Kryebashkiaku Benet Beci takon Kroni Pulën, fituesen e Festivalit të Fëmijëve që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision Junior

Benet Beci takon Kroni Pulën

Nga Albert Vataj

“Pak orë para nisjes për Eurovision Junior, takova Kroni Pulën, fituesen e edicionit të 63-të të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë të mbajtur si përherë në Shkodër, në qytetin e legjendarëve të muzikës dhe këngës, në skenën që u ngjiten yjet e muzikës shqiptare me hapa të ndrojtur për t’u shndërruar në zërat që përfaqësojnë këtë art të magjishëm me talentin dhe shpirtin e tyre.

Në një publikim në rrjetet sociale, Beci shprehet me entuziazëm për këtë moment të veçantë:
“Për herë të parë në histori, fituesi i këtij festivali shkon drejtpërdrejt në Eurovision Junior. Kroni do të përfaqësojë Shqipërinë me këngën ‘Fruta Perime’ dhe jam i sigurt se do të na bëjë të gjithëve krenarë. Ajo ndezi edhe dritat e festave në Shkodër, duke sjellë gëzim, emocion dhe shumë energji. Shpresojmë që kjo të jetë një ogur i bukur për skenën e madhe!”

Takimi i tyre nuk ishte thjesht protokollar. Ai ishte simbolik—një urim, një mbështetje dhe një shenjë mirënjohjeje për talentin që ky qytet vijon të kultivojë brez pas brezi. Shkodra, që prej kohësh njihet si djep i artit, këngës dhe kulturës shqiptare, shfaq edhe njëherë aftësinë e saj për të nxjerrë në pah talente të pastra, të çiltëra, të gatshme për të marrë skena ndërkombëtare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe nuk ishte rastësi që pikërisht Kroni ndezi dritat e festave në Shkodër. Në atë mbrëmje magjike, në atë shesh ku mijëra njerëz u mblodhën për të pritur ritin e çdo dhjetori, zëri i saj i pastër dhe energjia fëminore u shndërruan në një dritë tjetër—atë të shpresës, të gëzimit, të së ardhmes.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky talent i ri është, në fakt, një reflektim i asaj çfarë Shkodra ka ditur të ruajë: një kulturë që përqafon të bukurën, një komunitet që e ushqen artin dhe një qytet që nuk resht së prodhuari vlera. Festivali i Fëmijëve, i cili prej dekadash mbahet në Shkodër, është vetë dëshmia se ky qytet di të rrisë këngën që nga hapat e parë të jetës, ta edukojë, ta shoqërojë, ta ngrejë.

Mbrëmja e ndezjes së dritave ishte një manifestim gjigand, një rikthim i madhështisë së qytetit, një çast kur shkodranët patën arsye të krenohen me atë që janë dhe me atë që japin. Dhe në qendër të këtij emocionimi – Kroni Pula: një vajzë që mban mbi supe gëzimin e një qyteti dhe besimin e një kombi të tërë.

Shkodra, me këtë fëmijë të talentuar, me këtë energji të gjallë e të bukur, jo vetëm që shënon të tashmen, por edhe ngjyros të ardhmen. Një e ardhme që vjen me dritë, me muzikë dhe me fytyrat e këtyre fëmijëve që e bëjnë qytetin të flasë ndryshe, të shkëlqejë më fort, të mbetet në histori. Dhe kështu, përmes Kronit, Shkodra flet sërish me botën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?