“Nuk ka alternativë tjetër ndaj BE-së”, Rama: Do të reformojmë Agjencinë e Kadastrës
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një reformë të re në administrimin e pasurive të paluajtshme, duke theksuar se qeveria synon bashkimin e disa agjencive në një strukturë të vetme për të shmangur konfuzionin dhe problemet burokratike.
Sipas Ramës, funksionimi i agjencive të ndara nuk ka ndihmuar procesin, por përkundrazi ka prodhuar më shumë vështirësi në administrimin e pronave.
“Së shpejti do të kemi edhe reformën e Agjencisë. Do të sjellim më shumë detyra nën një ombrellë, sepse ekzistenca e agjencive të veçanta dhe të ndara nuk e ka ndihmuar procesin. Kur agjencitë kanë shkuar në drejtimet përkatëse, kjo ka krijuar më tepër konfuzion dhe ka sjellë më shumë telashe.
Tani besoj se kemi një ide të qartë dhe mënyrën se si ta formësojmë administratën e pasurive të paluajtshme nga A-ja te Zh-ja, me bashkimin e një sërë agjencish në një të vetme. Pjesa tjetër është të vazhdojmë punën.
Kemi bekimin, por edhe mallkimin, sepse kemi tutorin mbi kokë, i cili na thotë: këtu është mirë, këtu është keq. Këtu ke dalë mirë, këtu nuk ke dalë mirë; vazhdo këtu, vazhdo atje me drejtimin e punës dhe kjo ndihmon patjetër.
Me BE-në një gjë është e sigurt: natën nuk ke makthe. Nëse zgjedh një rrugë tjetër, gjatë ditës mund të ndihesh më i lirë, por pastaj natën do të kesh makthe. Kështu që nuk ka alternativë tjetër ndaj BE-së. Në këndvështrimin tim nuk ka plan B, nuk ka plan C. Është vendi i duhur ku duhet të jemi patjetër. Nuk ka alternativë ndaj BE-së”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

