Paqja e orës 4

Njeriu i parë,

një vajzë franceze, heroinë e një filmi shumë të kahershëm. Kjo kishte shkuar në ekskursion në mal dhe e zuri nata atje. Aty, pa zbardhur, doli nga “hut” (ose baraka e natës) dhe shijonte çastin. Qe një moment sa e qindta e sekondës kur çasti erdhi: Qielli dhe toka iu bënë krejt blu; ra një qetësi si prej qielli; asgjë, po asgjë nuk merrte frymë…. Ja ky ishte…. dhe vajza e quajti “çasti blu”. Vetëm një e qindta e sekondës. U nda nata me ditën.

Vajza e filmit vrapoi në qytet për te shoqet e veta. “Do t’ju tregoj çastin blu”- iu tha dhe u ngjitën malit. E diela e parë: Vajzat dolën nga hut si më parë dhe… pritën. Në “çastin blu”, bash në atë çast, përtej në pyll u dëgjua një plasje mine; dikush nxirrte gurë në gurore. Iku çasti. Të dielën e dytë: Bash në atë çast një bari u dëgjua tek thërriste tufën dhe lehnin qentë. Prapë çasti u copëtua

Pastaj edhe dy a tri të diela me radhë… Çasti blu nuk u kap më. Çasti i paqes së botës ishte prishur, sa nga minat, sa nga zërat, sa nga krismat.

Por vajza mbeti në kërkim të paqes.

 

Njeriu i dytë,

Një nënë shqiptare, djali i së cilës për një minutë vrau katër njerëz.

Ndodhi më datën 4 (para dy ditësh), bash në orën 4, (kur është edhe çasti blu); ku u vranë 4 njerëz (bash në atë sekondë filloi për ta paqja e përjetshme).

Nëna e djalit 24 vjeç që vrau 4, në orën 4 të datës 4, shfaqet në televizion në orën 4 pasdite. Nëna, një aktore dhe politikane e lartë njëkohësisht, doli në ekranin e televizionit për të gjetur paqen e saj. Katër nënat e tjera, djemtë e të cilëve i kishte vrarë me nga katër a pesë plumba djali politikanes, nuk kishin asnjë mundësi që të shfaqeshin në publik për të kërkuar paqen. Nënat e mjera nuk shtiren, vetëm nëna e vrasësit mund të shtiret dhe të kërkojë paqe mbi viktimat e të birit.

Kjo nënë, sa mbaroi fjalimin, që nga podiumi mblodhi letrat që kishte shkruar për të aktruar… U duk se mbështolli paqen e saj duke iu thënë nënave të viktimave: “Në djall vafshi me gjithë dhimbjen tuaj…. Unë e arrita paqen time!” Dhe iku.

Mendoj se kjo grua tani është në paqe.

 

Njeriu i tretë,

Edhe kjo është grua. Kjo mund të mos jetë vetëm një, mund të jetë shumë e shumë gra. Por unë pashë dhe dëgjova vetëm një. Edhe kjo para ekranit, veçse pa pikën e aktrimit. Gazetari i vuri mikrofonin para dhe e pyeti: “a i keni paguar dritat?… do t’i paguani, apo mund  t’ju marrin në burg?”.

Gruas nuk i lëvizi asnjë nerv në fytyrë.

“Jo, nuk i kam paguar… Nuk paguhen se nuk kam me çfarë… Burg?… Pse?… Po mirë, në burg!… Në burg, thatë? Mirë”…, dhe bëri një lëvizje të paqtë, aq të paqtë sa vetë “çasti blu”. U mblodh diku në strehën e saj në periferi të Tiranës.

Po kjo grua a është në paqe? Qeveria ka vendosur të dërgojë në burg cilindo që “vjedh” ose nuk paguan energjinë elektrike. Gruaja e paqtë me siguri nuk e ka të gjatë. Po përsëri në paqe do të jetë…

Kësaj ia ka dhënë paqen vetëm instinkti i ekzistencës.

 

Njeriu i katërt,

Nicholas Winton. Ky, një burrë anglez, para një jave mbushi 105 vjeç. Me atë rast u ftua në Çeki dhe u dekorua me Urdhrin e Luanit të Bardhë, nder që deri më sot e kanë merituar Mbretëresha, Margaret Theçer dhe Churchil. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, zoti Winton shpëtoi jetën e 669 fëmijëve hebrenj në Çeki. Në ceremoninë e dekorimit, vajza e njërit nga fëmijët që kishte shpëtuar gjatë luftës, e pilotoi me avionin e saj dhe e solli në Pragë.

Herë e quajnë “Schindler” në nder të njeriut që shpëtoi hebrenjtë e Gjermanisë; herë thonë se jetën e gjatë 105 vjeç ia dha dashuria për jetën e njerëzve. Ai ekziston madhërisht për shkak të motivit të jetës dhe paqes.

 

 

Këta janë katër, të katër kanë një lidhje me orën katër të mëngjesit.

 

Ndërsa e para (vajza e filmit francez) është në kërkim të paqes së orës 4 të mëngjesit ku feks çasti blu; e dyta- nëna e djalit vrasës është mbledhur në shtëpi krejt e qetë pasi e mblodhi paqen si aktore. Ndërsa e treta është në paqe ekzistence: Po të ekzistojë, ka paqe; po të mos ekzistojë- prapë në paqe! As këndej, as andej nuk ka zot që t’i japë pak gjë, as qeveri, as ligj, as shpresë. Çdo ditë në ora 4 kjo nuk gjuan as për çastin blu, as për viktima në klubin e natës, por del e mbledh krande për të ngrohur fëmijët. Edhe ata do të ekzistojnë.

I katërti ekziston për shkak të motivit real të paqes.

 

Shteti shqiptar, aktualisht, ndodhet përballë Paqes, por jo brenda Paqes. Ky shekull nuk i le askujt shansin që të jetë në luftë, sepse ka krijuar kulturën e paqes. Ata që shtiren për paqen, jetojnë në paqe, por me kulturë lufte.

Qeveria po punon përditë për të ndërtuar fasadën e shtëpisë së paqes, por vetëm fasadën. Mund të prishet shpejt paqja që duket sikur ekziston….Ka ndodhur njësoj si me fasadat e ngjyrosura të Tiranës: Aty ku kryetari i Bashkisë ndiente pak simpati, aty vijëzonte breza të kuq; aty ku ndiente se brenda apartamenteve kishte njerëz që nuk i donte, atyre iu pikturonte në fasadë benevrekë. Por varej edhe nga humori i ditës.

 

Fasada e paqes po “pikturohet” sipas një shijeje të caktuar. Për shembull, qeveria ka dalë në krah të nënës politikane dhe ka sfiduar nënat e 4 djemve që vrau i biri i politikanes. Kryeministri tha: “kjo nënë, kjo politikane, është një model, jam krenar për Luizën…”.

Ndërsa katër nënat e viktimave u ndjenë jashtë modelit. Tani mbetet që nënat e viktimave të presin sa të vërtetojnë nëse në modë është Paqja apo jo- Paqja. Jo vetëm ato, por kush dëgjoi e shikoi se model bëhet nëna e djalit vrasës, ndodhet në dilemë. Është njësoj si dilema e gruas “ekzistencialiste” në periferi të Tiranës dhe e vajzës franceze të filmit.

 

Ndërsa dy personat e tjerë e kanë mbërritur paqen: Mister Winton 105 vjeç që shpëtoi 669 fëmijë; dhe, Luiza deputete, nënë e vrasësit që doli në ekran dhe mblodhi paqen e vet në kurriz të viktimave.

 

Po të tjerët, vallë ndodhen në shtëpinë e Paqes?

Ministria e Brendshme çdo ditë shpërndan statistikat e ditës sa vetë janë burgosur. Para dy ditësh ishin bërë një mijë. Pastaj kush i numëroi. Këta kanë “vjedhur energjinë elektrike”. Kush burgoset bie në paqe. Burgu është kthyer në shtëpi reale të paqes. Të tjerët që ndodhen jashtë burgut, duke qenë qenie të gabueshme, nuk e ndiejnë aspak aromën e paqes. Të gjithë këta që janë jashtë burgut janë jashtë paqes, janë në frikë. Shpresojnë te ekzistenca, standard që mes katër vetëve vetëm Mister Winston e ka mbërritur.

Të gjithë kryejnë faje, madje përditë. Ti që nuk ke vjedhur energji elektrike, ke kryer një faj tjetër me siguri. Po kush tha se shpëton nga akuza e vjedhjes së energjisë?… Hë! Përderisa telat elektrikë janë përjashta si nerva të çmendurish, atëherë as ti nuk shpëton nga akuza e vjedhjes. Njësoj si në diktaturën komuniste kur lulishtet e qytetit shtroheshin me bar të njomë e të bukur. Dukej klime paqeje; por në fakt polici të ndiqte e të burgoste pse “ke shkelur barin!” E vërtetoje dot se jo? Përderisa kishte bar, pse nuk e ke shkelur(!).

 

Kështu është absurdi me telat elektrikë. Si në ekzistencializmin e Sartrit, fiks. 

 

Në ekzistencializëm është me radhë, njësoj si gruaja e periferisë së Tiranës. Në ora 4 ajo mbledh krande për të ngrohur fëmijët; ndërsa diku në rrugën e Elbasanit, në ora 4 një fëmijë politikaneje vret katër fëmijë nënash. Ku ta dish?

Ku ta dish; mund të mos kesh vjedhur energjinë, por mund të kesh ndërtim “pa leje”!? Kjo është e mundur nga të gjithë, përveç klubit ku merr drogën djali i deputetes. Të gjithë kanë ndërtuar gjatë dy dekadave në demokraci; pra të gjithë janë fajtorë. A mund të dërgohen të gjithë në burg?…

Kjo është pyetja ekzistencialiste. Ata që kanë pushtet, nuk kanë burg. Ata që nuk kanë asgjë, për këta do të ketë burg. Një shoqëri në konflikt; kemi ardhur nga lufta e klasave direkt në shoqërinë e konfliktit… Disa në burg.

 

Vallë këta të dytët janë në Paqe?..

Ora 4 e ngatërron krejtësisht konceptin e paqes.

SHKARKO APP