Peço Kagjini, i pari që denoncoi favoret e jetës në ish-Bllok
Peço Kagjini ka lindur në Zagori të Gjirokastrës në vitin 1924, ka jetuar në Tiranë, Elbasan dhe disa vite të jetës së tij e kaloi në burgjet e diktaturës komuniste dhe internim, janë plot 35 vjet. Mbas viteve 1990 është vendosur bashkë me vajzat në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vitet e pleqërisë i gëzon në Queens të New Yorkut. Megjithëse i rënduar në moshë, kur e takon duket mjaft i mbajtur dhe është për ta pasur zili mbasi memorja e tij është e freskët.
Në mendje i shfaqej shtëpia ku ka lindur, pasioni për shkollën, hapat e para në luftë kundra pushtuesve nazifashist, puna e tij si kuadër drejtues në vitet e para të pushtetit komunist. Në këtë udhëtim nostalgjik e emocional i shkëpusim shkrimtarit dhe poetit disa kujtime të tija:
Ju kujtohet fëmijëria, çfarë ruan ende tek ju ajo moshë. Kush janë kujtimet, mbresat apo ndonjë episod që do të donit ta ndanit me lexuesit e gazetës?
Është një det i pafund kujtimesh, në të cilat më bie të lundroj tani që kam kaq shumë kohë meditimesh. Disa herë më kaplon një nostalgji, një mall e ndjehem i përmalluar teksa më përkundin ato kujtime. Kujtoj fëmijërinë si djalë i vetëm, i mbetur pa baba që në moshën 10-vjeçare dhe ndjej në çdo çast shtrëngimin e dorës së nënës sime të shtrenjtë. Lashë fshatin tim Sheper të Zagorisë, për të kaluar fëmijërinë si konviktor. Fillova studimet fillimisht në gjimnazin e Gjirokastrës e më pas në ato të Shkodrës dhe të Tiranës. Babai, ai kishte mbaruar shkollën në Zosinea të Janinës. Ka qenë një nga shkollat më të dëgjuara të kohës. Deri sa vdiq ka punuar në postë dhe në fund si Drejtor Postës së Sarandës.
Vdekja e tij e rëndoi shumë gjendjen e familjes sonë, jo vetëm atë shpirtërore por dhe ekonomike. Për këtë nëna u detyrua të kthehej në Fshat, në Sheper të Zagorisë.
Në Shkodër kam patur lidhje me Grupin Komunist të Shkodrës që në moshën 16-vjeçare. Dhe kemi punuar bashkë me Beqir Ndou e Janaq Kilica, i cili u pushkatua nga gjermanët gjatë luftës. Kur erdha në Tiranë u njoha me Misto Mamen. Ka marrë pjesë në demonstratën e zhvilluar në Tiranë në Tetor të vitit 1941. Të gjithë studentët që morën pjesë në demonstratë u përjashtuan nga shkollan po kështu dhe unë pata të njëjtin fat.
Jeta kolektive në konvikt ka influencuar shumë në rritjen e karakterit human dhe të iniciativës e guximit të një rinie të pa varur. Ikja e Mbretit la shije jo të mirë në popull. Okupacioni i vendit nga Italia fashiste u prit me zëmratë nga populli. Rinia studentore ishte pjesa më aktive dhe më e vendosur e shoqërisë në atë kohë dhe ndër të parët që u hodhën në veprimtari kundër okupatorit. Ishin të shumtë studentët që e lanë shkollën pa mbaruar studimet, sidomos vitin e fundit dhe ju bashkuam luftës antifashiste nacional çlirimtare.
A mund të na tregoni se si u gjendët në shtjellën e fuqishme të zhvillimeve të asaj kohe?
Revolucioni spanjoll, që në konditat e Shqipërisë tërhoqi vëmendjen e rinisë studentore dhe influenca e revistës "Bota e Re" kishte tërhequr interesim të jashtëzakonshëm tek të gjithë, si organ përparimtarë shtypi dhe që kërkonte ndryshime edhe në vendin tonë. Në Tiranë kam patur lidhje me Misto Mamen dhe Xhaferr Cenko, dëshmorë. Në shkollë jam bërë anëtarë i rinisë komuniste të gjimnazit të Tiranës, ku kryetar ishte Drit Çaushi. Në vitin 1942 jam bërë anëtarë i Partisë Komunistë Shqiptare në qarkun e Gjirokastrës.
Ndërsa në fund të luftës isha i caktuar dhe me punë që në Pleniumin e Beratit me përgjegjësi të rëndësishme në organizimin dhe drejtimin e luftës në qarkun e Gjirokastrës. Në vitin 1944 kam kryet detyrën e Sekretarit të Partisë dhe të Prefektit të parë pas lufte për qarkun e Gjirokastrës. Kam kujtime të paharruara nga shumë shokë të luftës që punuam së bashku dhe organizuam lëvizjes nacional Antifashiste Nacional Çlirimtare në ato anë.
Cila ishte ajo shkëndijë që ndezi zemrën e një të riu për të vënë pushkën në sup, e për të dalë malit në luftë për liri?
Vendi ishte i pushtuar nga nazifashistët. Populli vuante. Iu desh rinisë shqiptare që të rroki armët dhe të dalë malit për të luftuar, për tu kacafytur me okupatorin duke rrezikuar gjënë më të shtrenjtë, jetën, për lirinë e vendit. E kjo kërkonte vetëmohim e sakrifica të mëdha, dhe në të rinjtë e asaj kohe kështu bëmë. Edhe tani që jemi në vigjilje të 70-vjetorit të çlirimit, dhe mbasi kanë kaluar kaq shumë vite dhe kanë ndryshuar kaq shumë gjëra, mbetem i mendimit se ishte gjëja më e vyer që bëmë, ajo që do të bënte çdo i ri shqiptar. Ishim ne ata të cilët duhet t'i dilnim zot fateve të vendit.
Diçka më te detajuar rreth veprimtarisë suaj si përfaqësues në hierarkinë e pushtetit të atëhershëm?
Kam qenë pjesëmarrës si delegat në Kongresin e Përmetit me 24 Maj 1944. Gjithashtu, kam ushtruar detyrën si Kryetar i qarkut të Gjirokastrës në vitin 1945. Në nëntor të viti 1946 kam kryer detyrën e kryetarit të prefekturës së Tiranës. Nuk mund të lë pa përmendur detyrën e diplomatit në Beograd gjatë viteve 1947- 1949. Gjatë periudhës 1950-1952 më është besuar detyra e Kryetarit të Komiteti Ekzekutiv të Tiranës. Kam punuar si zëvendës ministër i Arsimit dhe Bujqësisë, dhe detyra të tjera të rëndësishme. Vlen për tu nënvizuar pjesëmarrja ime si delegat në konferencën e Tiranës, zhvilluar në Prill të vitin 1956. Pikërisht këtu ka filluar persekutimi im, i cili vazhdoi përgjatë 35-viteve në burgjet famëkeqe të diktaturës dhe jetën plot sakrifica, poshtërim dhe dhimbje, në internim në Belsh të Elbasanit.
Jeni takuar me udhëheqësin komunist, ku dhe kur, ruani ndonjë episod gjatë kontaktit që keni patur me Enver Hoxhën?
Takimi me Enver Hoxhën në Beograd në vitin 1947, shënon të parin. Ai i radhës ishte në momentin e prishjes me jugosllavët. Ishin momente kyç të veprimtarisë sime politike. Vetëm pas pak vitesh do të ndiqesha për manifestimin e shfaqjeve anti-parti dhe asnjëherë nuk e mora vesh punën deri në fund.
Diçka për vendlindjen?
Pjesa më e bukur për mua është Gjirokastra. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia. Atje ku hodhi hapat karriera ime si luftëtar. Kjo udhë e gjatë, e bukur sa edhe e vështirë, nisi me detyrën e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv në Qarkun e Gjirokastrës, kur isha vetëm 20 vjeç. Për herë të parë do të ngjitesha në një skenë drejtimi në kushtet e kohës së një vendi të sapo çliruar, i cili kërkonte shumë nga ne dhe në të vërtetë përkushtimi ka qenë i madh.
Në shkrimin me titull "Konflikt interesi me diktaturën” të botuar në Gazeta Shqip më 28 korrik 2012, artikullshkruesi Artan Lame ndër të tjera citon:Peço Kagjini, që denoncoi favoret e jetës në Bllok më 1956 në Konferencën e Tiranës. Komunist i ndershëm asokohe, Peço Kagjini, denoncoi gjatë Konferencës së Tiranës, veçimin e udhëheqjes në Bllok, favoret që gëzonin, rrogat e larta të tyre e të tjera privilegje të paligjshme të Bllokut. Kagjini u dënua dhe vuajti gjithë jetën për atë moment ndershmërie, ndërsa tani në pleqëri ka botuar kujtimet e veta dhe vazhdon të denoncojë diktaturën. A keni diçka për të shtuar?
Nuk e kam lexuar, por jam i kënaqur dhe do ta falenderoja mikun e panjohur Artan Lame dhe me këtë rast, dua të theksoj se Konferenca e Tiranës e Prillit 1956 ka qenë një ballafaqim i guximshëm i komunistëve me udhëheqjen e partisë, për të denoncuar e dënuar ashpër qëndrimin e veprimeve që ndoqën pasuesit besnik të Stalinit dhe dëmin që po i sillnin Shqipërisë përkrahësit e kësaj ideje, gjë të cilën e vërtetojë koha. Më vjen keq, që sugjerimet e bëra në Konferencën e Tiranës nuk u morën parasysh dhe se si diktatura e luftoi pa mëshirë.
Çfarë mendoni se duhej të ishte bërë më mirë nga ai regjim?
Kishte kohë që politika shqiptare kishte degjeneruar, këtë e tregoi opozita që u krijua në Konferencën e Tiranës. Enver Hoxha ishte një udhëheqës që ka drejtuar pa opsion alternative. Mbas Konferencës së Tiranës nuk ka patur asnjë bashkëpunëtorë të tij kundër. Edhe ata që janë menduar se kanë qenë kundër, janë sajuar, se në të vërtetë, ai nuk ka pasur kundërshtarë. Ardhja e Ramiz Alisë në pushtet pas vdekjes së diktatorit, tregoi më së miri se Shqipëria nuk ishte për ndryshime. Demokracia në vitin 1990 erdhi si rezultat i ndryshime që ndodhën në Lindje. Udhëheqja shqiptare e asaj kohe pranoi ndryshime për të ruajtur trashëgiminë e vjetër.
Duke kaluar tek krijimtaria, Peço Kogjini, i keni numëruar ndonjëherë librat që keni shkruajtur në gjithë këto vite?
Kam arshivën time me qindra e qindra faqe, me shumë libra dhe shumë interes për jetën e ngjarjet të përjetuara gjatë jetës. Kam shkruar shumë por botuar kam shumë pak dhe kjo mbetet një merak i madh i jetës sime. Kam arkivin tim dhe duke renditur librat e mija, dhe që nuk janë pak numri arrin në gjashtë libra të shkruar dhe disa të tjera të pa botuara. Është më shumë se një gjysmë shekulli jetë, që ia kam kushtuar vendit tim.
Cilët botime do t'i konsideronit më të përzemërtat për ju?
Shumë nga shkrimtarët shprehen se nuk mund t'i ndajnë botimet. Por unë nuk kam romanet ku kam hedhur kujtime, meditime e refleksione për jetën time dhe realitetin e popullit dhe atdheut tim.