”Nëse ti voton kundër, je jashtë PS-së”, Braçe zbulon ultimatumin e Ramës
Deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili në Kuvend mbajti një fjalim të fortë për Reformën Territoriale, edhe me kundërshtimet e kolegëve të PS, ka folur për përplasjen me kryeministrin Edi Rama lidhur me votimin për reformën e re territoriale. Braçe tregoi se Rama i ka komunikuar se votimi kundër reformës do të sillte përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Sipas Braçes, kryeministri nuk iu referua në mënyrë të përgjithshme deputetëve që mund të votonin kundër, por iu drejtua drejtpërdrejt atij. “Rama tha nëse ti voton kundër, je jashtë këtij Grupi Parlamentar. Jo kush voton, por ‘ti’”, deklaroi Braçe për ”Top Story”. Deputeti socialist tha se një qëndrim i tillë e zhvendos debatin nga përmbajtja e reformës te mënyra se si deputetët duhet të votojnë. “Unë jam mandatuar të votoj reforma. Më vjen keq që ky debat shkon në këtë gjë”, u shpreh ai.
Braçe këmbënguli se reforma territoriale duhet të diskutohet mbi bazën e funksionimit të pushtetit vendor dhe jo sipas interesave partiake. Pavarësisht kundërshtive të tij, Braçe tha se qëndrimi i tij lidhet me mënyrën se si është konceptuar reforma dhe me mungesën, sipas tij, të një transferimi real të pushtetit te bashkitë dhe njësitë administrative.

