Përballja me vetveten
I.
Kërkimi i së vërtetës, është zbehur dhe tani shoqërinë tonë e ka mposhtur indiferentizmi dhe kaosi. Kur them kaosi, e kam fjalën sidomos te ai politik. Ekziston një kategorinë e qytetarëve që janë indiferentë me çdo procese jetike në vend, dhe këtu mund të përfshihet një pjesë e rëndësishme, e cila mendon se asgjë s’varet nga ne. Kjo teori s’përkon me mendësinë perëndimore, e cila synon përsosmërinë, dhe këtë e kërkon nëpërmjet vetëdijesimit dhe kërkimit me ngulm të vërtetës; kësisoj edhe besimit se e mira dhe e keqja varen pikërisht nga ne. Në këtë mënyrë, ata që zgjedhin indiferentizmin si strehe, vegjetojnë, pa u bërë aksionarë në shtetndërtim. Kjo kategori vetëkënaqet me pak. Si e tillë, krijojnë ishulthin e rrethuar me gjemba. Në mesin e kësaj kategori, gjejmë sidomos persona nga bota akademike dhe aty këtu filiza që kanë mbetur pa u zhvilluar nën hijen e ideologjive politike e partiake.
E meqë kërkimi i së vërtetës është zbehur, atëherë mbi shoqërinë tonë po zotëron dëshpërimi, molepsja, apatia, angështia, dredhia. Ndërkohë që një mjegull e zezë vërtitet ankthshëm mbi të ardhmen e këtij vendi, sytë e popullit janë drejtuar e fokusuar te politika, nga e cila presin ndryshime. Duke e parë e përjetuar degdisjen e vendit tonë kah humnera, mu për shkak të politikës dosido shtrohet pyetja: a mjafton politika që njerëzit ta pranojnë njëri-tjetrin ashtu siç vërtet janë, dhe a është e mjaftueshme kjo për të rrugëtuar kah e vërteta, lira e njëmend dhe përparimi? Përvoja e jonë, por edhe ajo universalja, kanë dëshmuar me argumente bindëse: asnjë shoqëri, s’mund të jetojë pa disa të vërteta dhe postulate thelbësore, mbi të cilat ndërtohet humanizmi i domosdoshëm që ruan dhe garanton kohezionin e brendshëm.
Meqë asgjë s’është rastësore, atëherë është koha të pyesim: çka na pengon të ecim krah për krah me popujt e qytetëruar? Unë mendoj, se, ndër të tjera, na mungon aftësia, guximi dhe vullneti që të ballafaqohemi me vetveten. Thënë ndryshe: frika nga e vërteta. Kjo është pika nevralgjike, ku janë ngatërruar punët tona. Ndaj, si gjithherë, duhet dikush tjetër të na përplas këtë për fytyre dhe ne të zgjohemi nga kllapia. Kësaj here, atë e bëri ambasadorja Tracey Ann Jacobson. Ne gjithë e dinim se ka politika ka kundërmuar kaherë, por i mbyllnim hundët. Kambanat binin pa pushim, por ne s’i dëgjonim. Edhe pse na është thënë në mënyrë konstante: ato bien për ata që kanë veshë. Tash si foshnje të papastra, duhet t’ia fillojmë t’i heqim pelenat. Është koha të rritemi.
II.
Afërsisht para një shekulli, kumbonte e pabesueshme klithma e eruditit Faik Konica, kur thoshte armiku i shqiptarëve është vetvetja. Nga perspektiva e sotme, tingëllon profetike dhe fatale. Si erudit, ai e qëmtonte realitetin deri në imtësi, dhe në të njëjtën kohë, kërkonte nga elita e kohës, të ballafaqohej me vetveten dhe të vërtetën. Ai ishte i bindur se plagët e trashëguara- zinxhirët e mendjes- duhej të hiqeshin. E bashkë me ta, një zinxhir vesesh e cenesh, si: shpirtngushtësia, cektësia, gjykimi për çdo gjë dhe çdo herë; paaftësia për të sakrifikuar për ideale të larta, etj. Një ballafaqim i tillë me vetveten nuk ndodhi as në të kaluarën, s’ndodh as tash, ndonëse Shqipëria e kohës së Konicës, kishte një elitë mjaft të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme, fryte e së cilës, në fushën e dijes, kulturës dhe publicistikës, janë të admirueshme.
Nga këshillat e Konicës s’mësoi as Kosova, edhe pse këtu thuhet të ketë pasur lexues të tij.
Deri te përballja me vetveten, s’mund të vijmë pa një kritikë shoqërore, sepse “kritika asht shenjë e mendjes së pjekun”- shkruan me të drejt në një ese të tij i dituri Arshi Pipa. Pa e kuptuar kritikën, si shenjë të mendjes së pjekun, shoqëria bahet e zhurmshme. Aty çdo kush flet dhe askush s’dëgjon. Apo si në rastin tonë, aty flasin ata që e mundojnë gurmazin dhe jo mendjen. Shoqëria e tillë, i ngjan një gërmadhe të njerëzve të çorientuar. Është e kuptueshme që në këso situatash, askush nuk merr përgjegjësi dhe askush s’priret nga ide e ideale të larta. Aty gulçon injoranca dhe shprishet hierarkia e vlerave. Sepse, në skenë zhurmshëm dalin ata që para dite brohorasin e bërtasin me tërë fuqinë e gurmazit: Hosana, hasana. E pas dite, ndërrojnë trajtë dhe brohorasin e bërtasin: kryqëzojeni, kryqëzojeni. Ky sindrom pengon rrugëtimin kah limani i së vërtetës, që është synim i çdo shoqërie të qytetëruar. Meqë këto ditë i "shijuam" frytet e politikës pa dinjitet dhe të dominuar nga llumi e injoranca, është koha ta rihapim debatin konician: të fillojmë të mendojmë dhe të mundohemi të ballafaqohemi me vetveten: të shtegtojmë kah ai liman, përkundër dallgëve që mund të na godasin. Është vështirë. Dhemb. Por është e vetmja rrugë kah liria e njëmend. Ndaj, sa ma parë që ta bëjmë një veprim të tillë, aq më lehtë e tejkalojmë stadin e ulët ku ndodhemi: si politikë, dije e kulturë.
III.
Në vazhdën e një kërkesë të tillë, duhet të prekim pikën nevralgjike, e cila ka degdisë dhe ngatërruar punët e shoqërinë tonë. E ajo, pa mëdyshje, është politika e papërgjegjshme dhe e pandërgjegjshme. Është kjo politik, e cila, me vite të tërë e ka mëkuar me pafytyrësi të keqen, nganjëherë duke e lartësuar në “vlerën” e vetme, prej së cilës varet çdo gjë dhe çdo kush. Dhe sipas kësaj logjike, e cila ka funksionuar gjer tani bukur mirë, njeriu ynë është dashur t’i plotësojë dy kushte: të jetë i dëgjueshëm dhe sa më pak i dijshëm. Kështu i ecën kungulli mbi ujë. E ky parim i pashkruar, ka zvetënuar idealet e dijes dhe kulturës, duke i zëvendësuar ato me forcën e klanit, kapadaillëkut, lidhjeve klienteliste, letrave të quajtura diploma. Si rezultat e kësaj, kapadaillëku i ka zënë vendin dijes dhe dredhia ka zëvendësuar urtësinë, nderin e sinqeritetin. Dhe qytetari i ynë, po s’diti t’iu përshtatet këtyre rregullave dhe po s’u bë pjesë e llumit që ka “paracaktuar” shoqëria, atëherë ai shihet hale në sy për gjithë. Kjo s’është pandehmë, por realitet, sepse në përkim me gjuhën orvelliane, injoranca është bërë fuqi. Kjo ka penguar ballafaqimin me vetveten. Për pasojë, shoqëria jonë s’ka shpreh tendenca të përtejme: të sheh matanë politikës. Dhe me kohë, është shndërruar në “gjah” për politikën. E tani, kur të tjerët na japin flakaresh, ne shtangemi. S’arrijmë ta përthithim mesazhin e përtejmë, të kambanave që s’i kërkojnë veshët e shurdhër. Ndryshe, me reagime të vagullta, lejojmë që fatin tonë shpjegojnë disa falltarë, ndërsa për të ardhmen e kësaj shoqërie, të kujdesen ata që ndërgjegjen e kanë armatosë me helm. Sigurisht, s’përjashtohet mundësia aty këtu të gjendet edhe ndonjë kompilues idesh nga kontingjenti i atyre që kanë marrë rolet e të gjithëdijshmeve në këtë shoqëri; të tillë që e përrallisin një popull, duke dashur ta bindin se kur ata thonë fluturon gomari (F. Konica), populli si në kor duhet të brohoris njëzëshëm: fluturon. Tash na kërkohet më së shumti një ideal i lart, një thirrje buçitëse, për ta mposhtë dyshimin, mosbesimin e vazhdueshëm, frikën dhe humbjen. Në këtë rrugë, duhet të lejojmë që ligji dhe drejtësia, t'i prekin zemrat tona. Vetëm atëherë mund t'i vjelim frytet e qytetërimit dhe të ecim me dinjitet përkrah me kombet e qytetëruara. Jetës tonë politike e kulturore, këto vite i ka munguar dhe vazhdon t’ i mungojë kritika, si shenjë e mendjes së pjekun. Kjo mungesë, ka prodhuar avari politike e kulturore. Ju ka mundësua shumëkujt, që na moçalin e mjerimit, ta ngreh kokën. Më së shumti atyre që e kanë mjelë “lopën patriotike” një kohë të gjatë dhe janë përpjekur me dokrra t’na mbushin mendjen se po bëjnë politikë e shtet qytetarie.
IV.
Pas flakareshit që na dha ambasadorja amerikane, shoqëria jonë, ka nevojë emergjente të këndellet dhe të shikohen në pasqyre. Pastaj të fillojë të injektohet nga etika e përgjegjësisë dhe dashuria vepruese për atdheun, dijen e kulturën. E atdheut, shërbimin ma të mirë ja bëjmë me shkollim të mirëfilltë dhe institucionalizim të dijes dhe paralelisht me këtë, deinstitucionalizim të kapadaillëkut, njerëzve të fortë, që e kanë varfërua jetën tonë në gjitha pikëpamjet. Arsimi është forca ma e fuqishme drejtpeshuese për një shoqëri që aspiron lirinë e njëmend dhe progresin. Arsimi është arma e vetme përballë sfidave të shumta dhe një masë mbrojtëse nga helmi i gjuhës politike. Për ta mposhtë të keqen, duhet investim sistematik në dije dhe kulturë. Shpata e sotme, është hollimi i mendjes- thoshte iluministi Shtjefen Gjeçovi. Po, vendit tonë i duhen mendje të holla dhe jo karagjozë e bashibozukë të fortë. Dhe të mësohemi: e vërteta është e dhimbshme, por është e vetmja rruga që na shpie kah liria e njëmend. Asnjë shoqëri s’është e përkryer, por gjitha shoqëritë e qytetëruar e synojnë atë. Dhe në këtë rrugëtim, kalohet nëpërmjet kapërcimit të pragut të së vërtetës.
V.
Askush s’mund të jetojë pa një histori, pa një tregim dhe pa një synim: nga vijmë, ku jemi dhe kah shkojmë? Ky është fakt empirik. Është momenti i fundit, të fillojmë të përsiasim seriozisht për pyetjen: kah duam të shkojmë?