
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe raportit të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Noka e cilësoi raportin e KE-së si një nga goditjet më të rënda për qeverinë shqiptare, duke e bërë drejtpërdrejt përgjegjës kryeministrin Rama për situatën në vend.
Duke komentuar deklaratën e Ramës se Shqipëria ndodhet në kilometrin e fundit drejt integrimit europian, Noka u shpreh se kryeministri nuk është në kilometrin e fundit drejt BE-së, por drejt përfundimit të rrugës politike, duke përmendur edhe emrin e Ergys Agasit.
“Edi Rama sot për çdo shqiptar është një i vdekur i pakallur politikisht. Raporti i KE-së i ka dhënë një goditje tepër të rëndë. Është raporti më i egër që mund të jetë lexuar ndonjëherë para shqiptarëve”, deklaroi Noka.
Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se largimi i Ramës do të pengonte integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se çdo drejtues që ndërton institucione normale mund ta çojë vendin drejt Bashkimit Europian. Sipas Nokës, pengesa kryesore për integrimin është vetë qeverisja e Ramës, të cilën ai e akuzon se ka ndërtuar një shtet të dhunës dhe një narko-shtet.
“Edi Rama nuk mund të çojë kurrë në Europë Shqipërinë, sepse po ndërton shtet dhune e narko-shtet”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
