Komisioni në Vlorë, Mazniku: Fokusi te mënyra e funksionimit të njësive! Boçi: Ka bashki të diskriminuara që mezi mbyllin muajin
Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale është ndalur ditën e sotme në Vlorë, në dëgjesën e radhës me qytetarët. Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari socialist i Komisionit, Arbjan Mazniku, është shprehur se fokusi i diskutimeve duhet të jetë sesi bashkitë t’i zbatojnë si duhet kompetencat që kanë dhe jo te ndarja e territorit. Po ashtu, Mazniku tha se nëse Shqipëria do të hyjë në BE brenda vitit 2029, do të nevojiten bashki të forta për të përfituar nga 2 prej fondeve të BE-së për vendet anëtare.
Sipas Maznikut, një nga problemet që ekziston sot me ndarjen territoriale, ka të bëjë me çuarjen e një funksioni në një vend që nuk ushtrohet dot. “Është një moment që ne mund të shohim si mund t’i bëjmë bashkitë më efiçente. Si mund t’i bëjmë më efektive. A e kanë mundësinë për të gjeneruar më shumë të ardhura? Ndaj kërkesa ime për dëgjesën e sotme është që të diskutojmë për mënyrën sesi bashkitë ta zbatojnë si duhet funksionin që kanë. Pastaj kalojmë te territori. Sepse kur flasim për territorin, ndizen pasionet e territorit. Territori s’duhet të jetë i vetmi faktor determinues. Një nga problemet që ne kemi, ka të bëjë me çuarjen e një funksioni në një vend që nuk ushtrohet dot.
Ndaj është e rëndësishme që të diskutojmë si kanalet kulluese të funksionojnë, pastrimi i qyteteve të bëhet, etj. Reforma duhet të impaktojë jo thjeshtë 4 vjeçarin e ardhshëm, por të impaktojë si Shqipëria zhvillohet në 40 vitet e ardhshme. Jemi 1 vit para zgjedhjeve vendore. Kemi mundësi që të bëjmë një reformë bashkarisht para zgjedhjeve. Nëse në 2029 Shqipëria bëhet vend anëtar i BE-së në 2029, vendi mund të përfitojë nga 2 fonde të BE-së, që kërkojnë që të kemi bashki të forta. Sot raporti i PE-së ka një paragraf të posaçëm për punën e Reformës”, tha mes të tjerash Mazniku.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, tha se Vlora është shembulli më i qartë i dështimit të Reformës Territoriale të vitit 2014. Gjatë fjalës së tij, Boçi theksoi se Reforma Territoriale duhet të përmbyllet në mënyrë konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës, pasi në të kundërt sipas tij, nuk do të kishte vlerë. Boçi deklaroi më tej se shumë bashki në Shqipëri sot janë të diskriminuara në marrjen e fondeve dhe ‘i kanë duart e lidhura’ për të vepruar.
“Thënia e të vërtetave me zë të lartë në Vlorë është pjesë e shpirtit vlonjat. Ajo që ne kemi kërkuar si përfaqësues të PD-së, është që Komisioni i Reformës Territoriale duhet të ketë një konkludim konsensual. Përndryshe gjithë investimi i bërë gjatë kësaj kohe, do të shkonte dëm. Territori nuk lexohet në Parlament, por këtu në dëgjesat publike, në fshatrat dhe lagjet e Vlorës, në mungesën e shërbimeve dhe problemet e mëdha që ka qarku i Vlorës. Reformat janë ato që sjellin pasojë të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit. Pushteti vendor ndikon në çdo stad të jetës, madje ai përcakton edhe nivelin e lumturisë dhe dashurisë që ne kemi me vendin, me territorin, me lagjen, me shtëpinë.
Prandaj edhe kjo reformë ka një rëndësi specifike. Këtu na ka sjellë shqetësimi qytetar, jo e mira që na solli reforma në 2014. Kryebashkiakët i kanë duart e lidhura, kanë shumë ndërhyrje nga pushteti qëndror në Shqipëri. Sot Kroacia që ka mbi 550 njësi vendore, ka marrë miliarda nga BE. Nuk është pengesë, që ne të reduktojmë numrin e bashkive, për marrjen e fondeve nga BE. Vlora është rasti më tipik i dështimit të Reformës Territoriale. E thotë raporti i 2024 i Bankës Botërore. I referohet Bashkisë Vlorë dhe Selenicë. Ka bashki që kanë mbështetje qeveritare, por kanë bashki që mezi shtynë muajin, mezi nxjerrin pagat. Por diskriminimi nuk mbaron këtu”, tha mes të tjerash Boçi.
KOHA JONË SONDAZH

