I akuzuar për lidhje me atentatin në Rinas, Ministri i Brendshëm: Arrestohet nga RENEA Ylli Zalli
Merr fund arratia e Ylli Zallës, 49-vjeçarit të shpallur në kërkim nga Policia lidhur me atentatin në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka ndarë pamjet nga arrestimi i Zallës në Krujë. Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për finalizimin me sukses të operacionit policor “Fundi i Arratisë”, për kapjen e një personi shumë të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Forcat Speciale RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Gjatë operacionit, në Krujë, u kap personi shumë i kërkuar Ylli Zalla, i cili i shmangej drejtësisë dhe tashmë është arrestuar nga Policia e Shtetit”, shprehet ministri i Brendshëm.
Një ditë më parë, një sasi lëndë plasëse është vendosur në derën e banesës së Ylli Zallës. Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme materiale në banesë, ndërsa ka marrë flakë dhe është djegur edhe automjeti në pronësi të Zallës, i cili ishte i parkuar pranë banesës.
Autoritetet dyshojnë se kjo situatë është bërë nga vetë Zalla, por megjithatë kjo pistë mbetet për t’u provuar.
Ylli Zalla prej vitit 2025 ishte në kërkim nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorët që morën pjesë në vrasjen e dy personave në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, alias “Sheqeri”.
Në kuadër të hetimeve, pak muaj më parë, gjatë kontrollit në banesën e Ylli Zallës, shërbimet e policisë gjetën një sasi të konsiderueshme armësh dhe lëndësh plasëse.
Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, në banesë u sekuestruan 3 kallëpe tritoli, 12 granata dore, 4 armë zjarri, rreth 6 mijë fishekë, 5 bomba me telekomandë, si dhe mbi 2 kilogramë kanabis.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 4837

