Naim Frashëri në Luftën Civile
– Po të ishte Naim Frashëri kundër nesh, sigurisht do ta kishim qëlluar….
Deklarata se do të vritej edhe vetë Naim Frashëri, u bë këto ditë tek po festohej 70-vjetori i Çlirimit (siç e kanë quajtur autorët dhe aktorët e Luftës). Shumë njerëz e kanë kontestuar dhe e kontestojnë fjalën "çlirim", duke i shkuar fjalës në të kundërtën e vet dhe duke e quajtur okupim, jo çlirim.
Kontestatorët, në fakt njerëz me shije antikomuniste por edhe të vuajtur prej regjimit gjakatar, thonë se ditën kur u largua pushtuesi i huaj, "vendin e pushtoi diktatura komuniste" me aktorë vendas. Bashkë me këtë ide vjen edhe e dyta se Lufta në fakt nuk ishte "çlirim", d.m.th., e lirisë, por ishte luftë vëllavrasëse, ose Civile.
Përballë këtyre dy ideve të njërit krah, krahu komunist ka ngritur paradigmën e vet. Në fakt jo komunizmi si regjim, sepse nën peshën e tij as që mund të tingëllohej kjo fjalë, por pasardhësit e komunizmit në shoqërinë e lirë demokratike. Këta thonë se "nuk ishte" Luftë Civile, por edhe "ishte luftë civile".
– Do të kishim qëlluar edhe mbi Naim Frashërin dhe do ta kishim vrarë, po të na dilte kundër!
Këtë deklaratë e bëri Gramoz Ruçi. Gramozi ka disa poste shumë të larta pushtet e politikë. Është nënkryetar i Partisë Socialiste që qeveris aktualisht. Është kryetar i Grupit Parlamentar Socialist. Ka qenë Ministër i Brendshëm në kulmin e diktaturës komuniste. Etj., etj. Thuajse Zot në tokë.
Gramozi, kur u ndje keq nga idetë se Lufta Nacional Çlirimtare (sipas fjalorit komunist) u kthye në Luftë Civile dhe solli konflikt të gjatë ndërqytetar. I ndodhur mes disa majtistëve në Fier ky ngriti shpatën e fjalës dhe tha se "edhe Naim Frashërin do ta kishim vrarë…".
Po ta pyesësh sot Gramozin, me mendjen e tij donte të thoshte se "nuk ishte Luftë Civile". Por në fakt pranoi se Lufta "Nacional Çlirimtare" ishte Luftë Civile. As poetin Kombëtar nuk do ta kishte kursyer pushka me yll, me drapër e çekan.
Kjo është. Por jo e tëra.
Partia në pushtet (po të bëjmë analogji me njëzet e ca vjet të shkuar mund të themi partia-shtet) i është kthyer përsëri pjesës së butë e vitale të shoqërisë. Domethënë i është kthyer panteonit të shkrimtarëve, poetëve, artistëve, filozofëve, jezuitëve, gjuhëtarëve, etj. Pse do të qëllohej edhe mbi Naim Frashërin, vallë?
Në këtë rast, numri Dy i shtetit të majtë aktual, transmeton gjithë skemën e re. Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, nuk jeton më që nga tetori i vitit 1900. (Duket sikur edhe vitin e vdekjes e zgjodhi vetë të rrumbullakosur si për të mos krijuar keqkuptime me regjimin e ardhshëm të komunizmit). Mirëpo edhe pse Naimi nuk jeton më, ideja komuniste vazhdon ta përdorë. Jo thjesht pse i shpalli tradhtar të birin- shkrimtar e burrë shteti, dhe ia syrgjynosi saqë vdiq në mërgim. Por sepse vazhdon të përdorë vetë kategorinë e tij, kategori shkrimtari e filozofi, opozitë me dhunën dhe barbarizmin kulturor.
Shiko si e përdori Gramozi:
Gramozi nuk e tha nga vetja; nuk e tha nga vetja për shkak se nuk i përket species së shkrimtarit. Por përdori një shkrimtar. Mes popullit të irrituar në drejtim të yllit komunist në shall, numri Dy i shtetit tha se "shkrimtari Dritërio Agolli ka thënë se do ta vrisja edhe vetë Naim Frashërin"…
E shikoni si punon Partia, thuajse si dikur. Domethënë shkrimtarët "nuk i vrasim ne", por "i vrasin vetë shkrimtarët". Pra vriten mes tyre. Partia Komuniste (e Punës) papushim ka përdorur këtë taktikë: Në vitin '46, në vitin '48, në vitin '49, në vitin '53, në vitin '61… në Plenumin e katërt 1974… Në çdo betejë kundër kundërshtarëve, komunizmi ka vrarë o shkrimtarë, o artistë, o mendimtarë.
Në çdo gjyq, një nga ata që është "dëgjuar më mirë" nga Partia ka qenë një shkrimtar kundër shkrimtarit… Këta vrasin njëri tjetrin(!), domethënë.
Në rastin e sivjetëm Partia ka vendosur të mbrohet përsëri me trupat e shkrimtarëve. Naim Frashëri është i vdekuri dhe ikona, por ky tjetri është Dritëro Agolli, i gjalli. Ky paska thënë- sipas Partisë- se në Luftë do të vrisja edhe Naim Frashërin, po të më dilte për kundër (!)
Një shpifje tinzare sikur edhe vetë i buti e njerëzori, vetë shkrimtari do të kishte vrarë shkrimtarin për Luftën… E atëherë "ishte domosdo, jo Civile" ajo Luftë (!) Makabritet post mortum.
Kështu bën partia dhe dëshmon se në Shqipëri, si askund tjetër në gjithë bllokun e egër komunist, Lufta e Dytë u kthye në Luftë Civile.
Askund tjetër, sado në diktaturë të egër, regjimi nuk do ta kishte vrarë Naim Frashërin e vet veç për shkak të idesë komuniste.
A nuk i shikoni shkrimtarët e mëdhenj të komunizmit?
I pari:
Aleksandër Solzhenicin, romancier, dramaturg e historian rus. Vullkani që rrëzoi pushtetin e rëndë të diktaturës. Ky edhe pse në vendin origjinë të diktaturës së kuqe, u lejua të merrte çmimin Nobel katër vjet para se të arratisej. Ky mundi edhe të arratisej. Pa mendoni sikur një shkrimtari shqiptar ti dilte emri për Nobel? Sikur vetë Naimit?… Do ta kishte vrarë Dritëroi, sipas marrëzisë komuniste. Gjergj Fishtën e zhdukën veç pse u propozua për Nobel
I dyti,
George Orwell. Ka qenë një majtist social- demokrat. Por i hyri në deje regjimit stalinian dhe i shkaktoi rrënim. Dy veprat e famshme "Viti 1984" dhe "Ferma e kafshëve" aluduan strofkën etotalitarizmit stalinian. Askush nuk qëlloi mbi të. Përkundrazi, mbeti një Nobelist.
I treti:
Arthur Koestler, një anëtar i Partisë Komuniste, shkrimtar i madh. Por një antikomunist i lartë. Me trilogjinë e tij të famshme e bindi botën se "komunizmi im" është një tragjedi e njeriut. Me veprën "Gladiatorët" hyri në pushtetin e egër të Spartakut dhe dëshmoi se Perandoria e Stalinit ishte si Perandoria e shfrytëzimit të lashtë Romak. Koestler kurrë nuk u rrezikua për vrasje.
… Këta do ta kishin vrarë Naim Frashërin veç për të dëshmuar se Lufta Civile ishte e Domosdoshme.
Domethënë Lufta Civile këtu ishte, e qeverisur nga komunistët e Enver Hoxhës. Por "ishte e domosdoshme!". Sa edhe Naimin do ta kishim qëlluar (!)