Një fillim i ri për 55 nxënësit e “Zëra Jete”, viti i ri shkollor nis në godinën e re në Elbasan
Për 55 nxënësit e Shkollës Speciale “Zëra Jete”, viti i ri shkollor 2026–2027 nis në një mjedis tërësisht të ri. Pas 43 vitesh aktivitet, nxënësit janë akomoduar në godinën e re, të ndërtuar dhe përshtatur posaçërisht për nevojat e arsimit special.
Godina e re ofron ambiente moderne, të sigurta dhe funksionale, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, për zhvillimin e aftësive sociale e praktike të nxënësve dhe për një përvojë më të përshtatshme dhe dinjitoze gjatë qëndrimit në shkollë.
Shkolla përfshin nëntë klasa, nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe ambiente të posaçme për logopedi dhe hapësira të tjera të përshtatura për arsimin special. Procesi mësimor do të mbështetet nga një staf i kualifikuar, duke synuar ofrimin e një arsimi sa më gjithëpërfshirës dhe cilësor.
Inaugurimi i godinës së re u zhvillua në prani të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtuesit politik Arbjan Mazniku, deputetit Adi Qose dhe kryetares së Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi. Kryebashkiaku Llatja preu shiritin e përurimit të godinës, duke shënuar zyrtarisht hapjen e saj.
Godina e re është një investim i rëndësishëm për 55 nxënësit, familjet dhe stafin e “Zëra Jete”, duke sjellë kushte më të mira infrastrukturore dhe më shumë mundësi për një arsim të përshtatur me nevojat e çdo fëmije.

KOHA JONË SONDAZH

