
Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti është dhe një nga emrat e përfolur si kandidat potencial i PD-së për zgjedhjet lokale në bashkinë e Tiranës, por thotë se vendimmarrja për emrin e kandidatit duhet të jetë rezultat i një dakordësie mes forcave opozitare. I ftuar në News24, Alimehmeti u shpreh se interesi publik duhet të prevalojë mbi ambiciet individuale, ndërsa opozita duhet të koordinohet për të dalë me kandidatë të përbashkët në të 46 bashkitë.
I pyetur nëse do të pranonte të përballej me kandidatin e mazhorancës në Tiranë, ai la të hapur mundësinë e kandidimit, por nënvizoi se propozimi i tij duhet të shqyrtohet në tryezën e përbashkët të opozitës.
“Unë e kam thënë në kuptimin e emrit të propozuar, mendoj që mund të jap ofertë të mirë, por duhet që ajo tavolinë ta vendosë”, tha Alimehmeti. Ai theksoi se bashkëpunimi mes aktorëve opozitarë është i rëndësishëm jo vetëm për garën në kryeqytet, por për të gjitha bashkitë e vendit.
“Emri që do të caktohet në 46 bashki, idealisht duhen emra konsensualë. Nëse këta aktorë do ta arrijnë këtë gjë, hyjnë në histori”, deklaroi ai. Gjatë intervistës, Alimehmeti e vendosi theksin te nevoja për një koordinim politik, duke argumentuar se opozita duhet të identifikojë kandidatët që mund të kenë mbështetjen e përbashkët të forcave pjesëmarrëse. “Shpresoj të arrijnë me maturi në gjetjen e individëve më të fortë. Interesi publik është i pari. Unë shtyj fort që kjo të ndodhë”.