“Koleksioni i Biblave”, një shtegim përmes shekujve të shkrimit të shenjtë dhe trashëgimisë sonë të rrallë kulturore

Nga Albert Vataj
Hapja e ekspozitës “Koleksioni i Biblave” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë shënon një prej ngjarjeve kulturore më të rëndësishme të këtij viti. Në vijim të ciklit të ekspozitave që synojnë të zbulojnë thesaret e fshehura të fondit të pasur bibliotekar, kjo ekspozitë ndërton para syve të publikut një mozaik të rrallë: historinë e librit të shenjtë, të përkthimit dhe të shtypshkrimit në hapësirën shqiptare për më shumë se pesë shekuj.
Rreth 100 Bibla të rralla dhe plot 452 materiale biblike, të shtypura nga shekulli XV deri në shekullin XIX në qendra të mëdha kulturore evropiane – Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më gjerë – vijnë si dëshmi e gjallë e një historie që shtrihet përtej kufijve të besimit, duke u bërë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe identitare. Këto vepra nuk janë vetëm objekte të çmuara grafike; ato përfaqësojnë përpjekjet mijëravjeçare të njeriut për të shkruar, ruajtur dhe transmetuar Fjalën.
Një hapje e ngrohtë dhe një pritje që tejkaloi çdo pritshmëri
Në ceremoninë e çeljes, që u prit me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku, u shënua një atmosferë e ngarkuar me admirim, respekt dhe një lloj gëzimi të thellë kolektiv – një “dehje” e bukur shpirtërore, siç e përshkruan me të drejtë vetë ekipi organizator.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Piro Misha, në fjalën e tij, i shoqëroi vizitorët në një udhëtim të hollësishëm përmes thesareve të ekspozuara, duke u ndalur si te vlerat historike, ashtu edhe te historia e huaj e këtyre botimeve, që kanë kaluar shekuj, kontinente, luftëra dhe lëvizje popujsh për të mbërritur deri në duart tona.
Ndërsa z. Toni Gogu, ministër i shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, vuri theksin te rëndësia e kësaj ekspozite për historinë e shkrimeve të shenjta në gjuhën shqipe, duke nënvizuar se çdo Bibël në këtë koleksion është një kapitull i heshtur i historisë sonë shpirtërore.
Një vlerësim i posaçëm iu kushtua edhe z. Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri, partner i rëndësishëm në këtë projekt, i cili theksoi rolin e shtypshkronjave italiane në historinë e Biblës së botuar dhe në dialogun kulturor ndër shekuj me hapësirën shqiptare.
Një udhëtim përmes përkthimeve të shenjta – nga Buzuku te Dom Simon Filipaj
Ekspozita shpalos, me një ndërthurje të jashtëzakonshme, historinë e përkthimit të Biblës në gjuhën shqipe – një histori që nis me Mesharin e Gjon Buzukut më 1555, vijon me Doktrinën e Krishtenë të Budit, Çetën e Profetëve të Bogdanit, për të përfshirë më pas rilindasit, pionierët e kulturës dhe figurat e mëdha të letrave shqipe: Kristoforidhin, Qiriazin, Fan Nolin, Dom Simon Filipajn, si dhe përpjekjet e Shoqërisë Biblike Angleze në shekullin XIX.
Kjo kronologji e përkthimeve e shndërron ekspozitën në një laborator të gjallë të historisë së gjuhës shqipe. Secila Bibël, secili dorëshkrim është një pikë në hartën e zhvillimit të fjalës shqipe, e përpjekjes për të sjellë librin e shenjtë në gjuhën e popullit dhe të krijimit të një identiteti kulturor të qëndrueshëm.
Trashëgimia e librit të shenjtë dhe përmasat e tij kulturore
“Koleksioni i Biblave” nuk është vetëm një ekspozitë, por një ndërtesë e kujtesës. Ai na kujton se fjala e shkruar ka qenë gjithnjë një bosht rrotull të cilit janë endur spirancat e kulturës, besimit, moralit dhe identitetit. Historia e këtyre librave është edhe historia e shtypshkrimit, e përhapjes së dijes, e përkthimit si akt kulturor dhe shpirtëror, e luftës për të folur me zërin e vet – një luftë që shqiptarët e kanë përjetuar thellësisht.
Thirrje publike dhe vlerë e qëndrueshme
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga 19 nëntori 2025 deri më 19 dhjetor 2025, çdo ditë nga ora 09:00 deri në 20:00. Ajo përbën një ftesë për studiues, besimtarë, studentë, historianë, bibliofilë dhe çdo njeri të interesuar për trashëgiminë tonë të shkruar të vizitojë një hapësirë ku shekujt flasin me një qetësi madhështore.
“Koleksioni i Biblave” nuk na jep vetëm mundësinë të admirojmë libra të rrallë – ai na fton të kuptojmë rrënjët e kulturës sonë, të vlerësojmë punën e atyre që përkthejnë, ruajnë e transmetojnë dijen, dhe të rivlerësojmë Fjalën si akt themelor të njerëzimit.
KOHA JONË SONDAZH

