I çmenduri
Aty, sikur e përpinte dheu…
Frymën e ndalte te një gazhdare ku lëvrinin me shumicë minjtë që brenin kokrra misri dhe çapëloheshin me njëri-tjetrin. Shtrihej aty dhe thithte me kënaqësi aromën e mykut të kalbësirave që mbizotëronte në atë vend të braktisur. Rrinte dhe priste me orë të tëra. Priste me padurim që rrugëve të pluhurosura të dëgjohej kuisja e qenve të lëshuar nga zinxhirët…Pas asaj zhurme do të lëshohej vrik nga vendi dhe do të vraponte duke shkundur e tundur krahët nga gëzimi. Kalonte shtigje, hendeqe, ferra dhe driza pa i hyrë gjemb në këmbë, pa iu përdredhur asnjë damar, pa u rrezuar asnjëherë në tokë…Ndalonte para qenve, që kacafyteshin me njëri- tjetrin për një kockë a për një buçe dhe, përnjëherë, kërkonte të zbatoheshin rregullat e vendosura nga ai vetë.
Rregulli i parë: Ata, me të parë që ai ishte aty, do të ulnin kokën e tundnin bishtin, duke i ardhur rreth e rrotull.
Rregulli i dytë: …Do të fillonin t’i lëpinin këmbët e duart e tij, nëse ato ishin të shpuara apo të rrjepura nga të bredhurit.
Rregulli i tretë:.. Ai do të shtrihej midis tyre dhe ata ishin të detyruar që të dëgjonin disa minuta leksionin e radhës.
Rregulli i katërt :.. Ai do të flinte, ndërsa ata do të bridhnin nëpër fshat për të grumbulluar ushqimin e tij.
Rregulli i pestë:… Do të prisnin mëngjesin pranë tij për të mbikëqyrur ushqimet, deri sa ai të zgjohej, pa lejuar njeri apo kafshë të afrohej.
Kjo shoqëri e çuditshme me qentë e fshatit Daullas, në rrethin e Fierit, kishte kohë që i habiste fshatarët. E shihnin njeriun e panjohur, që flinte, për shtatë palë qejfe, ndanë rrugëve të fshatit, ose ndanë gëmushave mes trupave të ngridhur, por, meqë ai s’fliste, nuk ngacmonte kënd, ikte nga fshati ditën dhe kthehej natën, ekzistenca e tij për fshatarët, që merreshin me punët e hallet e tyre të përditshme, ishte kthyer në një mospërfillje, siç ndodh zakonisht pas çudisë, e cila nuk zgjatë më shumë se tri ditë. Pyetën dhe mësuan se: “Njeriu mes qenve është një i çmendur nga qyteti, njeri pa njeri, pa shtëpi, pa katandi”
Shqetësimi për kafshët e tyre që i shërbenin një të huaj, një rreckamani, që kundërmonte nga thartira dhe kërcënonin cilitdo që do të guxonte ta shqetësonte fantazmën e tyre, nuk kaloi pa reagimin e fshatarëve.
Ngjarja ndodhi fshatçe kur qentë po rrinin nën rrezet e diellit, së bashku me rreckamanin qelbës, disa djem e burra të zgjedhur në fshat, herët në mëngjes, iu afruan kopesë me hunj e zinxhirë nëpër duar, ndërkohë që i çmenduri përkëdhelte me duart e fëlliqura, miqtë e vet, pa çarë kokën për grumbullin e njerëzve të ndërkryer që afrohej për herë e më shumë. Disa i thirrën qentë në emër, i ndollën sipas zakonit, por asnjëri prej tyre nuk mori përgjigje. Madje u çuditën që përreth të çmendurit kishte aq shumë copa buke, copa mishi, djathë, lëkura qengji, lëkura dhie, mace të shqyera, minj të ngordhur, si dhe rroba të vjetra të grumbulluara nga shtëpitë, por që i çmenduri nuk i kishte prekur me dorë.
Për shkak se nga qentë asnjëri m nuk iu bind thirrjeve të të zotit, dikush hodhi një gur midis tyre. Përsëri ata nuk lëvizën. Madje as kokën s’e kthyen nga erdhi guri. “I dyti” i shqetësoi paksa qentë, por jo njeriun midis tyre. Ata skërmitën dhëmbët në drejtim të sulmuesve. U egërsuan më shumë sidomos kur fshatarët, pasi thirrën në emër çdonjëri qenin e vet, për t’i larguar me çdo kusht nga “i çmenduri” e për t’i dhënë me këtë rast një dru të mirë atij, që po i përdorte ata për të grabitur shtëpitë e tyre, filluan t’í bombardojnë me breshëri gurësh …Por ishte e pamundur. Krejt e pamundur, pasi kafshët u bënë gardh rreth FytyrëMishnjeriut, mbuluar këmbë e kokë me rrecka dhe vdekja do të ishte ajo, që mund t’ i ndante prej tij. Qe ky shkaku që fshatarët nisën luftën e vërtetë me gurë, hobe, sfurqe dhe hunj të trashë, nga të katër anët… Njeriut rrallë i takon të shohë një skenë të tillë si ajo e atij mëngjesi në fshatin Daullas të Fierit, kur qentë e armiqësuar me të zotët e shtëpisë, bëheshin copë e çikë për të ndaluar furinë e gurëve e të druve, që vërviteshin për të goditur trupin e njeriut të mbrojtur nga ata, të cilët kërcenin përpjetë, duke ulëritur nga dhimbjet e gurëve që i prisnin me gjoks, shputa e tureçka, ndërkohë që njeriu i shtrenjtë i tyre lëshonte lutje dhe klithma drejt qiellit ..Ose shante dhe mallkonte njerëzit që e sulmonin…
Dikur, një popël e madhe ra mbi shpatullën e tij dhe ai, nga dhimbja, si një hero i vërtetë, nisi të recitonte me zë të lartë :
“Po në ato llogore
ku sulmon brigada
Me pushkë, libra, kazma dhe lopata
Atje,
Me vrull e zjarr
Me ligjërime
Shko dhe lufto si dje,
O kënga ime…”
Këtë potere kaq të madhe e mori vesh i tërë fshati. Ama, jo të gjithë vajtën atje për të luftuar me qentë e tyre. Disa nga ata gjuanin me gur, shanin e mallkonin, të tjetërët shikonin të habitur betejën që bëhej përherë më e ashpër, më e egër…
“Vjershë, o vjershë, shko si bombë
Me tërbim
Shko përpara si flamur
si kushtrim…”
Thërriste “komandanti” për t’í dhënë zemër çetës së tij, që mbrohej me vetëmohim…
Zgjati ca kohë ajo luftë e pashembullt, e pabarabartë… Por kulmin e arriti kur një gur tinëzar, fluturoi mbi kokat e qenve dhe ra mbi kurrizin e pambrojtur të rreckamanit, që vazhdonte recitimet dhe bashkëbisedimin me qiellin. Në fillim u dëgjua një klithmë e hollë, si tingull klarinete, pastaj mori trajtën e një bulurime kau, e llahtarshme, sa përmbyti krejt thirrjet dhe të lehurat përreth. Ushtoi vetëm një thirrje e fuqishme nga gurmazi i “komandantit” :
– Përpara, përpara…! T’i zhdukim njerëzit e këqij…njerëzit e pafe…Kom…
Aq tha ai dhe u shemb në tokë, duke rënkuar, si kalama…Heshtje.
Qentë, që u shpërndanë të trembur, u grumbulluan përsëri rreth njeriut, i cili dergjej me rënkime që të këpusnin shpirtin…
Një pjesë e fshatarëve u larguan të kënaqur me atë që panë e dëgjuan, ndërsa të tjerët ulën kokën të penduar pse u ndodhën në atë ngjarje të shëmtuar. Me siguri që u trishtuan….
( Të paktën, kështu rrëfejnë ata që jetojnë ende )
Populli thotë një shprehje: “Një budalla hedh një gur në pus, dyzet të mençur s’e nxjerrin dot !”
Sepse, me një urdhër të organizatës së partisë, filluan menjëherë diskutimet në çdo brigadë të kooperativës, për ngjarjen e njeriut të çmendur, për qentë dhe njerëzit e fshatit. Anëtarët e partisë, me këtë rast u bënë promotorë të diskutimeve të zjarrta për të vjelë mendimin e popullit. Për të mësuar nëse dikush nga fshatarët dinte diçka për jetën e njeriut të çmendur ose për identitetin e tij të vërtetë, pa lënë pas dore thirrjet e tij “për të sulmuar të pafetë”, apo kuptimin e fjalëve të shqiptuara përgjysmë, që mund të shpjegoheshin me disa nënkuptime politike…
Porosia ishte : Nëse ndonjë nga fshatarët dinte diçka për të vërtetën e të çmendurit, le të pranohej pa dorashka se, ai kishte qenë njeri i rëndësishëm i partisë e i luftës nacionalçlirimtare, ishte katandisur në atë derexhe prandaj partia po e demaskonte si armik potencial të partisë e të pushtetit popullor, pavarësisht gjendjes mendore e fizike, në të cilën ndodhej në këto kushte …
Diskutimet në fillim qenë të tilla që, nuk i dhanë rëndësinë e duhur ngjarjes dhe personit në fjalë, pasi përpjekjet ishin për t’i banalizuar në një farë mënyre, ngjarjen dhe personin e çmendur. Nuk ndodhi kështu sepse disa nga populli, që donin të nxirrnin “kunj ” me anëtarët e partisë, qëllimisht e frynë ngjarjen me komente të ndryshme, sidomos me fjalët e të çmendurit për “të pafetë”, me gjasë ai kishte dashur të godiste ideologjinë e partisë dhe ateizmin e komunistëve….Ndërsa me fjalën…”kom…”,që s’arriti ta përfundonte, kishte dashur të thoshte : “komiteti…”…”komisari..” “komploti”….“komunistët.”…“kominterni”… “kombishti” ..”kombinati” …e tje, e tje. Kuptime që u hodhën poshtë nga shumica e anëtarëve të partisë, si të pavërteta e të pabazuara…..
Gjithsesi, nga mbledhja e stisur dolën të kënaqur të gjithë, ngase nuk u dëmtua “uniteti i popullit rreth partisë”, mbi të gjitha, nuk dolën në dritë të vërtetat për njeriun që jetonte në shoqëri me qentë e fshatit…Ai mbeti ashtu siç e dëshironte partia, i panjohur, i çmendur, i pavlerë, i parrezikshëm, siç e meritonin të gjithë të paaftët në shoqërinë komuniste, pasi, si të tillë, ata nuk ishin në gjendje të punonin e të luftonin për ndërtimin dhe mbrojtjen e socializmit ngadhënjimtarë…
* * *
… Shtrirë përtokë, ai përpiqej të ngrihej, por s’e mbanin këmbët . I dukej sikur fryma i dilte nga kurrizi aq shumë e dhimbshme dhe e madhe ishte plaga. U rrëzua përsëri në tokë. Pranë i rrinte qeni leshzi, më i bukuri ndër të gjithë qentë e fshatit, edhe pse mezi merrte frymë nga vapa e madhe. Gjuha e hollë, e kuqe i dridhej midis dhëmbëve të vegjël si sharrë, sigurisht nga etja dhe pagjumësia, sytë e zinj, midis ballit të hirtë, gati i perëndonin nën vetullat e trasha. I çmenduri u gëzua që kishte pikërisht atë aty pranë. Zgjati dorën dhe e përkëdheli. Leshziu futi gjuhën brenda dhe përdrodhi trupin, si të ishte vajzë lozonjare.
– Flladina ! – I tha ai i mallëngjyer. (U kishte vënë emra njerëzish qenve, emra shokësh, miqsh) – E pe moj, ç’na punuan besnikët e partisë? Na mbytën me gurë e fjalime të egra… Vetëm nga inati pse ne mbetëm besnikë të idealeve tona të pastra, besnikë të idealeve komuniste…u dënuam me vdekje-pushkatim, ose për të qenë përjetësisht “të çmendur”, pasi nuk pranuam rrugën e tradhtisë, siç dëshironte Mugosha e Meladini… Unë ju mbështeta fuqimisht, atëherë, në Berat, kur godita drejtimin e partisë…ngaqë e dija ku po shkonim me vijën terroriste e antikombëtare, se si do të katandiseshim po të vazhdonim strategjinë e përpiluar nga udhëheqja serbe, ja, mu kështu siç jemi sot… të cilin ata e arritën …Eh, sa e zgjuar, dhe e trime ke qenë ti, moj Flladina!…Ua thashë sy për sy, atëherë, në Berat delegatëve se : “Partinë dhe Ushtrinë nacionalçlirimtare e kishim shndërruar në bandë hajdutësh dhe kriminelësh…”. A të kujtohet ?…Apo nuk e thashë kështu ? … Por ti, ama, bëre krim të pafalshëm që vrave prapa shpine Mustafa Gjinishin, burrin e mençur e të kulturuar që kishte udhëheqja e jonë… Oh, sa më dhëmbë plaga!…Më ndihmo, të lutem të ngrihem!…Hajde, shtrëngomë!… Gjinishin tonë, moj, patriotin dhe largpamësin, që organizoi mbledhjes historike të Mukjes… Trimin, moj, që në Labinot ia plasi në fytyrë Enver Hoxhës, kur deklaroi se : “Kush ta ka dhënë ty të drejtën, mor maskara, të caktosh kufijtë e Shqipërisë, për të cilët kem pesë vjet që po luftojmë për t’i rimarrë… Shtabi i luftës nacional-çlirimtare nuk do të njohë kufijtë e vitit 1939, siç dëshiron ti dhe këshilltarë serb, por të Shqipërisë Etnike ”… Apo nuk ia thashë kështu ? …
“Flladina” afroi kokën pranë fytyrës së tij dhe e lëpiu në faqe.
– Siç vranë Gjinishin pabesisht, agjentët e Titos vranë edhe Nako Spiron, me gjasë sikur ai kishte vrarë veten …Unë bëra një poezi, atëherë, për Nakon, një elegji të bukur…E kam dashur shumë atë djalë….Ishte për t’u dashur…E donte Shqipërinë…pa diktatin e serbëve. I vetmi që m’i vlerësonte poezitë e mia. “ Janë me taban kombëtarë”, më thoshte… Ka mundësi të mos i kesh lexuar poezitë e mia. I botova me emër tjetër, Lame Kodra…Kështu njihem edhe në librat e shkollës. Tani s’jam më nëpër librat shkollor … se gjërat nuk shkojnë më sipas interesit të këtyre që bëjnë historinë. Ty si të varrosën, me fëmijën e vogël në bark apo linde njëherë, pastaj të pushkatuan?…Kishte të drejtë Shote Galica kur thoshte se “plumbi me plumb del”…Ju thashë, atëherë, në Berat, por s’më dëgjuat … Duhet të ishim bashkuar të gjithë një zëri për të dënuar praktikat kriminale që u përdorën gjate luftës, kundra nacionalisteve, dhe partizanëve tanë që u pushkatuan me pa të drejtë, vetëm pse mendonin për një Shqipëri Etnike… Vërtet ishim komunistë, por jo antishqiptarë…Vërtet ishim miq me jugosllavët, por kurrë për të realizuar qëllimet e tyre shoviniste dhe antishqiptare…Lëre, lëre Flladina, e djallosëm qyshse “prishëm Mukjen” , u bëmë shërbëtorë të këqij të kombit tonë… Na i hodhën serbët…E ndërtuan partinë dhe luftën nacionalçlirimtare, siç deshën ata…Vranë me të pabesë njerëzit tanë më të mirë… komunistët që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike, vranë me dorën tonë intelektualët e shquar kosovarë për të pasur dorë të lirë për Kosovën…Jo se ne jemi të pafajshëm, por të paktën e kundërshtuam politikën e mbrapsht të vartësisë, servilizmit dhe interesave antikombëtare… Për ty dhe burrin tënd, ç’është e vërteta, s’é kuptoj pse u erdhi radha për t’u dënuar me pushkatim? S’më kujtohet nëse keni qenë ndonjëherë kundra politikave jugosllave !… Apo nuk ju donte udhëheqja e Tiranës ?
Ai fliste me ndërprerje nga dhimbjet e plagës në shpinë, ndërkohë që qeni leshzi me një tufë leckash të kapura me dhëmbë, përpiqej ta tërhiqte me forcë trupin e tij. Ai bërtiste:
– Jo, jo ! Më lëndove…katile ! Lëshomë !..Oh, sa më dhëmbë plaga !…E di, të njoh… je e pamëshirshme !…Oh, sa ma ngule thikën !
E goditi me pëllëmbë në fytyrë.
Por qeni i nevrikosur, nguli thonjtë në tokë dhe e tërhoqi zvarrë….
– Ik, të them moj…Lëshomë ! E shitur…ik ! Lemë të vdes rehat…
Ata u kacafyten një copë herë me duar e thonj, deri sa kafsha e çoi të plagosurin nën hijen e një fiku të stërmadh. E la aty dhe iku. Ai dridhej dhe rënkonte nga dhimbjet. Pas pak mbylli sytë dhe u përhumb në një gjumë letargjik…
E kuptoi se gjendej i zhytur në rrecka të fëlliqura, gjithë baltë e lëtyrë gjellësh të jargavitura, kur erdhi ne vete dhe u tmerrua… por edhe u çudit pse afër tani rrinte qeni kokëmadh, me sytë që i llamburitnin nga egërsia. E njohu.
– Eh, mo, Koçi…puna jote aferim ! – I tha – Na ndrite ti si proletar i vërtetë !… Ta them unë pse të pushkatuan…Mos qesh, o derëbardhë ? Nuk e kupton pse e hëngre plumbin ? ? Po s’e pate kuptuar, mësoje, o lumëzi! Ndodhi, ngaqë serbët të donin të parë ty për të drejtuar Shqipërinë, si ortodoks i thjeshtë e i pastër që ishe. Kurse grekët futën në thes Enverin… Lufta midis Asfalisë dhe UDB-së për ju të dy qe e tmerrshme. Fitoi Asfalia. Po të fitonte UDB-ja, do ta hante Enveri…Epo, kështu ndodh kur shikon vetëm bythën tënde dhe punon për hesapin e të tjerëve, kundra interesave të popullit tënd… Po “shkodrani”, mo, ai, katoliku, ku është. pse nuk ndodhet me ju?..E ke takuar Tukun, mo?….Atë komunistin e ndershëm që e urrente luftën e klasave… Thoshte me bindje se komunistët shqiptar luftuam për të dëbuar fashistët dhe nazistët dhe jo për të vrarë e burgosur shqiptarët … Në luftë, kur përplasen dy vezë, njëra thyhet, apo jo? S’ka më arsye të vriten njerëz pse nuk pëlqejnë regjimin politikë pas luftës… E kam dashur shumë shkodranin se ishte njeri i drejtë.E shtruan qëllimisht, në spital, për ta mbytur, xhahilët, me kollaj … Po “Bedriu, mo,… “… i vogël si flori”, thoshte kënga partizane për të?…. Është çmendur edhe ai si unë …Eh, sa pishman u bë ai njeri… Në fund të fundit mirë t’i bënetë… Bëri budallallëk… Ç’ishte Enveri mo, para tij? Një birbo, ja ç’ishte !….Ai s’duhet ta linte birbon e mëhallës të bënej aq i madh….E njihte me rrënjë e dhëmballë …
Mirëpo, nuk vazhdoi dot më se u mek. Siç duket, ngaqë foli shumë e fuqi s’kishte. Shkuma e bardhë i doli, ufa – ufa, nga goja. U mavijos në fytyrë… “Koçi Xoxe ” filloi ta lëpinte në faqe, në ballë e në gushë… që ta sillte në vete. Por ai u vithis përsëri në humbëtirën e lëngatës dhe të urisë, që po ia gërryente zorrët e boshatisura…
***
Pas debateve nëpër brigadat e kooperativës, kureshtarë për të parë kur ai të jepte shpirt, njerëzit erdhën përsëri aty ku ndodhej i çmenduri. Disa të rinj e të reja u lemerisën kur e panë duke dhënë shpirt, kurse të moshuarit, sipas traditës, u përkulën mbi të me keqardhje, për t’ia shtrirë këmbët e krahët…I pastruan buzët, fytyrën, ndërsa nën kokë i vendosën diçka të butë që të mos vuante….Erdhën edhe disa plaka, gra, nuse të reja…Me të parë atë duke vdekur, filluan me të qara… Gjynah!.. Po vdiste një njeri….
Por papritur dikush thirri nga turma :
– Largohuni!.. Ikni! Nuk u takon juve të kujdeseni për atë njeri që nuk e meriton…Ndryshe, do të ishte midis nesh, do të punonte e jetonte me ne, si revolucionarë… Hajt, shporruni!
U larguan të gjithë dhe e lanë përsëri vetëm njeriun, që vazhdonte të lëngonte dhimbshëm nga plagët e trupit e të shpirtit…
Kaluan ditë, muaj … Kaloi dhe viti, që i çmenduri në shoqëri me qentë të bëhej si njeriu i fshatit. Askush nuk e përmendte më ngjarjen e dikurshme, kur qentë e fshatit luftuan me të zotët e tyre për ta mbrojtur atë… Edhe policia, pasi e kishte këqyr dy-tri herë shoqërinë e tyre, madje ishte argëtuar një copë herë me ta, plotësoi një procesverbal, sigurisht sipas ligjeve të shtetit, për gjendjen e njeriut të papërgjegjshme, i përcaktuar, sipas tyre, “i padëmshme për shoqërinë në përgjithësi, veçanërisht për popullatën e zonës, ndaj lihet i lirë në ekzistencën e tij”…
Ishte krijuar bindja për të gjithë se, po të mbeste i çmenduri një kohë të gjatë në një vend, shtrirë, pa lëvizur muaj të tërë, mes miqve të tij, me siguri që eshtrat do t’i treteshin së bashku me grumbullin e kockave të qenve, që e donin aq shumë.
Nga vinte dhe kush ishte ky njeri para se të çmendej, askush nuk e mori vesh…
Kur kthehej ai në qytet, në shtëpinë e tij, gruaja me të zeza, që pastronte dhe kujdesej për të, largohej pa hyrë ai në banjë. Pasi lahej, ndërrohej dhe mjekonte plagët e qelbëzuara, ai ulej në tavolinën e pastër, mbushur me gjellë të ngrohta e fruta të freskëta…Pastaj shtrihej në krevatin me çarçafë të bardhë e të hekurosur dhe flinte deri sa trupi i tij ndjehej përsëri në gjendje për të përballuar peripecitë e një dite tjetër në shoqëri me ish – bashkëluftëtarët e tij të një fati…
FUND 1978.