Mesazhi pas-festival i maestro Elton Deda, një manifest etik i profesionistit të vërtetë

Nga Albert Vataj
Ky mesazh i maestro Elton Deda nuk është thjesht një status pas-festivali; është një manifest etik i profesionistit të vërtetë, një dëshmi se arti nuk mbaron me duartrokitjen e fundit, por fillon pikërisht aty ku hesht zhurma dhe mbetet ndërgjegjja.
“Festivali mbaroi” – kjo fjali e shkurtër, e thënë pa patetizëm, ka peshën e një frymëmarrjeje të thellë pas një maratone. Ajo nuk shpall triumf, as nuk kërkon lavdi. Përkundrazi, hap derën e reflektimit. Deda e vendos veten në anën më të vështirë të profesionit: atë të kritikës, jo si goditje, por si instrument pastrimi, si nevojë për rritje. Ai nuk i trembet kritikës, sepse e di se arti që nuk vihet në provë nga mendimi kritik, shndërrohet në vetëkënaqësi sterile. Ajo që refuzon është mllefi, frustrimi i zhveshur nga mendimi, zhurma e boshatisur që e përdor internetin si kanal shfryrjeje dhe jo si hapësirë dialogu.

Në këtë qëndrim ka dinjitet, por edhe kulturë artistike. Maestroja flet si dikush që e njeh peshën e trashëgimisë së Festivalit të RTSH-së, një aktivitet “herkulian”, siç e quan ai vetë, ku çdo hap është i matur nga historia dhe çdo gabim peshohet nga kujtesa kolektive. Modestia me të cilën ai e vendos punën e vet “në raport” me këtë trashëgimi është një nga shenjat më të qarta të madhështisë profesionale: vetëm ata që e njohin mirë historinë, nuk e vendosin veten mbi të.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por pjesa më e bukur e këtij rrëfimi nuk është polemika e qetë me kritikën; është mirënjohja. Një mirënjohje e rrallë, konkrete, me emra, fytyra dhe role. Deda zbret nga podiumi i dirigjentit dhe hyn në territorin njerëzor të artit: aty ku festivali nuk mbahet nga dritat e skenës, por nga netët pa gjumë, partiturat e përleshme, oraret çnjerëzore, lodhja që nuk transmetohet kurrë në ekran. Ai i quan muzikantët e bandës “në kufijtë e heronjve” dhe një prej tyre “Akili i bandës” – një metaforë që i jep punës së tyre përmasë epike, por pa e humbur ngrohtësinë e shokërisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Po aq domethënës është respekti për ata që zakonisht mbeten në hije: produksioni, teknika, organizatorët, stafi i orkestrës simfonike, njerëzit e ASLV-së. Këtu fjala e maestro-s bëhet një akt drejtësie morale, sepse i rikthen këta profesionistë nga anonimiteti në qendër të vëmendjes, aty ku e kanë vendin. Ai nuk i falënderon nga detyrimi, por nga vetëdija se arti është gjithmonë një vepër kolektive, edhe kur në skenë duket individual.

Në fund, ky mesazh mbyllet jo me një deklaratë force, por me një ftesë njerëzore: të shijohet qetësia, të mos “vritet mendja”, të pranohet se çdo gjë, me gjithë papërsosmëritë, është “OK”. Është fjala e një artisti që e di se perfekti absolut nuk ekziston, por se ndershmëria, puna dhe dashuria për profesionin janë forma më e lartë e suksesit.

Në këtë kuptim, postimi i Elton Dedës është më shumë se një reagim pas-festivali: është një leksion për artin si përgjegjësi, për kritikën si domosdoshmëri dhe për mirënjohjen si fisnikëri. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai i përket jo vetëm kronikës së Festivalit të 64-t, por kujtesës morale të tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?