë në godinat historike që janë edhe krenari mbarëkombëtare. Dhe për çudinë e të gjithëve, po të vizitosh rrugët kryesore të Elbasanit, do të gjesh pllaka mermeri të vendosura në fasada pallatesh ku shkruhet për ekzistencën e bazave dhe celulave komuniste të kohës së Luftës II Botërore. Megjithë respektin për luftën, duhet thënë se Elbasani njihet si qyteti i dijes, librit dhe i penës dhe jo i luftës. Dijen, librin dhe penën Elbasani i ka shekullore, ndërsa luftën antifashiste e ka para 70 vjetësh. Për luftën ka pllaka përkujtimore, ndërsa për arsimin dhe personalitetet e shquara të saj nuk ka as edhe një fakt si dhe për godinat që kanë qenë në shërbim të arsimit kombëtar. Ndoshta për këto do të duhej të shqetësohej një pushtetar a kryeministër qoftë, ashtu si duhej të shqetësohej një deputet, por dhe një njeri i thjeshtë, aq më tepër një profesor universiteti që i dhemb për burimin e arsimit që dha mesazhin e parë të Universitetit të Parë Shqiptar, para se të bëjmë apologjinë e Sokratit që duket ia vlen ta dëgjojmë pak si më shpesh.