Muzeu Historik pasurohet me objekte të rralla të Kol Idromenos, “Dhuratë me shpirt për Shkodrën” nga pasardhësit e Motrës Tone
Nga Albert Vataj
Muzeu Historik Shkodër ka bërë një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, duke pasuruar fondin e tij me objekte të rralla dhe të çmuara që lidhen me jetën dhe veprën e një prej figurave më të mëdha të artit shqiptar, Kolë Idromeno. Përmes një postimi në rrjetet sociale, muzeu e ka cilësuar këtë akt si një “Dhuratë me shpirt për Shkodrën”, duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj trashëgimtarëve të artistit, të cilët, me ndjenjë përgjegjësie dhe dashurie për rrënjët, kanë rikthyer në qytet një pjesë të çmuar të historisë së familjes Idromeno dhe të artit shqiptar.

Në këtë rast të veçantë, muzeu mori bustin e Kolë Idromenos dhe veshjet origjinale të motrës së tij, duke dëshmuar se kujtesa nuk humbet kur ruhet me zemër. Ky akt i dhurimit simbolizon një rikthim të vlerave kulturore dhe shpirtërore në zemrën e qytetit, duke lidhur të kaluarën me të ardhmen dhe duke rikujtuar rolin e Idromenos si themelues i identitetit artistik të Shkodrës.

Majlinda Laçaj, përgjegjëse e Muzeut Historik Shkodër, e përshkroi këtë gjest si një moment historik për qytetin dhe muzeun:
“Kemi të bëjmë me një rikthim simbolik të kësaj figure në qytetin e Shkodrës. Është një rikthim i vlerave kulturore dhe shpirtërore që lidhen ngushtë me rrënjët identitare të qytetit.”
Ceremonia u pasurua edhe nga pranisë e trashëgimtarëve të motrës së Kolë Idromenos, një figurë e jashtëzakonshme e jetësimeve artistike shqiptare, e cila pasqyron jo vetëm talentin, por edhe historinë ikonike të qytetit dhe qytetarisë shkodrane. Ata dhuruan gjithashtu një skulpturë të Kol Idromenos, realizuar 12 vite më parë nga mjeshtri Genti Tavanxhiu, duke i shtuar një dimension të ri koleksionit muzeor dhe duke e bërë pasurinë kulturore edhe më të prekshme për publiku.

Në këtë ditë të veçantë, Muzeu Historik Shkodër mirëpriti edhe regjisorin Vanin Gecaj, i cili po realizon një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së motrës së Idromenos. Në një intervistë për RTSH – Shkodra, Gecaj theksoi se prurja e re e dhuruar nga trashëgimtarët përbën një moment përfundimtar të filmit dhe premton një histori të veçantë, që do të pasqyrojë trashëgiminë dhe talentin e familjes Idromeno në dimensionin kulturor dhe historik.

Ky gjest fisnik është më shumë se një dhuratë materiale; ai është një shembull i gjallë se trashëgimia nuk është vetëm e shkuara jonë, por një dritë që ndriçon të ardhmen. Për familjen Idromeno, rikthimi i këtyre objekteve në muze ka një domethënie të veçantë: të kujtojë qytetin dhe të frymëzojë brezat e rinj për vlerat e artit, kulturës dhe identitetit kombëtar.

Fondi muzeor u pasurua me objekte të rralla dhe të jashtëzakonshme të Kolë Idromenos, duke siguruar që çdo vizitor i ardhshëm të ndjejë afërsinë me jetën dhe krijimtarinë e këtij mjeshtri. Ky moment nuk është thjesht një ceremoni, por një homazh i përhershëm ndaj trashëgimisë kulturore të Shkodrës, duke kujtuar se arti, memoria dhe zemra e një qyteti lidhen ngushtë, dhe se vlerat e së kaluarës duhet të ruhen dhe respektohen me dashuri dhe përgjegjësi.

KOHA JONË SONDAZH

