Nga goja e ujkut më shpëtoi Dervish Leli…
Veçse sa zë e prishet moti, ai fërkon lehtë ballin që vrenjtet bashkë me qiellin. Dhe bie si në mendime të thella. Në vite kështu, i heshtur e aspak qaraman. Që nga djalëria e parë, kur vendi po hidhte hapat e parë në Liri. Që kur dëgjoi e mësoi atë këngën erë baruti e ngadhënjimi “Hajde të punojmë/ Djersën ta kullojmë/ Se ndërtojmë/ Shqipërinë e Re!”. Por atë ritualin e pëllëmbës mbi ballë, ndokush mund ta ketë pagëzuar thjesht si zakon a ves të mbirë herët në Rexhin, në bangat e shkollës 7 vjeçare në Tepelenë, në të mesmen ushtarake “Skënderbej”, në të lartën e oficerëve dhe gjer në Akademi a reparte…As disa breza studentësh e pedagogë të fakultetit histori-filologji në Universitetin e Tiranës, nuk i mësuan dot të vërtetat e rritjes së këtij njeriu të lexuar dhe sidomos të vërtetën e shtegut- plagë mbi ballin e tij sot e gjithë ditën. Shteg që i afrohet natyrshëm kufirit të legjendës. Se jeta nuk është fushë me lule e pekule dhe as vetëm “ku rafsha mos u vrafsha”…
Parafytyroni një fëmijë që nënëzeza e la jetim e kërthi, në detin e varfërisë e të hidhërimit. Mirëpo rimëkëmbja çlirimtare filloi nga Arsimi, nga drita e diturisë, nga drita e kandilit dhe e llampës me vajguri. Nga shkollat fillore, nga shkrim e këndimi. E vetmja 7 vjeçare qe ngritur në qytetin e Tepelenës. Për pak kohë, Eqberi e la torbën me libra në shtëpinë e mbuluar nga zia. Por nuk e hodhi kurrë pas krahëve ëndrrën e ndezur për dituri. Ajo vjeshtë e paharruar e gjeti në mal me bagëti. Fundtetor i ashpër, me erë e furtunë, me bubullima e shira që të lagnin gjer në palcë. Netë të mbarsura me të papritura në kullota e pyje. Edhe yjet fshiheshin prapa muzgut e reve që derdhnin errësirë. As Këndrevica e lartë nuk dukej gjëkundi. “-Më kish mundur gjumi në një shkurre cfake, as 200 metra larg stanit me kopenë e bagëtive. Gjumë e ëndrra bashkë. Edhe sot i kujtoj jo pa ankth e drithërimë. Kur mesnata ish rrokullisur, zgjohem i llahtarisur. Vërritja e dhive të këpuste shpirtin. Një ujk kish rënë befas mes tyre. Dhe nuk ishte nga ata me lëkurë qengji!…Egërsira po rrëmbente një kec motak. As vetë nuk e shpiegoj dot se qysh u vërvita për ta shpëtuar nga ata dhëmbë egërsire. Se errësira të shponte sytë tej e tej. Dhe ujku nuk të fal. Mbi fytyrën time po rridhte çurg…gjaku i ngrohtë. Ndërsa njëra këmbë po pikonte me dhimbje. Në stan më “mjekuan” me gjalp të djegur në prush…Të nesërmen zbrita në fshat. Ashtu i plagosur në ballë e në këmbë, takova kryetarin e Këshillit Popullor. Eh, xha Shyqua (I ndritë shpirti atje ku prehet! ),më pa plagët, më përqafoi, mërmëriti me sy të rrëmbushur dhe u ul të shkruante një letër. “Dëgjomë, o bir! Jetëgjati s’bëhet jetëshkurtër…Këtë kartë do ia dorëzosh vetëm një burri, vetëm Dervish Lelit në Tepelenë, e askujt tjetër…”. I lutej gati me përgjërim, që të më sistemonte në konviktin e sapohapur nga shteti. Me letrën e palosur në xhep, me trikon gjaktharë dhe me opingat që babai mi kish bërë nga lëkura e lopës, ika udhë e pa udhë. Ika pa u shkrirë mirë vesa e mëngjesit mbi male. Ish e premte ajo ditë…”.
Tepelena jonë plagëlidhur e dhimbjeshumë, si gjithë Shqipëria pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, po ecte e vendosur drejt Botës së Re, drejt asaj Bote që lanë amanet lule djemtë e nënave. Drejt idealit të kulluar e të ndritur si bora mbi Golik e Trebeshinë. Ishte ditë pazari. Njerëzia hidhnin vështrime jo të zakonshme mbi Eqberin, mbi labin e vogël që pyeste i drojtur për Dervishin, drejtuesin kryesor të rrethit. Pyeste për ish partizanin kuçiot, për njeriun që e donin shumë. Sepse ai ulej e bisedonte shtruar me njerëzit e thjeshtë, pa qibër e plot urtësi. Me zemër në dorë…
-Mua më tepër më rënkonte shpirti sesa plagët në trup…Kur dikush ngriti krahun e më tregoi burrin që kërkoja, të them të drejtën, pak çaste dyshova. Dhe po çapitesha ngadalë përmes tregut. Për t’u bindur pyeta edhe të tjerë. Zemra po më rrihte fort kraharorin. Ashtu pa folur, iu afrova. Por sikur nuk po ma mbushte mendjen për njeriun më të rëndësishëm në rreth. Dervishi ishte i shkurtër, kish veshur një kapotë të gjatë ushtari me thekë të paprera në fund. Unë e kesh përfytyruar ndryshe. Duke kuvenduar me dy tregtarë, ktheu bishtin e syrit kur po krreja duardridhur letrën e xha Shyqos nga xhepi dhe më hodhi dorën në qafë. Kur pa ballin dhe trikon time gjaktharë, nuk e fshehu dot tronditjen njerëzore. I tregova fare shkurt. Dhe hapi letrën që fëshfërinte përmes emocioneve në duar. Ecëm të dy tok. Ec e ndalo. “Si do vejë halli yt, o djalë! Shkolla po bën dy muaj që ka nisur. 100 vende që ishin gjithsej në konvikt, janë zënë. S’ka krevat, s’ka veshje, s’ka ushqim. Në konvikt janë pranuar vetëm ata që s’kanë asnjë nga prindërit gjallë. Është një komision i zgjedhur që vendos…”. Ja,-i thashë aty për aty,dhe i preka letrën. “Po nuk është xha Shyqua komisioni”,më tha duke qeshur. Pastaj, fol e pyet, si të ishte përballë fëmijëve të vet. “Dua shkollë…s’kam ku të shkoj…do hidhem nga ura në Vjosë…”.Pak çaste u step i tëri. Nuk tha asnjë fjalë e prapë më përqafoi . Vetëm era e famshme e qytetit dëgjohej. Mesdita qe thyer herët. Ashtu hapmenduar, po i afroheshim një ndërtese të thjeshtë. Më ftoi brënda. Ishte shtëpi e vogël, dhomë e kuzhinë. Njëshi drejtues i rrethit banonte atje ?! Veç familjes, jetonte edhe vëllai Lelo, edhe kunata…Asnjë privilegj të tepërt. Hëngrëm drekë së bashku. Për herë të parë provova oriz me qumësht…Nuk kaloi shumë dhe në derë u duk një djalë i ri me emrin Myzafer. Ishte kujdestari i përkohshëm i konviktit. Diçka folën kokë më kokë. “Merre këtë djalë. Le të bëhen 101. Letrat i bëjmë nesër”. Kaq munda të dëgjoja si në ëndërr. As sot nuk e përshkruaj dot saktë atë ngazëllim. Konvikti i ri që po ngrihej në qytet, ende s’kish mbaruar. Ishte përshtatur një magazinë(kazermë) matanë Urës së Bënçës, afër Veliqotit. Atë natë e kam gdhirë pa pikë gjumi në sy. Fluturoja mes shokëve jetimë…
-Dëgjomë pak, miku im. Ti nuk e di, por unë atje kam njohur xha Golen, babanë tuaj ekonomat që e donin të vegjël e të mëdhenj. E donin si prind e njeri, por edhe si nëpunës i ndershëm i shtetit të ri që kujdesej e plotësonte kërkesat tona. Si ta harroj ? Nga ai vesha bashkë me shokët…kostumin e parë në jetë! Pruri rrobaqepës që nga Gjirokastra. Kështu e kujtonin edhe Maliqi, Bega, Hasani, Diftiri, Hyseni, Minushja, Dinorja, Kajaçe e të tjerë. Krevatet prej dërrase e me dyshekë kashte në atë kapanon të pastër, nuk i harrojmë kurrë. Por nuk mund të harrohet as ajo pasdite dimri : Dervish Leli po ecte me këmbë. Drejt e në konviktin e përkohshëm, te fëmijët e Luftës. Iu mblodhëm si zogjtë e na përqafoi të gjithëve. I pa nga afër kushtet tona të jetesës. Dhe nisi një bisedë me mësuesit tanë, me xha Muratin e shquar të gjuhës shqipe, me Raitin, Xhodën, Zihniun, Bektashin etj. “Xha Musa, të lutem, bëj kujdes natën, se mos zbulohen e ftohen…Kur të çoni fëmijët në shkollë në Tepelenë, bëni një pushim te Ura e Bënçës, se është larg e lodhen”. -Te ura e xha Goles,-tha buzëqeshur Zihniu nga Dragoti, mësuesi më i ri në moshë. Të gjithë sy e veshë. Atëherë dëgjova për herë të parë për protestën punëtore antifashiste të 10 majit ’39, ku babai juaj kish qenë organizatori kryesor. Thirrja e tij në krye të kantierit “Poshtë fashizmi! Ne nuk shitemi për 5 lekë!”, ka mbetur në histori. Dhe nuk u nënshtrua as nga burgosja në qelitë e kalasë së Gjirokastrës dhe as nga internimi në Shëngjin të Lezhës… Dervishi kishte mjaft besim te ai burrë, e dëgjonte dhe e respektonte shumë. Këtë vlerësim e preka nga afër edhe te konvikti i ri në kërthizë të Tepelenës. Po si ta harrojmë atë mbrëmje të gëzuar të Vitit të Ri ? Dervish Leli nuk festoi me familjen e tij apo të shkonte gjëkundi si i thonë sot “për uikend”. Erdhi në konvikt, pranë fëmijëve jetimë. Pasi pa tërë ambientet e reja, vajti drejt e në kuzhinë, të shikonte çfarë kishin përgatitur duart e arta të nënë Hankos e të teto Sorkadhes(grua dëshmori). Pastaj këndoi e hodhi valle bashkë me ne. Më takoi e më vuri lehtë pëllëmbën mbi ballë…
Eqber Skëndo, ky burrë i urtë, i mençur, modest e tepër njerëzor, e ka parë herët vdekjen me sy. Vitet rrodhën shpejt bashkë me etjen për dituri. Ishte kjo etje e pashuar që e bëri vullnethekurt në ngjitjen e tërë shkallëve nëpër shkollat ushtarake. E gjer në Akademi. Dhe nuk i tha kurrë vetes “mjaft”. Fjala vjen, pa ia kërkuar askush, nisi e përfundoi edhe një fakultet tjetër në Universitetin e Tiranës. Botoi edhe libra për figura të shquara patriotike e publicistike. Biograf serioz e plot pasion mëmëdhetar. Por mirënjohjen e ruajti të shenjtë. Ndaj e kuptoj mirë rrëfimin e tij tronditës dhe fjalët e zemrës për ish partizanin idealist e zemërmadh, Dervish Leli. Se jo gjithmonë dihet fati i njeriut. Luftëtarët e vërtetë të Lirisë nuk largohen nga kujtesa popullore e historike. Ata mbahen mend e nderohen në breza.
-Nuk është thënë kot, miku im, koha është herë nënë e herë njerkë dhe secili ka me vete të kaluarën, të sotmen e të ardhmen. Unë nuk rri e të rënkoj përditë për një të keqe të kaluar. Por e vërteta duhet thënë : Ishin vitet e para pas Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Ama, nuk shikoje si sot fëmijë të braktisur e në rrugë të madhe. Dora e ngrohtë e shtetit të ri gjakvaditur, ndihej kudo. Edhe në Tepelenën tonë të dashur. Sot ata fëmijë “ngushëllohen” sadopak nga vargjet e Migjenit…Pasanikët e dyshimtë që rrëmbejnë mbi tokë e nëntokë, mbajnë fjalime pa fund për demokracinë e lirinë e individit!
Eqberi nuk është nga ajo racë që sharton nëpër hënë. Ai di të nderojë njerëzit e luftës çlirimtare e ndërtimtare. Shirat dhe lagështira e njohur e kryeqytetit, mua më duket sikur ia nget e ia nxjerr më në pah atë ritualin e dhimbshëm të pëllëmbës mbi ballë. Do kish mbetur jetëkëputur në malet e Kurveleshit me derte. Ka të drejtë kur pohon jo rrallë e me shpirt se “nga goja e ujkut më shpëtoi Dervish Leli…”.