Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga plazhi i Velipojës si dhe përshtypje të pushuesve
Plazhi i Velipojës, në Shkodër, gjatë këtij sezon veror po frekuentohet nga pushues të shumtë, që kanë zgjedhur këtë zonë bregdetare për të kaluar fundjavën dhe për të shijuar detin, diellin dhe atmosferën e pushimeve.
Gjatë të dielës së fundit të muajit gusht, e gjithë vija bregdetare e Velipojës është mbushur me pushues vendas dhe të huaj, të cilët kanë frekuentuar plazhin duke shijuar temperaturat e larta dhe ujërat e Adriatikut.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Velipojës si dhe përshtypje të pushuesve.
“Unë jam nga Shkodra. Vij çdo vit këtu. Çdo vit edhe zhvillohet, rregullohet e shumë sumë mirë. Gjithmonë këtu vijmë”, tha një turiste.
“Më duket Velipoja shumë e bukur. Çdo vit vij këtu”, tha një tjetër turist.
Velipoja, e gjendur rreth 30 km larg Shkodrës, vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të verës në veriperëndim të vendit, falë plazhit të gjerë ranor, natyrës përreth dhe mundësive që ofron për pushime familjare dhe argëtim.
Ky plazh, i gjatë 14 km dhe i gjerë rreth 300 metra, kombinon detin, pyjet, lagunat dhe malet, duke krijuar një peizazh unik.
KOHA JONË SONDAZH

